09 Shkurt 2023

Këshilli për Demokraci përgatitë veprimet emergjente kundër femicidit

Prishtinë, 2 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas rasteve të fundit të vrasjeve të grave dhe dhunës në familje ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm me Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, në të cilin kanë marrë pjesë krerët e institucioneve të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile, por jo edhe ata të institucioneve të drejtësisë, të cilët ishin të ftuar.

Në fjalën hyrëse, Presidentja Osmani, e ka cilësuar epidemi vrasjen e vajzave dhe grave, ndaj ka potencuar se shteti ka detyrim ligjor ndaj qytetarëve që t`i ndërmarr të gjitha veprimet e mundshme për t’u përballur më dukurinë e femicidit.

Presidentja ka kritikuar mospjesëmarrjen në takim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe Këshillit Prokurorial, duke e cilësuar bojkotin e tyre në këtë takim si një bojkot ndaj shtetit dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut.

Sipas Presidentes, shumica dërmuese e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë, ku gratë u bënë viktima të bashkëshortëve dhe partnerëve të tyre e me raste edhe të baballarëve,  mund të parandaloheshin. “Në secilin nga këto raste dështoi të paktën një hallkë e sistemit”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka shpalosur disa statistika në raport me veprimet e institucioneve të drejtësisë në rastet e dhunës seksuale.

Në këtë kontekst, ka kërkuar përgjegjësi nga mekanizmat kompetent.

“Përgjegjësia për secilën nga këto vepra padyshim se bie mbi kryesin e veprës. Por, secili nga këto raste kërkon përgjegjësi të shtuar edhe nga mekanizmat kompetent të cilët janë të obliguar të sigurojnë mbrojtje adekuate për viktimën”, është shprehur Presidentja Osmani.

Të gjitha institucionet prezente dhe anëtarët e shoqërisë civile kanë dhënë rekomandime konkrete të cilat do të publikohen në ditët në vijim në formë të platformës ndërinstitucionale për luftimin e femicidit dhe dhunës në familje.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 shkurt 2023

- Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KGJK-së, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Podujevës, ku do të pritet nga kryetari Shpejtim Bulliqi. (Podujevë, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, do të përurojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gllamnik. (Fshati Gllamnik, Podujevë, ora 11:00)  

- Komuna e Prizrenit nënshkruan Agjendën e Kontratës Sociale për Prizrenin, që është zotim i përbashkët i Komunës dhe qytetarëve për përmirësimin e komunikimit, bashkëpunimit dhe veprimeve kolektive. (Këndi Amerikan në Prizren, ora 11:00)

- Federata e Boksit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Laureatët e viti 2022”. (Hotel Sirius, ora 17:00)