02 Mars 2021

Institucionet e Sigurisë vazhdojnë të kenë besim më të lartë se Institucione tjera

Prishtinë, 24 nëntor - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar Edicionin e dhjetë të Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS).

Barometri Kosovar i Sigurisë është një mjet i QKSS-së përmes të cilit maten perceptimet publike në Kosovë në lidhje me besimin e qytetarëve në institucione dhe çështje të ndryshme që lidhen me sigurinë.

Në edicionin e tij të dhjetë, BKS-ja ka marrë një shtrirje rajonale dhe është zhvilluar paralelisht në Kosovë dhe Serbi duke shënuar edicionin e parë të Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP).

Edicioni i BKS, raporti për Kosovën, përbëhet nga tre kapituj. Kapitulli i parë paraqet përceptimet e qytetarëve lidhur me besueshmërinë në institucionet e sigurisë, drejtësisë, si dhe në institucione e nivelit qendror dhe lokal.

Në anën tjetër, kapitulli i dytë interpreton perceptimet e qytetarëve lidhur me korrupsionin në këto institucione. Së fundmi, në kapitullin e tretë reflektojnë të gjeturat e raportit për kontaktin e drejtëpërdrejtë të qytetarëve me këto institucione në 12 muaj e fundit.

Teksa në kapitujt e lartpërmendur ky raport ofron një pasqyrë të përgjithshme të perceptimeve të qytetarëve, ai gjithashtu paraqet zbërthimin e të dhënave sipas gjinisë, rajonit, zonës (urbane/rurale), moshës (18-35/36+) dhe përkatësisë etnike të të anketuarve. Për më tepër, raporti ofron analiza shtesë për arsyet pse ekzistojnë perceptime të tilla të qytetarëve në lidhje me çështjet e paraqitura në raport.  

Gjetjet kyçe të edicionit të dhjetë të BKS-së janë si më poshtë:

Të anketuarit e Barometrit Kosovar të Sigurisë vazhdojnë të kenë besim më të lartë në Institucionet e Sigurisë krahasuar me Institucionet Qendrore dhe të Drejtësisë;

Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besuar, me 81 për qind të të anketuarve që kanë besim ose besim të plotë në të;

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës janë institucionet e sigurisë më pak të besuara;

Në përgjithësi, institucionet e Sigurisë perceptohen si më pak të korruptuara nga qytetarët, krahasuar me institucionet e Drejtësisë dhe Qendrore;

Institucionet e Drejtësisë, përkatësisht Gjykatat dhe Prokuroria, vazhdojnë të perceptohen si të korruptuara. Mbi 40 për qind e të anketuarve besojnë se këto institucione janë të korruptuara ose shumë të korruptuara;

Qeveria e Kosovës konsiderohet institucioni më i korruptuar, me 72 për qind të të anketuarve që deklarojnë se Qeveria është e korruptuar ose shumë e korruptuar;

Në përgjithësi, qytetarët kanë kontakt të drejtpërdrejt të ulët me institucionet në Kosovë;

Komunat janë institucionet me të cilat qytetarët kanë pasur më së shumti kontakt të drejtpërdrejtë në 12 muajt e fundit;

Qeveria është institucioni me të cilin qytetarët kanë pasur më së paku kontakt të drejtpërdrejtë në 12 muajt e fundit;

Ky raport është publikuar në kuadër të projektit rajonal “Barometri i sigurisë në Ballkanin Perëndimor -  promovimi i llogaridhënies në Institucionet e Sigurisë dhe Drejtësisë” i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).

Pikëpamjet e shprehura në këtë raport janë perceptime të të anketuarve dhe nuk përfaqësojnë doemos mendimet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë ose Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë. Opinionet e shprehura në këtë raport nuk i paraqesin doemos ato të National Endowment for Democracy (NED)

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Mars 2021

- U.d. Presidentja Vjosa Osmani pret në takim të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. (Kabineti i Presidentes, ora 8:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj pret në takim përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak. (Zyret e Selisë Qendrore të PDK-së, ora 9:50 - mediat të marrin pamje nga ky takim)

- Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe USAID në Kosovë, lansojnë dy module të reja të prokurimit elektronik. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

-  Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve mbajnë konferencë për media, me ç’rast do të bëhet dorëzimi i përgjigjes në padinë e ngritur nga kompania KelKos Energy Sh.p.k ndaj aktivistes Shpresa Loshaj.  (Para objektit të Gjykatës Themelore, dega Deçan, ora 11:00)  

- Naša Inicijativa organizon protestë paqësore kundër uzurpimit të vendeve të garantuara në parlament si pasojë e një procesi jodemokratik zgjedhor dhe të kompromentuar nga manipulime në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021. (Pikënisja e protestës fillon nga Hotel Grandi, ora 12:00)