18 Prill 2019

Kosova dhe Franca avancojnë partneritetin për siguri

Prishtinë, 19 shkurt - Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani pritet nga znj. Geneviève Darrieusecq, sekretare e Shtetit pranë Ministres së Armatave, në kryeqytetin e Francës në Paris.

Zëvendësministri Ramadani dhe Sekretarja e Shtetit, znj. Darrieusecq, gjatë takimit kanë ritheksuar vullnetin dhe gatishmërinë për thellimin dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale midis Kosovës dhe Francës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm, ishte konstatim i përbashkët për detajizimin e raporteve bilaterale në mënyrë që FSK të avancojë edhe më tutje në profesionalizimin e saj, veçanërisht në fushën e edukimit sipas standardeve më të larta demokratike.

"Kosova e sheh Francën si partner të rëndësishëm në forcimin e institucioneve tona, si dhe në rrugën tonë për anëtarësim në NATO. Kosova ka qëllim shtetëror integrimet euro-atlantike dhe ne synojmë të jemi vendi i 31-të anëtar i NATO-s", ka theksuar zëvendësministri Ramadani.
Ai falënderoi Francën dhe Ministrinë e Armatave për mbështetjen që i kanë dhënë procesit të transicionit të FSK-së, si proces gradual dhe transparent.

Zëvendësministri Ramadani, gjatë takimti, theksoi përkushtimin e Kosovës për të qenë kontribuuese për sigurinë rajonale dhe globale, duke vlerësuar lartë aleancat dhe partneritet me shtetet e NATO-s.

Sekretarja e Shtetit në Ministrinë franceze të Armatave, znj.Darrieusecq, shprehu gatishmërinë e Francës për të punuar ngushtë me Kosovën me qëllim të ndërtimit të paqes, besimit, stabilitetit dhe perspektivës perëndimore për tërë Ballkanin.

Zëvendësministri Ramadani gjatë qëndrimit në Francë do të zhvillojë takime edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ndërsa, paraprakisht së bashku me ambasadorin e Kosovës në Francë, z. Qëndrim Gashi, ka marrë pjesë në homazhet për të rënët për liri, në Harkun e Triumfit.

Po ashtu, do të merr pjesë edhe në aktivitetet e ambasadës së Kosovës në Paris, për nder të 11 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 prill 2019 - Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendren Klinike Universitare i fillon punimet Simpoziumi mbarëshqiptarë i kirurgëve të fëmijëve. (Hotel Internacional Prishtina, ora 8:40)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe partneri implementues, Kryqi i Kuq i Kosovës, do të organizojnë një ushtrim fushor në fshatin Maxhunaj në komunën e Vushtrrisë. (Fshati Maxhunaj, ora 10:00)

- Shtëpia Botuese “Faik Konica” organizon promovimin e librit të Dr. Islam Lauka, “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë”. (Bibliotekën Kombëtare, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të bëjnë shpërndarjen e kontratave për 21 përfituesit e granteve nga Fondi Rinor që për qëllim kanë rritjen e punësimit për të rinjtë e vendit tonë përmes zhvillimit të ndërmarrësisë. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti së bashku me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, do të përcjellin garën komunale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik. (Objekti i Gjimnazit Natyror "Xhavit Ahmeti" në​ Gjilan, ora 13:30)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it Lisa Magno do të flasë me rastin e lançimit të faqes së re të internetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK). (Sheshi 21, ora 15:00)

- Federata e Atletike të Kosovës do të mbaj konferencë për media në të cilën do të jepen informatat kryesore rreth organizimit të gjysmë maratonës së këtij viti. (Salla e shtëpisë së sporteve në Prishtinë, ora 15:00)

- Galeria e Qytetit të Gjilanit hap ekspozitën e veçantë të fotografive “Arti i Rrudhave”, të autorit Muhamed Sadriu, e cila do të shpalos fotorgafitë e 21 personave të cilët i kanë mbi 100 vjet, e që e simbolizon shekullin XXI. (Galeria e Qytetit të Gjilanit, ora 17:30)

- Galeria Kombëtare e Kosovës hap ekspoziten "Grouping - Moving - Spreading" Metaxym e cila është kuruar dhe organizuar nga The Activists dhe World Anonimous Society. (Galeria Kombëtare e Kosovës, ora 20:00)

- Lumbardhi do të prezantojë paraqitjen e parë të këngëtares dhe kompozitores amerikane Chrysta Bell në Kosovë në kuadër të turneut Feels Like Love 2019 dhe epizodit të dytë të Lumbardhi n’Behar. (Lumbardhi në Prizre, ora 21:00)