02 Prill 2020

Kosova merr pjesë në Simpoziumin Transatlantik 2020 mbi të Drejtat e Njeriut

Prishtinë, 21 shkurt  - Me ftesë të organizatës amerikane Federalist Society for Law and Public Policy Studies dhe si pjesë e delegacionit të rrjetit evropian të gjyqtarëve, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka-Nimani, po qëndrojnë për një vizitë pune disaditëshe në Shtetet e Bashkuara.

Kryetarja Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja Caka-Nimani vizitën zyrtare në SHBA e filluan në kryeqytetin Uashington, më 18 shkurt 2020, ku zhvilluan takime me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, përgjegjës për mbikëqyrjen e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit në shtetet e Evropës juglindore dhe qendrore.   

Në vijim të vizitës në Shtetet e Bashkuara, kryetarja Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja Caka-Nimani qëndruan në qytetin amerikan Atlanta, ku morën pjesë në Simpoziumin Transatlantik 2020 për Ligjin mbi të Drejtat e Njeriut, që u organizua nga Federalist Society for Law and Public Policy Studies, në bashkëpunim me Fakultetin Juridik të Universitetit Emory, më 19 shkurt 2020.  

Në kuadër të simpoziumit të organizuar me gjyqtarë dhe akademikë amerikanë, kryetarja Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja Caka-Nimani iu drejtuan pjesëmarrësve me prezantimet e tyre përkitazi me çështjet e lirisë së shprehjes dhe gjyqësorit. 

Gjatë vizitës në Atlanta, më 20 shkurt 2020, kryetarja Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja Caka-Nimani u pritën në takim nga kryetari i Gjykatës Supreme të Gjeorgjisë, z. Harold Melton, si dhe nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të këtij shteti federal amerikan, me të cilët diskutuan çështje të ndryshme të interesit reciprok në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Prill 2020

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për t’u konsultuar lidhur me formimin e Qeverisë së re, ose shkuarjen në zgjedhje. (Zyra e Presidentit, ora 10:00) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq. (Zyra e Presidentit, ora 10:30) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. (Zyra e Presidentit, ora 11:00) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim përfaqësuesit e Grupit Parlamentar 6 Plus. (Zyra e Presidentit, ora 11:30)