20 Shkurt 2020

KFOR-i miraton kritere të reja për “Shpatën e argjentë 2020”

Prishtinë, 23 janar - Takimi për politikat e ushtrimit për ndihmë në rast fatkeqësie ‘Shpata e Argjendtë 2020’ (Silver Sabre 2020) u zhvillua sot në Prishtinë, në shtabin qendror të Forcës së Kosovës të udhëhequr nga NATO (KFOR). Ushtrimi është planifikuar për në shtator të vitit 2020.

Në mbledhjen e sotme morën pjesë Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe përfaqësues të niveleve të larta të Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtorisë së Inteligjencës dhe Sigurisë, Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Forcave të Sigurisë, së bashku me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral major Michele Risi dhe Drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, Gjeneral brigade Michael Oberneyer.

“Për KFOR-in, objektivi për ‘Shpatën e Argjendtë 2020’ është të trajnojë, këshillojë dhe udhëzojë institucionet e sigurisë në Kosovë, duke ua bërë të mundur që ata të hartojnë, planifikojnë dhe kryejnë një operacion për reagim ndaj fatkeqësive në Kosovë, bazuar në standardet e NATO-s,” tha Gjeneral majori Risi.

Një nga karakteristikat kryesore të ushtrimit të përbashkët do të jetë “ndërveprimi”. Duke pasur parasysh kompleksitetin e menaxhimit të krizës, çelësi i suksesit është aftësia për të punuar së bashku për t’u bërë funksionalisht ndërveprues, duke adoptuar një mirëkuptim dhe një gjuhë të përbashkët midis partnerëve.

Krahasuar me ushtrimet e mëparshme, ‘Shpata e argjendtë 2020’ do të kryhet në një nivel më të lartë integrimi dhe kompleksiteti. Ushtrimi do të drejtohet nga Gjeneral brigade Laurent Michaud, Zëvendës Komandant i KFOR-it.

Gjysma e parë e vitit do të përqendrohet në procedurat e planifikimit përmes një metode të standardizuar të përdorur nga shumica e organizatave ndërkombëtare.

‘Shpata e argjendtë’ pasqyron misionin e gjatë të KFOR-it - nën mandatin e OKB - për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 shkurt 2020 - Behën homazhe në nderim te jetës dhe veprës së heroit, Selman Vojvoda. (Varri i heroit, në Llaushë të Skenderajt, ora 9:00)

- Mbahet takimi me Misionin e Komisionit Evropian për Vlerësimin e Programit për Reforma në Ekonomi dhe diskutimin mbi rekomandimet e politikave. (ndërtesa e Qeverisë salla P38,  ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovë do të mbaj seminar me tatimpaguesit e regjionit të  Prishtinës ku prezent do të jetë edhe Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Bëhet konstituimi i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 204, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova do ta pres në takim ambasadorin bullgar në Kosovë. (Zyra e Kretarit Haziri, ora 11:00)

- Komuna e Rahovecit mban diskutimi publik lidhur me Draft Planin Komunal të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë dhe Planin Lokal për Veprim në Mjedis. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 11:00)

- Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani marrin pjesë në manifestimin “ 31-vjetori i Grevës së Minatorëve të Trepçës”. (Miniera e Trepçës në Stantërg, ora 11:00)

- Bëhet konstituimi i Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri dhe Investime Strategjike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e dorëzimit te donacionit për qerdhën “Gëzimi Ynë” në Istog nga Ambasada e Bullgarisë. (Qerdhja “Gëzimi Ynë” në Istog, ora 11:30)

- Mbahet ceremonia e promvimit të librit" Obstetrika",  të Prof. dr. Shefqet Lulaj. (Bibloteka Kombëtare "Pjetër Bogdani", ora 12:00)

- Mbahet akademi përkujtimore për dëshmorin e Kosovës, Selman Vojvoda, në 30 vjetorin e rënies së tij. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu do të pres në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, z Philip Kosnett. (objekti kryesor i MPBAP-së, ora 13:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të mbajë konferencë për media. (Objekti I Ministrisë, ora 13:00)

- Promovohet revista “Intro”, që është produkt i punës së studentëve të vitit të tretë të Departamentit të Gazetarisë, në kuadër të lëndës "Menaxhim i medias". (Amfiteatri i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ora 14:00)

- Komuna e Mitrovicës mban debat publik lidhur me rregulloren për realizimin e të drejtave të fëmijëve përmes sistemit qeverisës komunal miqësor për fëmijët. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës të Mitrovicës, ora 14:00)

- Zhvillohet ndeshja basketbolliste mes Kosovës dhe Islandës. (Pallati i Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ora 19:00)