03 Tetor 2022

KFOR-i i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë

Bruksel, 17 gusht - Në Selinë Qendore të NATO-s, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u prit në takim nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Takimi u pasua me një konferencë të përbashkët të Kryeministrit Kurti dhe Sekretarit Stoltenberg.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen më të lartë për NATO-n, për kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë, rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar gjatë luftës dhe sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë.

Kosova ka treguar përkushtimin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e parimeve dhe vlerave të përbashkëta, si dhe përkushtimin e saj për të kontribuar në sigurinë dhe paqen, jo vetëm në rajon por edhe në botë, tha Kryeministri Kurti.

Ai tha se kërcënimet, rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet NATO në mjedisin aktual të sigurisë ndjehen edhe nga vendi ynë.

Institucionet dhe qytetarët e Kosovës, në situatën aktuale, kanë arsye të jenë vigjilentë ndaj qasjes destruktive të fqinjit tonë verior ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi, nën agjendën e dëmshme të Rusisë për Evropën dhe Ballkanin, shtoi kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim ekonomik, mirëqenie të qytetarëve tanë, demokraci, të drejta të njeriut dhe të pakicave, sigurinë, sundimin e ligjit dhe kushtetutshmërinë.

Sekretari i Përgjithshëm përsëriti përkushtimin e plotë të NATO-s për misionin dhe mandatin e saj paqeruajtës në Kosovë.

Stoltenberg tha se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.

Në këtë takim, morën pjesë edhe Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministër i Parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Ambasadori Agron Bajrami, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, dhe Ambasadori Astrit Zemaj, Përfaqësues për Marrëdhëniet me NATO-n, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel.​


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)