18 Prill 2024

Kërkohet zgjidhje për stacionin jugor të policisë në Mitrovicë

Mitrovicë, 12 mars - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ylber Durmishi, ka pritur të premten në takim

drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti me bashkëpunëtorë, me të cilin ka biseduar për mundësinë  gjetjes së një zgjidhje për sistemimin e personelit të stacionit jugor të policisë, pasi objekti që kanë shfrytëzuar deri me tani është dëmtuar nga tërmeti.

 

Drejtori Sheremeti, ka theksuar se objekti që është shfrytëzuar nga personeli i stacionit jugor të policisë, ka qenë shumë i vjetër, ndërsa tani pas tërmetit është bërë i pashfrytëzueshëm, andaj është nevojë urgjente që të bëhet një zgjidhje e përkohshme derisa të gjendet një hapësirë për ndërtimin e objektit për stacion policie.

Në anën tjetër, komandanti i këtij stacioni policor, kap. Bashkim Spahiu, ka sqaruar se prej ditës që ka ndodhur tërmeti, me ç’rast ka dëmtuar objektin, për çka edhe ekspertët kanë vlerësuar se paraqet rrezik dhe nuk është i sigurt për qëndrim në të, i gjithë personeli është duke shfrytëzuar dy kontejnerë.

Ai theksoi se në këtë gjendje është shumë problem funksionimi normal, meqë ky stacion numëron 167 pjesëtarë të uniformuar  dhe 11 civilë, të cilët nuk mund të kryejnë detyrat e tyre në kushtet që kanë tani.

Në anën tjetër, kryetari Kastrati, ka vlerësuar se ky është një problem që duhet të zgjidhet bashkërisht, meqë funksionimi normal i policisë është në interes të të gjithë qytetarëve të komunës dhe vet institucioneve. “Ne bashkërisht do të shqyrtojmë të gjitha mundësitë që ka komuna në mënyrë që të gjendet një hapësirë për sistemimin e pjesëtarëve të këtij stacioni policor”.

Të dy palët janë pajtuar që në fillim të javës së ardhshme një ekip ekspertësh nga Policia e Kosovës, të shqyrtoj mundësinë për t’u vendosur në një hapësirë që është shfrytëzuar më herët nga KFOR-i në aneksin e qendrës së kulturës “Rexhep Mitrovica”, derisa të bëhet një zgjidhje tjetër.

Ndërsa sa i përket nevojës për të gjetur një hapësirë për ndërtimin e një objekti për stacion të ri policor në jug të qytetit, kryetari Kastrati, ka thënë se kjo çështje do të kryhet brenda një periudhe shumë të shkurtër. “Ne do të dalim me disa propozime sa i përket hapësirave të mundshme për ndërtim të objektit për stacion policor, ndërsa më pas do të vendosim në konsultim me ekspertët e Policisë së Kosovës, në mënyrë që të gjendet një vend sa më adekuat”.

Drejtori i PK, Sheremet Ahmeti, ka thënë se dy herë janë humbur fondet për ndërtimin e objektit policor në Mitrovicë, për shkak të një kontesti pronësor që kishte dalur për një lokacion që ishte caktuar më herët nga komuna. “Problemi me hapësira për policinë në Mitrovicë vazhdon prej përfundimit të luftës, për shkak të rrethanave të njohura. Në jug të qytetit, përveç stacionit jugor që nuk ka objekt të vetin, gjendje të njëjtë vazhdon të ketë edhe komanda rajonale e policisë”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)