28 Mars 2024

Ilir Konushevci e Hazir Mala, planifikues të rrugës deri te liria

Tiranë, 9 maj - “Fakti se mblidhemi në Tiranë në një akademi për të përkujtuar Ilir Konushevcin e Hazir Malën, na tregon se bëhet fjalë për një situatë të veçantë, për një rrethanë të veçantë për njerëz të veçantë. Nuk janë të vetmit këta dy luftëtarë shqiptarë andej e këndej kufirit që kanë qenë dhe kanë luftuar bashkë, por është rënia e tyre, një rënie e veçantë, pra ata ranë duke afruar luftën aty ku ndodhte. Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Akademinë Përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së Dëshmorëve të Kombit, Gjeneral Major Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Mala, që u mbajt në Tiranë nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin drejtues të lartë të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ministra, zëvendësministra, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, familjarë e bashkëluftëtarë të dëshmorëve Ilir Konushevci e Hazir Mala dhe qytetarë nga Kosova e Shqipëria.

“Ilir ishte një djalë shqiptar, i cili vizionin për liri nuk e kishte kopje të askujt, por të vetën, të familjes dhe e kishte të thellë, jo sipërfaqësor. Ky vizion për liri buronte nga ai, e kishte kultivuar dhe ndërtuar deri në veprime që na qojnë te liria. Dikush që lirinë e ka ndjerë, e ka pasur në vete, e ka përcaktuar si qëllim të tij, por jo vetëm kaq, ai vetë ishte krijues i shumë veprimeve deri te liria”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se Iliri ishte idealist i lirisë, i cili pastaj kishte kaluar në etapën tjetër, planifikim dhe zbatim.

“Iliri, përveç përcaktimit për liri, ishte planifikues i gjithë rrugës tonë deri te liria, rrugë e përpjekjeve dhe veprimeve luftarake, e organizimeve luftarake, politike, e njerëzore, dhe njëkohësisht zbatim. Pjesa e zbatimit ishte jo e lehtë, për shkak se për t’u bërë bashkë të gjitha këto komponente deri te liria, nuk ishte projekt i thjeshtë”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se në këto përpjekje të Ilirit më së paku ishte e pranishme frika nga vdekja.  

Më pas kryeministri tha se gjatë takimeve me Ilirin ka hetuar te ai një guxim për të mos parë pamje të pjesshme, por të sheh totalin dhe të mos e lejojë vetën që të bëhet pjesë e organizimeve më të ngushta.

Kryeministri Haradinaj, foli edhe për takimin e tij me Hazir Malën, duke thënë se Haziri nuk ishte vetëm një djalë që nga emocionet iu bashkua UÇK-së, por ishte një intelektual, një djalë i një familje intelektuale.

“Familja e Haziri Malës dhe vetë Haziri ishte bazë e fuqishme, e respektuar për UÇK-në. Nuk ka mision më të mirë, nuk ka qëllim më të drejtë dhe vlerë më sublime sesa ecja deri në liri për popullin tënd, për fëmijët, nënat, pleqtë, për të gjithë ata që ishin të pambrojtur në Kosovë, për të gjithë ata që edhe bota më e civilizuar u detyrua të lëviz”, tha kryeministri Haradinaj.

Para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj tha se me angazhimin e NATO-s e gjithë bota e civilizuar u angazhua të veprojë në rrugën në të cilën ishte Iliri e Haziri.
 
“Rruga jonë deri në lirinë e plotë nuk është e lehtë, nuk ka qenë as atëherë e thjeshtë, edhe atëherë ka pasur mjegull, do të ketë mjegull edhe tash e në të ardhmen, por në momentet kyçe do të vërtetohet se kush sa ka bërë në rrugën e plotë të lirisë. Kontributi në rrugën për liri nuk do t’i humb askujt kurrë, të tjerët do t’i harroj edhe historia edhe koha”, tha kryeministri Haradinaj.

Përkitazi me këtë, kryeministri tha se Evropa tani duhet t’i hap negociatat për Shqipërinë, ndërsa popullit të Kosovës duhet t’i jap liberalizimin e vizave.

“Si ka mundësi Evropa të jetë e lirë nëse një popull më i vjetri në këtë kontinent, shqiptarët, nuk është i lirë”, theksoi kryeministri, duke shtuar se do të punojmë për ato vlera për të cilat kanë vdekur njerëzit tanë më të mirë.  

Në emër të institucioneve të Shqipërisë, për figurën dhe veprën e lavdishme të Dëshmorëve të Kombit, Ilir Konushevci e Hazir Mala, foli zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i cili tha se askush nuk na e ndal që dëshmorët e Kosovës t’i konsiderojmë dëshmorë të Shqipërisë, dhe anasjelltas.

Në emër të bashkëluftëtarëve, foli ish-Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, në emër të shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari, ndërsa të pranishmit në emër të familjeve Konushevci dhe Mala, i falënderoi Arton Konushevci, vëllai i deshmorit Ilir Konushevci. 

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)