15 Nëntor 2019

Kallëzim penal ndaj 22 policëve për dëbimin e shtetasve turq

Prishtinë, 15 gusht - Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar 22 kallëzime penale nga Inspektorati Policor i Kosovës ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova para më shumë se një viti. Ky rast njihet ndryshe edhe si rasti “Gylenistët.

"Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kallëzim penal nga IPK-ja ndaj 22 të pandehurve, ndërsa jemi duke intervistuar edhe të pandehur të tjerë në lidhje me ketë rast”, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ekrem Lutfiu, zyrtar për media nga Prokurorinë e Shtetit.

Kurse, Inspektorati i Policisë së Kosovës lidhur me kallëzimet penale që ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nuk ka dhënë detaje se për çfarë profile të policisë së Kosovës bëhet fjalë në këto kallëzime penale, por se në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë sqaron se "Inspektorati lidhur me ketë rastin ka vepruar duke u bazuar në autorizimet ligjore dhe autorizimet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës".

"Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve, lidhur me rastin e dëbimit të shtetasve turq nga Republika e Kosovës për në Turqi, bazuar në autorizimet ligjore dhe autorizimet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe pas këtyre veprimeve kanë dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës", thuhet pos tjerash në përgjigje.

Anëtari i Komisionit Hetimor Parlamentar në Kuvendin e Kosovës për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, Sami Kurteshi, tha për Radion Evropa e Lirë se i gjithë procesi i lidhur me rastin e njohur si "Gylenistët" duhet të shkojë deri në fund dhe të zbardhet si rast.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që mekanizmat e drejtësisë të merren seriozisht me rastin.

"Unë mendoj se ky nuk është proces që mund të lihet pa shkuar deri në fund. Ne kemi ligj, kemi Kushtetutë e kemi një Kod Penal dhe i kemi të gjitha normat për aq sa janë dhe duhet të zbatohen deri në fund. Ky nuk ka qenë një veprim krejt i thjeshtë dhe ky rast duhet të shkojë deri në fund dhe nëse nuk shkon tash, duhet të shkojë pas një kohe, por kjo vepër nuk vjetrohet", tha Kurteshi.

Në mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, autoritetet kosovare patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen.

Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016.

Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ashpra nga shtetet perëndimore, por edhe vetë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që pati deklaruar se nuk ishte në dijeni të këtij operacioni.

Më 28 qershor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq.

Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës, për rastin e dëbimit të shtetasve turq, ka identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq. Komisioni ka gjetur shkelje në secilën fazë, që nga revokimi i lejeve të qëndrimit për 6 shtetasit turq e deri te largimi i tyre nga Kosova.

Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të këtij Komisioni, ishin bërë nga dy agjencitë kryesore të sigurisë në Kosovë, përkatësisht Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas dëbimit të shtetasve turq, kishte pranuar dorëheqjet e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj si dhe drejtorit të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës, Driton Gashi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 nëntor 2019  - Klinika e Neonatologjisë dhe Shoqata e Neonatologëve të Kosovës, organizojnë Konferencën e I-rë nderkombëtare. (Hotel Garden, ora 9:00)

- Policia e Kosovës në shënim të ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve , do të mbaj tryezë për shënimin e kësaj dite. (Salla Orion në Prishtinë në afërsi të Kino ABC, ora 9:30)

- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon tryezën dhe punëtorinë me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, mbështetur nga Projekti HERAS i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale mban punëtorinë lidhur me “Udhëzuesin për miradministrimin e aktiviteteve minerare dhe mjedisore. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes projektit Interdev 2, organizon një panair me shoqatat e grave prodhuese për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sipërmarrësisë së Grave. (Qendra Kulturore në Viti, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e dytë 2019. (Kazerma 'Adem Jashari' në Komandën e Forcave Tokësore në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuniteti artistik organizon takim përkujtimor për regjisoren Arzana Kraja. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizon ceremoninë e hapjes të minibibliotekës së lagjes Ulpiana. (Te fontana në lagjen Ulpiana, ora 12:00)

- Kryetarja e KQZ-së dhe anëtarët, presin në takim deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, anëtarë të Komisionit të Reformës Zgjedhore: znj. Rudina Hajdari, Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni. (Selia e KQZ-se, ora 12:00)

- Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, do të nënshkruajë gjashtë Udhëzime Administrative që avancojne fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës. (Zyret e Agjencisë Kadastrale të Kosoves, ndërtesa e Arkivit të Kosovës, ora 14:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti nga muaji korrik deri në muajin tetor për Gjykatën Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 14:30)

- Mbahet marsh përkujtimor në këmbë nga Lagja Arbëria, rrugës Fehmi Agani deri te Teatri Kombëtar ku do të bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. (Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, ora 18:00)

- Mbahet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizn hapjen e ekspozitës individuale të autores Lumjetë Havolli, e titulluar "Is This Me...Or i Do it For You Only!?". (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social feston hapjen e Linjës telefonike për parandalim të vetëvrasjes "Linja e Jetës" në Kosovë! (Menza Ramiz Sadiku, ora 21:00)