28 Mars 2024

Institucionet e sigurisë së Kosovës janë në nivel të përgjegjësisë

Prishtinë, 5 korrik - Këshilli i Sigurisë së Kosovës, sot ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme të cilën e ka ftuar dhe udhëhequr kryeministri Ramush Haradinaj, në të cilën është diskutuar për presionet dhe shantazhet që është duke i bërë Beogradi ndaj pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb si dhe për  gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend.

Kryeministri pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës në një konferencë për gazetarë, përkitazi me këtë temë ka thënë se sulmet dhe shantazhet e Beogradit ndaj pjesëtarëve serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë bërë që këta të fundit, të kërkojnë lirim nga shërbimi në FSK.

“Raportohet edhe në media, për sulme me armë dhe mjete shpërthyese që e rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të serb të FSK-së. Këto në të kaluarën kanë ndodhur në veri, pastaj është raportuar edhe për kërcënime të tjera, por së fundi ka rezultuar me kërkesën për lirim të FSK-së nga një numër i pjesëtarëve serbë, nga një rajon i Kosovës, që nuk është veriu në këtë rast”, tha kryeministri Haradinaj duke shtuar se shumica e tyre në deklarimet e motiveve për lirim paraqesin presionin direkt të ushtruar nga autoritetet e Beogradit zyrtar.

Më tej kryeministri Haradinaj tha se presionet janë të natyrave të ndryshme qoftë gjatë udhëtimeve në Serbi, ndalimi dhe marrja në pyetje, kërcënimet për jetën dhe për familjet e tyre e deri të instrumentet tjera që janë përdorur, përfshirë edhe mekanizmat tjerë të institucioneve paralele që operojnë në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj tha se kjo situatë nuk ndikon në situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe se institucionet e sigurisë së Kosovës janë në nivel të përgjegjësisë.

I pyetur nga gazetarët nëse sulmet tek pjesëtarët e komunitetit serb lidhen me paralajmërimin nga ana e serbëve që nuk pranojnë që në të ardhmen të jenë pjesë e FSK-së pas shndërrimit në ushtri, Kryeministri Haradinaj tha se vite më herët ka pasur një qasje nga Beogradi zyrtar që serbët e Kosovës nuk duhet të marrin fare pjesë në institucionet e Kosovës.

“Sot serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë në Kosovë dhe marrin pjesë në jetën politike, institucionale, qeverisëse dhe shoqërore në vend. Ky presion i tillë është i pakuptimtë, të cilit i ka dalë koha, sepse këto metoda kanë ndodhur para 10 vjetësh dhe jemi të habitur nga kjo qasje e tillë, e padrejtë”, tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se me këto veprime, dikush po ushtron krim ndaj këtyre qytetarëve të Kosovës, të rinjve, të rejave dhe familjeve të tyre. “Është kundër konventave, kundër të drejtave të njeriut, është kundër jetës së sigurisë së këtyre qytetarëve dhe ne si Kosovë kemi vepruar me kohë, kemi ndërmarrë me kohë ato veprime, si në planin e brendshëm edhe të jashtëm, që të sqarohet ky veprim i papranueshëm i tillë”, tha kryeministri Haradinaj.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)