24 Maj 2019

Këshilli Prokurorial i përkushtuar për luftimin e dhunës në baza gjinore

Prishtinë, 13 maj – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial (KPK), Bahri Hyseni, ka pritur në takim përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Adelina Berisha, e cila është Koordinatore për avokim kundër dhunës ndaj gruas dhe Klarista Fetahun, Koordinatore e Projektit “UNWoman”.

Me këtë rast, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka theksuar nevojën e fuqizimit të bashkëpunimit me Rrjetin e Grave të Kosovës në kuadër të iniciativave dhe evenimenteve të ndryshme vjetore, të cilat organizohen nga të dyja palët, të cilat do të ndikonin drejtpërsëdrejti në avancimin dhe fuqizimin e rolit të institucioneve në luftimin e dhunës në familje dhe cenimin e barazisë gjinore në Kosovë. “Bashkëpunimi me Rrjetin e Grave të Kosovës do të vazhdojë në të ardhmen me dinamikën e evidentuar në aktet strategjike, sidomos pas ndryshimeve ligjore, ngaqë sistemi prokurorial do të ketë një përkushtim të veçantë në luftimin e çfarëdo forme të shprehur të dhunës ndaj grave dhe rasteve të dhunës në baza gjinore në Kosovë”, ka thënë Kryesuesi Hyseni.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e RrGK-së, Adelina Berisha, ka njoftuar Kryesuesin e KPK-së, Bahri Hyseni, për publikimin e një hulumtimi të veçantë, i cili është nxjerrë me rastin e monitorimit të reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore, me titull: “Nga Fjalët në vepra?”, duke kërkuar njëherësh që Këshilli të dërgojë një prokuror në ekspozitën “Përmirësimi i qasjes në shërbimet për gratë”, e cila pritet të mbahet brenda këtij muaji,  për t’iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, si dhe që kjo ekspozitë të hapet në secilën prokurori të vendit.

Kjo ekspozitë ka për qëllim të promovojë rolin e institucioneve në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe raportimit të dhunës në baza gjinore.

Të dyja palët u pajtuan që të punojnë së bashku në çështjet e ndërsjella, me ç’rast do të dalë në pah raportimi i rregullt ndërinstitucional i dhunës ndaj gruas dhe rasteve të dhunës në baza gjinore.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2019 - Nisin punimet për rregullimin e rrugës kryesoret të qytetit të Deçanit Rrugës së  Qendrës konkretisht rrugës 'Luan Haradinaj' dhe 'Dëshmoret e Kombit'. (Në afërsi të pikës së karburantit Agonisi Gas në Carrabreg, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit të Auditimit për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike për vitin 2017. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të rrugës së qytetit të Deçanit. (Sheshi i qytetit në Deçan, ora 10:00)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike i USAID-it në Kosovë, Brian Martalus, do të mbajë një fjalim në hapjen e Konferencës Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa - B2B. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- “Let’s Do It” mban aksion pastrimi në disa fshatra të Hasit, me moton “Për një Has të pastër”. (Fshati Gjonaj tek Ura e Drinit të Bardhë, ora 10:00)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it Lisa Magno do të flasë me rastin e prezantimit të gjashtë video udhëzuesve për e-prokurim. (Hoteli Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor në të cilën do të behët shqyrtimi i kërkesës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike për pjesëmarrje në Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. (Kompleksi Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të shënojnë së bashku Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim me një konferencë shtypi. (Ambientet e UNDP-së, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Fshatin Kodrali. (Fshati Kodrali, ora 11:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Abdullah Tahiri. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 12:00)

- Prokuroria Themelore e Pejës organizon konferencën për media ku temë diskutimi do jetë ngritja e dhjetëra aktakuzave për rastin e njohur në opinionin publik si “veteranët e rrejshëm”. (Objekti i Prokurorisë Themelore të Pejës, rruga “Hasan Cermaxhija”. ora 12:00)

- 44 nxënës nga klasa 7 deri në klasën 9, nga të gjitha regjionet e Kosovës do të takohen për të garuar në finalen e garës së tretë vjetore të gërmëzimit.  (Biblioteka kombëtare, ora 13:15)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes  së çmimeve “Nikete Dardani”. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, ora 13:30)

- Organizuar nga Ministria e Diaspores dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbahet konferenca ekonomike e diasporës shqiptare nga Evropa më B2B. (Hotel Emerald, ora 20:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Konferencën Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa, organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare. (Hotel Emerald, ora 20:00)