20 Prill 2024

Italia do të mbështesë perspektivën euro-atlantike të Kosovës

Prishtinë, 23 qershor - Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, priti sot në takim zyrtar, ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë Nicola Orlando. 

Me këtë rast, ministri Quni falënderoi ambasadorin Orlando, për vizitën e tij dhe shprehu mirënjohjen për Republikën e Italisë, si vend mik, në mbështetjen e ofruar vendit tonë deri më tani në të gjitha fushat, duke theksuar rolin e saj në ndërtimin dhe arritjet e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Ai shprehu mirënjohjen e lartë për kontributin e madh në sigurinë e përgjithshme me kontingjentin ushtarak italian në kuadër të KFOR-it të udhëhequr me sukses nga gjeneralët e shumtë italian duke theksuar edhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me komandantin aktual të KFOR-it gjeneral major Michele Risi.

Ministri Quni, theksoi rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimit bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes të Italisë dhe Forcat e Armatosura të saj, duke pasur parasysh përvojën e madhe italiane në procesin e integrimeve euroatlantike dhe forcave ushtarake italiane në ngritjen dhe zhvillimin e operacionalitetit ushtarak përgjithësi. E gjitha kjo me fokus në ngritjen e forcave për pjesëmarrje cilësore në operacione paqeruajtëse.

"Pjesëmarrja në operacione paqeruajtëse është ndër detyrat kryesore ligjore të FSK-së, andaj edhe synim yni është zhvillimi i aftësive dhe kapaciteteve operacionale kompatibile dhe të ndërveprueshme me forcat e vendeve partnere dhe anëtare të NATO-s. Ky synim do të kurorëzohet me ofrimin e mundësisë për ofrimin e kontributit tonë në kuadër të forcave shumëkombëshe për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe më gjerë“ tha ai.

Nga ana e tij, ambasadori Orlando, uroi ministrin Quni, për detyrën e ministrit të mbrojtjes duke konfirmuar angazhimin e Italisë në stabilitetin e rajonit përmes KFOR-it. Ambasadori shprehu interesin e tij për vizionin e ministrit mbi të ardhmën e sigurisë së Kosovës, duke përfshirë edhe nismat e qeverisë së re.

Në përmbyllje të takimit, ambasadori Orlando, siguroi se Republika e Italisë do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive perspektivën euro-atlantike të Kosovës duke theksuar se do të mbajë kontakte të ngushta me ministrin Quni lidhur me këtë.

Në delegacionin pritës të ministrit Quni, ambasadori Orlando, shoqërohej nga këshilltari në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Vincenzo Stella.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)