26 Prill 2024

Lirohen katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje

Prishtinë, 22 gusht - Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar sot katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Frashër Krasniqi nga arresti shtëpiak, si dhe Atdhe Arifin nga paraburgimi.

Vetëvendosje ka vlerësuar se një vit padrejtësi ka marrë fund. Katër persona kanë vuajtur dënim padrejtësisht, dhe vetëm tash, Gjykata duke e parë që nuk mund të vazhdojë me prova të montuara është dorëzuar nga përndjekja absurde politike.

"Që të katër janë privuar nga liria padrejtësisht për 12 muaj për shkak të katandisjes së sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ata, bashkë me aktivistin, tashmë të ndjerë Astrit Dehari, ishin arrestuar në fund të gushtit të kaluar. Padrejtësisht janë mbajtur në arrest shtëpiak e paraburgim."

"Sistemi i kapur i drejtësisë i kishte arrestuar ata nën akuzat për terrorizëm. I njëjti sistem duhet të lirohet për t’u vënë drejtësi edhe si shpagim i padrejtësisë së deritashme. Bashkë me aktivistët Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti e Frashër Krasniqi nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për Astritin, i cili gjeti vdekjen në burg, derisa vuante akuzat e padrejta të këtij pushteti përndjekës e linçues", thekson Vetëvendosje. 

Një sistem që mban të izoluar pa pikë faji për një vit katër të rinj, është sistem autoritar. Lirimi i aktivistëve shënon edhe një betejë të fituar drejt çlirimit të sistemit të drejtësisë. Është triumf i drejtësisë së vonuar, ngadhënjim mbi montimin e përndjekjen politike.