25 Prill 2024

Mbyllet Gjykata për Krime Lufte për ish Jugosllavinë, e fillon Gjykata për Kosovën

Prishtinë, 28 dhjetor -  Tribunali i Hagës për Krime Lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë edhe zyrtarisht u mbyll duke e përmbushur vetëm një pjesë të mandatit për çka edhe u formua.

Kjo Gjykatë , më shumë e luajti rolin e sigurimit dhe ruajtjes së paqes së brishtë në vendet ku u zhvillua lufta e armatosur pasi u ndërprenë veprimet luftarake ,se sa që siguroi drejtësi dhe shpagim për viktima të shumta si dhe përgjegjësi për ata që e planifikuan, e zbatuan, nuk e penguan dhe e kryen krimin, në të shumtën e rasteve ndaj popullatës së pafajshme civile apo nuk i trajtuan në përputhje me ligjet e luftës ushtarë, policë apo paramilitarë që, sipas konventave ndërkombëtare , duhet të trajtohen si robër lufte.

Gjykata për Krime Lufte për ish Jugosllavinë ishte gjykatë e ndikuar krejtësisht nga politika, i shërbeu projekteve dhe qëllimeve puro politike prandaj edhe dështoi në realizimin e misionit. Të gjithë ata prokurorë apo gjykatës që e lëshuan këtë gjykatë për shkak të presioneve, shantazheve dhe pamundësisë për ta ushtruar detyrën e mandatuar, që nga kryeprokurorja Arbur, gjykatësi Xhefri Saks e deri te Carla Del Ponte, sinqeritetin dhe “ndershmërinë”profesionale e treguan vetëm pasi u larguan nga vendi i tyre i punës , pasi i humbën privilegjet.

Gjykata e Hagës ishte formuar nga organizata e Kombeve të Bashkuara andaj nuk i nënshtrohej jurisdikacionit të asnjë shteti. Përkundër shumë zbrazëtirave në punën e kësaj Gjykate, merita kryesore e kësaj gjykate ishte dhe është fakti se kishte karakter gjithëpërfshirës në mbrojtje të viktimave sikur edhe në adresimin e përgjegjësisë sikur dhe fakti tjetër se nuk e garantoi pandëshkueshmërinë e askujt që iu dëshmua fajësia pavarësisht renditjes në hierarkinë politike, ushtarake, policore apo statusit shoqërorë që e kishte. Tribunali i Hagës nuk i ka ndarë viktimat në boshnjake, kroate, shqiptarë, serb, romë, musliman, turq, ashkali apo të tjerë por i ka trajtuar të gjitha viktimat si viktima sikur edhe kriminelët i ka trajtuar dhe gjykuar si kriminelë , pa bërë ndarje në baza etnike, statusit politik, hierarkitë ushtarake apo policore, përkatësive dhe bindjeve fetare, përkatësisë racore, stautit ekonomik, social apo kulturor. Dikush, ndoshta me të drejtë këtë e ka konsideruar si përpjekje për barazpeshim të krimit si dhe viktimizimit për qëllime politike ,mirëpo,  ana shumë pozitive e kësaj qasjeje ka qenë trajtimi jo diskriminues dhe i barabartë i viktimave dhe kriminelëve në bazë të cilës është krijuar përshtypja e viktimave dhe familjeve të tyre po iu sigurohet drejtësi (ndonëse e pjesshme) kurse kriminelëve po iu shqiptohen dënimet në përputhje me natyrën e krimit dhe peshën e krimit si dhe shkallës së rrezikshmërisë për shoqërinë dhe paqen në rajon dhe në aspektin global.

Mospërmbushja e mandatit të plotë të Tribunalit të Hagës e që do të kishte karakter parandalues ka inkurajuar forcat dhe politikat kriminale të vazhdojnë krimet në Kroaci, Bosnje, Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës sikur që e kanë pamundësuar çdo nismë dhe përpjekje për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtim, si synim kryesor i Komisioneve për të Vërtetën dhe Pajtim. Përmbushja e pjesëshme e mandatit të Tribunalit të Hagës e ka lënë të pazgjidhur çështjen e personave të zhdukur, personave të zhvendosur brenda vendi, të refugjatëve si dhe përmirësimin e raporteve ndëretnike.

Në vitin 2015 , pas raportit të senatorit Dik Marti dhe Rezolutës së Këshillit të Evropës , Kuvendi i Kosovës, në kushte të terrorizimit të skajshëm u detyrua ta votoi themelimin e Dhomave të Specializuara dhe zyrës së Prokurorit e që në fakt ishte Gjykatë Speciale për Kosovën e që do të merrej me çështjet e ngritura nga Raporti i Dik Martit i cili në mënyrë eksplicite nënkupton gjykimin e krimeve të UÇK- së dhe se , së pari , si të dyshuar e pastaj edhe si të akuzuar përfolen emrat e drejtuesve të UÇK –së, si të hierarkisë politike ashtu edhe asaj ushtarake. Presioni mbi deputetët ishte i hatashëm, terrorizues, me kërcënime dhe shantazhime që erdhi puna deri aty sa të gjithë ata që nuk do ta votonin formimin e Gjykatës për Krime të UÇK –së do të akuzoheshin për rrezikimin e paqes, sigurisë dhe rendit botërorë. Pastaj edhe kërcënimi më frikësues ishte se nëse nuk e votoni formimin e kësaj Gjykate atëherë këtë do ta bëjë OKB , me një Rezolutë ku do të ketë gjykatës, prokurorë nga Rusia dhe Kina etj.etj.

Kjo është qesharake , nëse e kemi parasyshë faktin se as Misioni i UNMIK –ut dhe i EULEX –it me gjyqëtarë dhe prokurorë e që edhe sot janë në Kosovë nuk janë këtu me Rezolutë të Bangladeshit por me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Dhe, pa asnjë dyshim , asnjë gjykatës apo prokurorë i Kinës dhe Rusisë nuk do të ishte më i keq se Salustro, Ratel dhe gjyqtarë të tjerë që kanë ndarë drejtësi selektive dhe të korruptuar. Aferat e fundit në Misionin e EULEX –it qartazi flasin për korrupsion dhe joprofesionalizëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX –it në ndarjen e padrejtësisë. Këto vendime kanë qenë selektive, korruptive dhe përjashtuese. Kujtojeni rastin “Hajra”, rastin “Lushtaku”, rastin  “Ivanoviq, rastin e fëmijëve në fshatin Çabër e sidomos rastin Limaj për t’u bindur në pohimet e KMDLNj-së.

Për formimin e Gjykatës Speciale, presionin më të madh e ka bërë PDK dhe Hashim Thaçi, kryeministër i atëhershëm i Kosovës ndonëse kjo parti do ta pësojë më së shumti sikur që edhe vet Hashim Thaçi është “yll” i Dik Martit. LV, AAK dhe Nisma dhe disa deputetë të PDK –së nuk e votuan këtë Gjykatë kurse asnjë deputet i LDK –së, Lista Serbe dhe minoriteteve nuk e kundërshtuan themelimin e kësaj Gjykate.

Shoqatat e OVL të UÇK –së e bënë një kundërshtim “simbolik” kundër kësaj Gjykate sikur edhe Shoqata e manipuluar e ish të Burgosurve Politikë. Realisht , OVL e UÇK –së dhe ShBP ishin instrument (dhe mbetën) i atyre që e votuan Gjykatën Speciale.  Kurse ,një pjesë klienteliste e shoqërisë civile u bë më Dik Marti se vet Dik Marti.

Sipas pohimeve të ndërkombëtarëve por edhe të vendorëve Gjykata Speciale është formuar sipas ligjeve të Kosovës dhe është pjesë e sistemit juridik të Kosovës ndonëse selinë e ka në Hagë , i gjithë sistemi gjyqësorë, prokurorial, korrektues, administrativ është ndërkombëtarë ndërsa shqiptarët janë të dyshuar, do të akuzohen dhe eventualisht do të dënohen. Pasi u votua në Kuvendin e Kosovës , i tërë aktiviteti pregatitor i kësaj Gjykate është zhvilluar dhe po zhvillohet jashtë Kosovës duke rekrutuar në radhët e saj prokurorë dhe gjykatës të dështuar të Tribunalit të Hagës, të misioneve të dështuara të UNMIK dhe EULEX duke filluar një biznes shumë fitimprurës me një kapital fillestar prej 300 milionë eurosh. Shqetësimi, brenga dhe kundërshtimi i KMDLNj –së ndaj kësaj Gjykate ka qenë dhe mbetet (nëse është sipas raportit të Dik Martit) trajtimi diskriminues i viktimave i cili siguron drejtësi për viktima sipas përkatësisë etnike sikur edhe përgjegjësi për krime, gjithashtu sipas përkatësisë në baza etnike që nënkupton se për pjesën dërmuese të viktimave për shkak të përkatësisë etnike nuk do të ketë drejtësi sikur që se edhe për pjesën më të madhe të atyre që kanë bërë krime nuk do të ketë dënime e që nënkupton amnesti të pamerituar për kriminelë.

Gjykata Speciale për ndërtimin e  përshtypjeve pozitive për këtë gjykatë raciste ka angazhuar një organizatë të ngarkuar me shumë paragjykime dhe përjashtime siç është Pax Christi (Paqja e Djallit) dhe e cila për bashkëpunëtorë lokalë  ka angazhuar organizata joprofesionale, paragjykuese dhe me ngarkesa shoviniste nga Beogradi apo nën kontrollë të BIA –së, kurse ka përjashtuar të gjitha organizatat që nuk janë pajtuar me këtë Gjykatë , e cila që si provë kryesore për përcaktimin e pa-drejtësisë e ka përkatësinë etnike.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka qenë organizata e parë nga Kosova që ka vendosur bashkëpunim me Tribunalin e Hagës duke dërguar shumë materiale dëshmuese dhe duke ngritur kallëzime penale kundër Slobodan Millosheviqit dhe udhëheqësve tjerë jugosllavë dhe serbë për vrasje në masë të civilëve shqiptarë dhe të tjerë, arrestime arbitrare, plagosje, deportime të dhunshme të mbi 800.000 shqiptarëve dhe të komuniteteve tjera , që janë përgjegjës për dhunime seksuale deri në përmasa të gjenocidit. KMDLNj , në këtë kontekst ka dërguar 19 dëshmitarë, anëtarë dhe bashkëpunëtorë të KMDLNj –së që do të pohonin për krimet e ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe në Kosovë , si një dhunë e planifikuar shtetërore.

Pas përfundimit të luftës, KMDLNj ka ngritur zërin kundër dhunës ndaj serbëve dhe minoriteteve tjera sikur që vet Adem Demaçi, në kuadër të KMDLNj –së pati formuar Komitetin për Paqe Tolerancë dhe Bashkëjetesë në mbrojtje të komuniteteve të rrezikuara dhe në përpjekje që anëtarët e këtyre komuniteteve që janë shpërngulur në mënyrë të dhunshme nga Kosova, të kthehen në pronat e tyre.

Qasja e KMDLNj –së ka qenë dhe është e pandryshuar ; drejtësi për të gjitha viktimat duke mos i ndarë ato në baza etnike, fetare, racore apo në bazë të statusit të tyre sikur edhe përgjegjësi penale për të gjithë ata që kanë bërë krime pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, racore, bindjeve politike, statusit social dhe material etj.

Thjesht, viktimat të trajtohen si viktima e kriminelët si kriminelë të cilët duhet të dënohen , nëse u dëshmohet fajësia. Të drejtat e njeriut e kanë vlerën në universalitetin e tyre e jo në ndarje dhe trajtim diskriminues të viktimave apo mosndëshkueshmërisë për kriminelë , për shkak të përkatësisë etnike apo interseit politik.

Nëse Gjykata Speciale është formuar sipas ligjeve të Kosovës dhe nëse është pjesë e sistemit të drejtësisë kosovare dhe nëse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe në vendimmarrje për çështje të brendshme të saj, atëherë , përpjekja e 42 deputetëve ta zhbëjnë Gjykatën Speciale është e ligjshme dhe në këtë vendim nuk ka të drejtë të ndërhyjë askush e sidomos ata që si kusht kryesorë për një demokraci e kanë pavarësinë e gjyqësorit. Mirëpo, zhvillimet në Kuvendin e Kosovës në mbrëmjen e “tre musketirëve” treguan qartazi se kjo Gjykatë nuk është e formuar sipas ligjeve të Kosovës, nuk është pjesë e sistemit të drejtësisë kosovare dhe se Kosova nuk është , as e pavarur dhe as sovrane në vendimmarrje për çështje që ekskluzivisht i takojnë një shteti të njohur si i pavarur dhe sovran.

Akuzat, në radhë të parë e ndërkombëtarëve se me këtë veprim Kosova po ja ngulë thikën pas shpine aleatëve të saj , sa është e paqendrueshme aq është edhe joserioze. Pse Kosova , përkatësisht deputetët e Kosovës nuk do të kishin të drejtë ta anulojnë apo ndryshojnë një ligj që vet e kanë miratuar përmes një votimi të kushtëzuar , me kërcënime dhe shantazh?!
Pse ndërkombëtarët nuk kanë ndërhyrë në formimin e Gjykatës për Krime Lufte të Serbisë?! Sepse Serbia nuk ua varë fare dhe nuk lejon ndërhyrje në sistemin gjyqësorë të shtetit.

Reagimi dhe denoncimi linçues i një pjese klienteliste të shoqërisë civile e cila nuk kërkon trajtimin dhe drejtësi për të gjitha viktimat sikur edhe përgjegjësi për të gjithë kriminelët është vrasje e përsëritur e atyre viktimave që me këtë Gjykatë nuk do të trajtohen si viktima dhe nuk do të kenë drejtë si dhe luajtje me ndjenjat dhe dhimbjet e familjarëve të viktimave dhe arsyetim apo falje për ata kriminelë që nuk do të dënohen për krimet që i kanë bërë.

Në vendet normale e që janë të pavarura dhe sovrane në vendimmarrje, ndryshimi i një ligji që vet e kanë miratuar përmes votimit do të ishte çështje teknike dhe krejtësisht normale. Në vendet si Kosova , kjo çështje po konsiderohet si tradhëti e përmasave globale, ikje nga drejtësia dhe rrezikim i paqes dhe sigurisë botërore. Shumë idioteske , me një fjalë!

Linçimi apo pushkatimi publik duke përmendur emra të atyre që do t’u ngriten aktakuzat , pa asnjë burim zyrtarë është dezinformatë dhe përpjekje për ta paragjykuar fajësinë e personave të caktuar,  ende pa një vendim të prokurorisë dhe gjykatës.

Kjo është e rëndë për familjet e të të përmendurve sikur që është ngarkesë edhe e familjeve apo individëve që kërkojnë drejtësi nga kjo Gjykatë. Çka nëse ndodhë që këto pohime nuk do të jenë të vërteta dhe a duhet t’i nënshtrohen përgjegjësisë institucionale denoncuesit apo , të linçuarit , në mungesë të kësaj përgjegjësie do ta marrin drejtësinë në duart e tyre! Situata në Kosovë është aq e ngarkuar saqë nuk ka nevojë të ngarkohet më shumë me informata të pavërtetuara dhe jozyrtare.

KMDLNj është e vetëdijshme se në rrethanat aktuale Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet sepse edhe nisma e këtyre 43 deputetëve nuk ka qenë për zhbërje të Gjykatës. Nisma është manipulative dhe akterëve që e kanë bërë këtë nuk mund dhe nuk duhet t’iu besohet.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në kuptimin e kërkimit dhe sigurimit të kushteve për drejtësi për të gjitha viktimat (pa bërë asnjë dallim). Sikur edhe përgjegjësi dhe dënim për të gjithë ata që kanë bërë krime, gjithashtu , pa asnjë dallim. Kur kjo të arrihet nuk ka rëndësi a do të dënohet Hashimi, Berati, Behxheti, Nasimi, Dauti, Oliveri, Dragani, Millani, apo Stojani. Pas krijimit të këtyre kushteve , të gjithë deputetët, politikanët, analistët, autoritete morale, OJQ dhe shoqëria civile do të duhej të bëjnë presion për të siguruar drejtësi për viktima dhe përgjegjësi për kriminelë. Kështu, ndarja eventuale e drejtësisë selektive e me gjasa do të ndodhë të kësaj Gjykate Speciale që nuk është as Gjykatë hibride por Gjykatë e pastër etnikisht (nga ndërkombëtarët) edhe më shumë do t’i thellojë ndarjet në Kosovë, si ato midis shqiptarëve e mos të flasim për ato ndëretnike.

Gjykata Speciale nuk është formuar shkaku i dështimit të gjykatave vendore sepse ato nuk kanë pasur kompetencë pë raste të krimeve të luftës por si pasojë e dështimit të Tribunalit të Hagës , Gjykatave oportuniste të UNMIK-ut  dhe EULEX-it si edhe nevojë politike për ta bërë një ridisajnim të skenës politike kosovare duke shkruar një tregim dhe histori të rrejshme.

Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtim do të shndërrohet në karikaturë, familjarët e personave të zhdukur, atyre të viktimave dhe gjithmonë do të kenë arsye të protestojnë dhe do të destabilizojnë situatën , në kërkim të një drejtësie të mohuar. Do të kemi situatën e një pasigurie të përgjithshme sepse personat që kanë denoncuar raste të ndryshme do të detyrohen të dëshmojnë sikur p.sh Isa Mustafa , ish kryeministër do të detyrohet të dëshmojë për rastin e Liqenit të Radoniqit , meqë ka bërë denoncim piblik. Apo , ata që po denoncojnë për vrasje që i cilësojnë si politike, pa u zbardhur asnjë rast që mbështet pohimet e tilla e në mesin e dëshmitarëve të tillë ka shumë figura publike, deputetë, politikanë të ranugt të lartë etj. Në mesin e dëshmitarëve duhet të thirren edhe shumë aktivistë të shoqërisë civile klienteliste që e kanë luajtur rolin e linçuesit dhe denoncuesit, pa ofruar asnjë provë materiale.


KMDLNj këmbëngulë që përgjegjësit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pavarësisht përkatësisë etnike, racore, fetare etj. nëse u dëshmohen krimet , duhet ta marrin dënimin sipas ligjit.

KMDLNj , gjithashtu rithekson se pa siguruar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre në Kosovë, asnjëherë nuk do të ketë paqe, përafrim e sidomos nuk të ketë pajtim. Nëse kriteri etnik do të jetë përcaktues për fajësinë apo pafajësinë , sikur që ky kriter do të jetë vendimtar edhe për trajtimin e viktimave , atëherë do të kemi përsëritjen e Tribunalit të Hagës , gjykatave të UNMIK –ut dhe EULEX –it e që nënkupton dështim të drejtësisë përmes trajtimit selektiv të rasteve. Duhet se edhe nëse kjo Gjykatë do të dështojë e sigurisht do të dështojë ky biznes do të jetë shumë përfitues për të punësuarit e kësaj gjykate dhe rrogëtarët denoncues të tyre. Në Kosovë dhe jashtë saj. Në këtë kontekst , të drejtat e njeriut për pesonat e privuar nga liria nuk do ta kenë kuptimin sepse ata do të gjykohen dhe trajtohen në një mjedis mosbesimi, dënimin do ta mbajnë të syrgjynosur dhe kundër vullnetit të tyre , larg familjeve , sikur të dënuarit politikë shqiptarë në kohën e ish Jugosllavisë kur syrgjynoheshin nëpër burgjet e  ish Jugosllavisë , qindra dhe mijra kilometra larg familjeve . I ashtuquajturi Ombudsperson i kësaj Gjykate Speciale , do të jetë thjesht një babadimër që të ngrinë në verë dhe të shkrinë në dimër. Në këtë rast , edhe të burgosurit shqiptarë pëveç se do të jenë mosbesues nda Gjykatës ata nuk do t’u besojnë as rojeve të burgut dhe shërbimeve që ofrohen aty.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)