04 Korrik 2020

KOMF bën thirrje që urgjentisht të zbatohet Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve

Prishtinë, 31 maj - Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve - 1 Qershorit, KOMF i bën thirrje Qeverisë dhe komunave të marrin me urgjencë të gjitha masat e nevojshme për fillimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili do të hyjë në fuqi në muajin Korrik 2020.

Ky duhet të jetë prioritet absolut i të gjithë sektorëve në nivel qendror dhe komunal, duke pasur parasysh gjendjen e rënduar të fëmijëve edhe si pasojë e pandemisë Covid-19.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve këtë vit i gjen fëmijët në një gjendje akoma më të rënduar, si pasojë e pandemisë Covid-19, ku shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime dhe mbrojtje.

Periudha e zgjatur e izolimit, kushtet e rënda të jetesës dhe vështirësitë financiare kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe në përgjithësi rritjen e dhunës në familje.

Përveç kësaj, gjendja e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe e prindërve të tyre është rënduar edhe më shumë gjatë pandemisë. Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbimet esenciale sociale, shëndetësore e rehabilituese, si edhe pa mbështetjen e nevojshme psikologjike.

Kriza dhe masat e izolimit kanë ndikuar në përkeqësimin e shëndetit mendor, prandaj mbështetja profesionale ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve të tyre është e rëndësishme dhe e domosdoshme. Fëmijët e përfshirë në punë të rënda, edhe gjatë pandemisë po vazhdojnë të jenë në rrezik për jetën, shëndetin dhe po ekspozohen ndaj abuzimit, shfrytëzimit seksual dhe trafikimit.

Edhe pse mbrojtja e të drejtave të fëmijëve garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, fëmijët nuk janë trajtuar me prioritet nga qeveritë e deritanishme qendrore e lokale, qoftë në zbatim të politikave, legjislacionit, ndarje të buxhetit apo ofrim të shërbimeve.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve është aprovuar me datë 27 Qershor 2019, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe parashihet të hyjë në fuqi në muajin Korrik 2020. Prandaj kjo thirrje i drejtohet Qeverisë dhe Komunave, për të marrë me urgjencë masat për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe zhvillimin e fëmijës.

 Ky ligj ka për qëllim të sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës, si edhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës.

Fëmijët përbëjnë 30% të popullsisë së Kosovës, prandaj Qeveria dhe komunat duhet të investojnë në këtë potencial për të krijuar një shoqëri të shëndoshë dhe një fuqi punëtore e cila në të ardhmen do mund të kontribuojë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit. Investimi në fëmijë është i domosdoshëm për Kosovën e cila proklamon mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

KOMF poashtu njofton që përgjatë gjithë javës, duke filluar nga nesër 1 Qershor, do të zhvillojë aktivitete në vazhdimësi për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Korrik 2020

- Shoqata "Miqtë e Amerikës", do të organizojë aktivitet në nderim të 4 korrikut - Dita e Pavarësisë së SHBA ku aktiviteti fillon me pastrimin e sheshit Bill Clinton nga zjarrfikësat e Prishtinës. (Sheshit Bill Clinton, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi do të bëjë shenjëzimin e shtigjeve të biçikletave në hyrje të Fushë-Kosovës, te rrethi i kazermës “Adem Jashari”, bashkë me grupin e çiklistëve “Marakli t’biçikletave”. (Parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)

- Në nderim të 4 korrikut - Dita e Pavarësisë së SHBA pjestarët e Qendrës së Mjekësisë Urgjente të Prishtinë do ta ngrisin flamurin. (Sheshi Bill Clinton, ora 11:00)
 
- Kryeministri merr pjesë në fillmin e fushatë së korrje shirjeve në Kosovë. (Zona Industriale në fshatin Shirokë, Komuna e Suharekës, ora 14:00)