13 Gusht 2020

Mbahet takimi i BE-së kundër trafikimit të armëve në Ballkanin Perëndimor

Prishtinë, 3 korrik - Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Prokurori Zejnullah Gashi, po merr pjesë së bashku me përfaqësues të Policisë së Kosovës në takimin e tretë rajonal kundër trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor, eveniment ky i radhës, i cili është organizuar përmes komunikimit në distancë nga Bashkimi Evropian (BE).

Qëllimi i mbajtjes së këtij takimi të rëndësishëm evropian është zbatimi i vazhdueshëm i Udhëzuesit për zgjidhje të qëndrueshme lidhur me mbajtjen e paligjshme, keqpërdorimin dhe trafikimin e armëve të vogla dhe të lehta dhe municioneve të tyre në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2024. 

Në sesionet e tij po marrin pjesë përfaqësues të BE-së, Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe ministrive të punëve të brendshme të shteteve të Evropës Juglindore dhe Lindore, si dhe përfaqësues të sistemeve të drejtësisë, të cilët kanë raportuar për zbatimin e këtij udhëzuesi në vendet e tyre.

Në këtë kontekst, anëtari i KPK-së, Zejnullah Gashi, do të raportojë para pjesëmarrësve për trajtimin nga prokuroritë e Kosovës të veprave penale të mbajtjes së paligjshme dhe trafikimit të armëve, me fokus të veçantë për rëndësinë e Mekanizmit përcjellës për veprat penale karakteristike, përfshirë këtu pashmangshëm edhe armët e vogla dhe të lehta, si dhe përshtatjen e këtij udhëzuesi me juridiksionin e shtetit të Kosovës.  

Rrjedhimisht, në të gjitha sesionet e forumit deri tashti janë diskutuar progresi, sfidat dhe nevojat e vendeve pjesëmarrëse, si dhe është bërë prezantimi i planit të veprimit të këtyre vendeve që veprojnë në kuadër të këtij projekti, përfshirë përparimin në qëllimet e përcaktuara dhe nevojat e identifikuara.

Po ashtu pjesëmarrësit janë pajtuar që mekanizmat kombëtarë dhe ndërkombëtarë të angazhohen fuqishëm për të siguruar një mbështetje të planifikuar për zbatimin e këtij udhërrëfyesi, të monitorojnë implementimin e gjetjeve rajonale dhe të bëjnë prezantimin e vazhdueshëm të treguesve kryesorë të performancës.

Me anë të këtij projekti, BE-ja synon të eliminojë qarkullimin e paligjshëm të armëve të kalibrit të vogël në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që krijohet një siguri më e lartë në nivelin evropian.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 Gusht 2020  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raportin me amendamente në Projektligjin nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, raporton në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e situatës me Covid-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)  
    
- Kuvendi i Kosovës mban seancën e radhës ku në rend dite është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës: shqyrtimi i parë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike etj. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)   

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” bëjnë publikimin e raportit hulumtues “Efekti i të lexuarit në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve të Kosovës”. (Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, ora 10:00)    

- Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, viziton komunën e Pejës ku do të pritet nga kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri. (Ndërtesa e Komunës, Pejë, ora 10:00)    

- Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me zhongluesin e mirënjohur nga Vitia, Agim Agushin, do të mbajnë konferencë për media. (Objekti i Komunës, Mitrovicë, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ‘ka diçka me thanë’. (Zyra e kryetarit te Gjilanit, ora 12:00)