20 Gusht 2019

Lansohet Plani i Integritetit te Ministrisë së Mbrojtjes

Prishtinë, 17 korrik - Në Ministri të Mbrojtjes u mbajt konferenca “Lansimi i Planit të Integritetit 2019-2022”, ku morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, drejtori i NALT-it gjeneral Michael Oberneyer, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë Per Strand Sjaastad, Svein Eriksen këshilltar i lartë i Qendrës së Integritetit në Sektorin e Mbrojtjes (CIDS) nga Ministria e Mbrojtjes së Norvegjisë, Shaip Havolli drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së,  atashe ushtarak  si dhe: gjeneral të FSK-së,  oficerë dhe zyrtar të NALT-it, përfaqësues  të shoqërisë civile, oficerë  të FSK-së dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e hapjes së Konferencës Lansimi i Planit të Integritetit të Ministrisë së Mbrojtjes, Faruk Geci, U.D Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, duke folur për rëndësinë e këtij plani ndër të tjera theksoi: ''Një ndër mekanizmat e nevojshëm, krahas mekanizmave tjerë për funksionim dhe kontroll të brendshëm, padyshim ka qenë themelimi i mekanizmit për avancim të integritetit në institucionin tonë”.

Në konferencën e lansimit të Planit të Integritetit të Ministrisë së Mbrojtjes, duke folur në kontekst më të gjerë institucional  dhe shtetëror  ministri Rrustem Berisha ndër të tjera theksoi se: „Ky plan është derivat i politikave të Ministrisë së Mbrojtjes në funksion të fuqizimit dhe zhvillimi të mëtutjeshëm të institucionit tonë, konform misionit të ri.

Plani i Integritetit zë vend të rëndësishëm në kuadër të dokumenteve strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe është në përputhje me Strategjinë Kundër Korrupsionit në nivel të shtetit. Integriteti është një vlerë që duhet të mishërohet në punën tonë ditore. Integriteti ngërthen angazhimin individual dhe institucional në funksion të kryerjes së detyrave në përputhje me konceptin e sundimit të ligjit. Plani si i tillë parasheh masa konkrete në drejtim të përmirësimit dhe fuqizimit të segmenteve të rëndësishme në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe në nivel të Forcës.

Është e rëndësishme që realizimi i këtyre masave ta avancojë menaxhimin e burimeve njerëzore, prokurimit, financave, kontrollit të brendshëm dhe të aseteve”.

Ndërsa, ambasadori i Norvegjisë në Republikën e Kosovës, Per Strand Sjaastad, në fjalën e tij ndër të tjera veçoi: “Zbatimi i ligjit në rend të parë është  detyrim, Kosova në vazhdimsi ka bërë përpjekje të mëdha për luftimin e kësaj dukurie, por ju sygjeroj që duhet organizuar plane strategjike më të shpeshta sikur kjo për luftimin e korrupcionit. Dihet edhe nga përvojat paraprake që luftimi i korrupcionit sjellë  në vete edhe rreziqe, por kjo nuk do të thotë që duhet ndaluar së luftuari atë. Mbi këtë çështje, për luftimin e kësaj dukurie negative duhet punuar fuqishëm dhe bashkarisht“.

Po ashtu debatit me diskutimet e tyre i kontribuuan edhe  Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit zoti  Shaip Havolli  dhe z. Svein Eriksen, këshilltar i lartë i Qendrës së Integritetit në Sektorin e Mbrojtjes (CIDS) nga Ministria e Mbrojtjes së  Norvegjisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)