23 Prill 2024

KOMF e shqetësuar me abuzimin dhe dhunën seksuale ndaj fëmijëve

Prishtinë, 25 shkurt - Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF, mbajti konferencë të jashtëzakonshme për media për të shprehur shqetësimin lidhur me trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të formave të abuzimit dhe dhunës seksuale.

Në vazhdimësi, po shfaqen raste që dëshmojnë dështimin e sistemit për të garantuar mbrojtje për fëmijët viktima të abuzimit. Megjithëse në vazhdimësi po paraqiten raste ku ka dyshime të bazuara se ndaj fëmijëve, në mënyrë sistematike janë kryer vepra penale kundër jetës dhe trupit - ngacmimi seksual, vepra penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriu - fotografimi dhe incizimet të tjera të paautorizuara si dhe vepra penale kundër integritetit seksual - dhunimi, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi, në të shumtën e rasteve të dyshuarit për këto vepra po lirohen nga prokuroria për mbrojtje në liri.

Një rast tashmë i njohur për opinionin ndodhi vitin e kaluar, kur prokuroria liroi në procedurë të rregullt të dyshuarin për përdhunim të fëmijës së mitur, rast i cili përfundoi me vrasjen makabre të fëmijës K.V. nga Fushë Kosova.

Si Koalicion jemi të shokuar për faktin që raste të tilla, siç është rasti tragjik i fëmijës K.V. nga Fushë Kosova, i cili përfundoi me vrasjen makabre të tij, nuk ka ndikuar aspak në reflektim, mobilizim e as ngritje të nivelit të përgjegjësisë së të gjithë sistemit të mbrojtjes së fëmijës, e sidomos të prokurorisë. Për më tepër, nuk ka llogaridhënie dhe përgjegjësi për trajtimin e këtyre rasteve nga organet e mbrojtjes, rendit dhe drejtësisë.

Këto raste të jenë të patolerueshme dhe skandaloze. Nisur nga kjo, kërkojmë që qasja institucionale të jetë efektive e jo të rezultojë në vrasje dhe viktima tjera të abuzimit.

KOMF përmes një kërkese për veprim i është drejtuar Albulena Haxhiu - Ministre e Drejtësisë, Agim Veliu - Ministër i Punëve të Brendshme, Aleksandër Lumezi - Kryeprokuror i Shtetit, Bahri Hyseni - Kryesues i Këshillit Prokurorial, Burim Berisha - Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës dhe Shpend Ahmeti - Kryetar i Komunës së Prishtinës, duke kërkuar veprime emergjente dhe llogaridhënie lidhur me këto raste.

Ne, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve kërkojmë nga shteti:

-       Të kërkojë përgjegjësinë penale nga të gjithë palët e sistemit të mbrojtjes që dështuan të ushtrojnë obligimin ligjor të mbrojtjes së fëmijës (K.V) nga Fushë Kosova, duke shqiptuar dënimet e merituara.

o   Kërkojmë rifillimin e hetimit të sistemit të menaxhimit të rastit të viktimës K.V., shqiptimin e dënimeve të merituara për personat përgjegjës për veprim apo mosveprim në ofrimin e mbrojtjes.

o   Kërkojmë transparencë të plotë të procesit të sipërpërmendur.

-      Të dërgohen urgjent në mbajtje të dyshuarit për veprat penale që kanë të bëjnë me abuzimin seksual të fëmijëve si dhe të shqyrtohet e gjithë rrjedha e veprimeve procedurale të ndërmarra nga personat përgjegjës brenda institucioneve.

-       Të kërkohet përgjegjësi penale nga prokurorët të cilët po dështojnë në trajtimin e rasteve të viktimave fëmijë të abuzimit

-       Të kërkohet ngritje e llogaridhënies së brendshme dhe të zbatohet detyrimi për respektimin e ligjeve brenda institucioneve përgjegjëse.

-       Të garantohet mbrojtja adekuate e të gjithë fëmijëve si dhe viktimave të abuzimit dhe keqtrajtimit.

Mbesim në pritje të veprimeve urgjente të institucioneve të Republikës së Kosovës në lidhje me rastin.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)