23 Prill 2024

Kosova është e gatshme të kthehet në kontribuues të sigurisë

Prishtinë, 15 maj - “Kosova ka arritur nivelin e zhvillimit, i ka përmbushur argumentet e nevojshme që të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës, por duhet të vendos për mënyrën e ecjes përpara”, kështu ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj, në takimin prezantues për arritjet dhe planet në sigurinë e Kosovës, me theks të veçantë për FSK-në, me ambasadorët e akredituar në Kosovë, me temë “Kosova e mbrojtur dhe e Sigurt”.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj para të pranishmëve ka theksuar se Kosova është e gatshme nga një absorbues i sigurisë, të kthehet në kontribuues të sigurisë, në planin e brendshëm, planin rajonal dhe atë global.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se të gjitha institucionet e vendit janë duke punuar për të shpjeguar gjendjen e FSK-së, të arriturat, veçanërisht të vërtetën se FSK është forcë multietnike, në të cilën shërbejnë edhe serbët e Kosovës, serbët e veriut.

“Është paraparë që ndryshimet Kushtetuese, fuqizimi i mandatit të FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve të neneve kushtetuese. Unë mendoj se argumentet për të marrë besimin e të zgjedhurve serbë, në këtë rast të Listës Serbe, vërtetë janë plotësuar, mirëpo vendimi është politik”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, përmendi faktin se Qeveria ka kaluar nëpërmjet procesit të konsultimit dhe diskutimit në përgjithësi me të gjitha partitë politike dhe komunitetet etnike brenda vendit, duke zhvilluar një dialog me të gjithë partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë dhe Qeveria vazhdon ta mbështesë këtë dialog.

“Kosova është shtëpia jonë, prandaj dëshirojmë t’ju konfirmojmë para jush përkushtimin tonë, se jo vetëm FSK-ja e sotme, por edhe ushtria e ardhme e Kosovës është forca e çdo qytetari që jeton brenda vendit, është partneritet për paqe, për siguri në rajonin tonë. Kjo është vetëm një plotësim i mandatit të KFOR-it brenda vendit."

"Ne nuk dëshirojmë të jemi në konflikt me mandatin e KFOR-it. KFOR-i është i mirëseardhur tash e gjithmonë si forcë e sigurisë dhe kjo na ndihmon që të kemi siguri jo vetëm për popullatën në Kosovë, por edhe një kontribut të madh në rajon”, tha kryeministri Haradinaj.

Në Konferencën “Kosova e sigurt dhe e mbrojtur” e organizuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, morën pjesë ambasadorët e akredituar në Kosovë, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, Gjenerali i FSK-së Rrahman Rama, drejtori i NALT për Kosovën, Gjeneral Ralf Hoffmann, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve në vend.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)