22 Gusht 2019

KOMF dhe ÇOHU kërkojnë hetim dhe llogaridhënie për veprimet e prokurorisë

Prishtinë, 19 korrik - Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve - KOMF dhe Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU, sot kanë dërguar kërkesë zyrtare tek Këshilli Prokurorial i Kosovës duke kërkuar hetim dhe llogaridhënie për veprimet e prokurorisë lidhur me rastin e fëmijës K. V nga Fushë Kosova.

Pas publikimit të vdekjes tragjike të fëmijës në Komunën e Fushë Kosovës, KOMF ka dërguar kërkesë zyrtare tek Prokuroria për të parë cili ka qenë reagimi institucional për këtë rast. Prokuroria ka theksuar se është në fazën e hetimeve dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të japë më shumë informacion.

Sipas raportimeve mediale, prokurori nuk kishte propozuar masën e paraburgimit, e cila përveçse do të pamundësonte ushtrimin e vazhdueshëm të abuzimit ndaj fëmijës do të ndihmonte edhe në zbardhjen e rastit. Prokurori nuk kishte kërkuar ekzaminimin mjeko-ligjor, kjo edhe përkundër raportimeve dhe dyshimeve për abuzim seksual me tashme të ndjerin K.V. Tutje i dyshuari ishte liruar në procedurë të rregullt.

Nisur nga faktet e mësipërme, KOMF dhe ÇOHU kanë kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të vërtetohet nëse prokuroria ka përmbushur përgjegjësinë profesionale bazuar në dispozitat ligjore dhe etike, Kodin e Procedurës Penale, Kodin e Sjelljes Etike dhe Profesionale për Prokurorë.

Në përputhje me rregullat ligjore dhe etike të organeve ndjekëse, KOMF dhe ÇOHU kanë kërkuar që Këshilli Prokurorial të zhvillojë procedurë hetimi ndaj prokurorëve të rastit për të identifikuar nëse ka pasur lëshime profesionale dhe etike në rastin ndaj fëmijës K. V dhe të shqiptojë masat e nevojshme, në rast se ato vërtetohen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 gusht 2019

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Komuna e Prishtinës organizon vendosjen e pesë njësive shtesë të pemëve për pastrimin e ajrit në sheshin "Zahir Pajaziti" ku do të jetë prezent dhe Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. (Sheshi i 'Zahir Pajazitit', ora 10:00)

 - Mbahet dita e tretë e Etnofestit në të cilën do të mbahet punëtoria kreative, instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve, punime artizanale, etj. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës se Istogut, Haki Rugova do të organizojë dëgjimin me qytetarë për Draft Buxhetin Komunal për vitet 2020-2022. (Salla e Kuvendit Komunal në Istog, Kati III, ora 11:00) 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 13:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Termokis, ora 20:00)