20 Prill 2024

KOMF: Kryeministër, rrisni sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve

Prishtinë, 29 maj - Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF i cili përfaqëson 27 organizata jo qeveritare në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, i udhëhequr nga misioni për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe marrë shkas nga rastet e fundit të paprecedent të dhunës që kanë rezultuar dhe me humbjen e jetës së fëmijëve, sot përmes një letre të hapur dërguar sot Kryeministrit, ka kërkuar nga Kryeministri i vendit që të rrisë vëmendjen ndaj sigurisë së fëmijëve dhe në të njëjtën kohë të adresojë me prioritet absolut sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë.

Më poshtë është letra e plotë:

I nderuar Kryeministër,

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 27 organizata jo qeveritare në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, i udhëhequr nga misioni për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe marrë shkas nga rastet e fundit të paprecedent të dhunës që kanë rezultuar dhe me humbjen e jetës së fëmijëve, kërkon nga ju si Kryeministër i vendit që të rrisni vëmendjen ndaj këtyre ngjarjeve dhe sigurisë së fëmijëve dhe në të njëjtën kohë të adresoni me prioritet absolut sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, në kuadër të qeverisjes suaj.

Fëmijët në Republikën e Kosovës përbëjnë 30% të popullsisë së përgjithshme. Fëmijët po ballafaqohen me situata të vështira, rreziqe, dhunë, kërcënime dhe kanosje të sigurisë së tyre, ku për pasojë kemi edhe raste të cilat po përfundojnë me fatalitet deri në vrasje.

Rastet e fundit të humbjes së jetës së fëmijëve të cilat tronditën gjithë opinionin nga shkalla e lartë e përdorimit të dhunës në familje, dhunës mes bashkëmoshatarëve, përdorimit të armëve, vetëvrasjeve të fëmijëve, duhet të përbëjnë alarm për qeverinë, institucionet, familjet dhe gjithë shoqërinë.

Të dhënat flasin për shkallë të lartë të dhunës së përdorur në familje, ku 61.4 përqind e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç kanë deklaruar të kenë pësuar nga dhuna psikologjike dhe fizike. 10.7 përqind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë përderisa 6.8 përqind e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme.

Raportet qeveritare dhe joqeveritare tregojnë për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në sjellje që janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë dhunën, pasojat e së cilës në disa raste kanë qenë fatale për vetë fëmijët. Vetëm gjatë vitit 2016, janë shqiptuar 1159 masa dhe dënime alternative ndaj të miturve në konflikt me ligjin.

Kjo gjendje kërkon marrjen e masave të menjëhershme për sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Marrë parasysh mungesën e masave efektive parandaluese dhe mbrojtëse për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve në Kosovë, kërkojmë nga ju Kryeministër si dhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të ndërmerrni masa urgjente institucionale për të rritur sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Në emër të përgjegjësive kushtetuese, si Kryeministër i vendit dhe udhëheqës i qeverisë, këtë mund ta bëni përmes:

Aprovimit sa më parë të Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve si dhe parashikimit dhe ndarjes së buxhetit të nevojshëm për Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, përfshirë përcaktimin e kostos së shërbimeve, burimeve njerëzore për zbatim të ligjit, në mënyrë që ky ligj të gjejë zbatim efikas dhe të ndikojë në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në Republikën e Kosovës.

Krijimit të një granti specifik për shërbime sociale në kuadër të Ligjit Nr. 03/L-049 për Financat e Pushtetit Lokal - LFPL (i cili është në proces plotësim ndryshimi), grant ky i cili do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e mbrojtjen së fëmijëve.

Bëjmë me dije që Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve do të mund të gjejë zbatim dhe të ndikojë në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve, vetëm nëse sigurohet kostoja buxhetore e nevojshme për zbatimin e tij.

KOMF mbetet i hapur dhe i përkushtuar për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta për mbrojtjen e fëmijëve dhe avancimin e të drejtave të tyre. 

Organizatat anëtare të KOMF:

Asociacioni për Trajnime Sociale, Hulumtime dhe Avokim – ASTRA, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Balkan Sunflowers Kosova, Childproof/CIPOF, Education Comes First – ECF, Edukimi për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë – KESD, Iniciativa 6, Organizata Rinore Akti – ORA, One To One Kosova, Qendra e Këshillimit për Familje – QKF, Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, OPFAKKOS, Programi për të Drejtat Civile – CRP/K, PL4Y International, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Qendra e Kujdesit Ditor PEMA, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me qenie njerëzore – MVPT, Qendra për Studime të Avancuara – FIT, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT, Save the Children, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët Kosovë – SDSF, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK Kosova, Shoqata e Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – HANDIKOS, Terre des hommes, The Ideas Partnership, VoRAE dhe World Vision.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)