28 Mars 2024

GSBG bën thirrje për veprime për të reaguar ndaj dhunës ndaj grave dhe vajzave

Prishtinë, 10 dhjetor - Përderisa fushata globale 16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Baza Gjinore po i afrohet fundit, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBG) bën thirrje për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe për respektimin e të drejtave të grave.

Duke e parë se si pandemia COVID-19 dhe një kulturë e përhaphur e mos ndëshkimeve kërcënon progresin e arritur në barazi gjinore dhe në luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, GSBGj bën thirrje për veprim të fuqishëm dhe vendimtar nga të gjitha institucionet relevante në luftën ndaj kësaj krize të paprecedentë.

Edhe para COVID-19, dhuna ndaj grave ka qenë një ndër shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut, anembanë botës dhe në Kosovë. Menjëherë pas marrjes së masave për izolim, shkalla e rasteve të dhunës në familje të raportuara në polici u rrit për 22%, në muajt e parë të pandemisë.

Rrjedhimisht, përderisa pandemia vazhdon, ne nuk duhet t’a ulim mbrojtjen tonë ndaj “pandemisë në hije” të dhunës ndaj grave, pasi që studimet tregojnë se që nga fillimi i pandemisë, nivelet e dhunës në familje janë rritur ndjeshëm në të gjithë botën.

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore iu bën thirrje të gjithë akterëve relevantë t’i përmbahen një agjende të përbashkët të të drejtave të njeriut, duke marrë parasysh nevojat dhe prioritetet e grave dhe vajzave si dhe mbrojtjen e tyre nga shkeljet e të drejtave të njeriut.

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore poashtu i bën thirrje publikut t’a raportojë dhunën në polici në numrin 192 ose të kërkojnë ndihmë apo këshillim në lidhje me dhunën në familje duke kontaktuar linjën telefonike të Mbrojtësve të Viktimave: 0800 11 112. Është obligim qytetar të raportohen krimet dhe të mbrohen të tjerët.

Për t’a adresuar dhunën ndaj grave në mënyrë efektive, nevojitet një qasje gjithpërfshirëse që përfshinë një mori të gjërë akterësh. Ajo duhet të adresojë zbatimin e ligjeve dhe politikave, shërbimet e parandalimit dhe mbështetjes, ndryshimin e normave dominuese socio-kulturore dhe sjelljeve të burrave dhe djemve, si dhe të përfshijë studime dhe mbledhje të të dhënave.

Shërbimet për parandalim dhe reagim kundër dhunës ndaj grave duhet të zgjerohen dhe t’iu përshtaten rrethanave të reja. Kjo nënkupton:

Strehimoret dhe linjat telefonike të ndihmës për gratë duhet të konsiderohen si shërbime esenciale, dhe të ndahen fonde specifike dhe të qendrueshme;

Duhet t’iu ofrohet mbështetje e dedikuar psikosociale grave dhe vajzave që mund të jenë të prekura nga pandemia, dhe që janë të mbijetuara të dhunës me baza gjinore;

Sistemet shëndetësore duhet të pajisen për të pasur mundësi për të vazhduar së reaguari kundër dhunës ndaj grave;

Punëtorët shëndetësorë që janë pjesë e ekipit reagues ndaj pandemisë duhet të kenë shkathtësitë elementare për të reaguar ndaj njoftimeve që mund të përkeqësohen nga pandemia;

Mbështetja holistike ndaj reaguesve të parë për gratë duhet të përfshijë edhe mbështetjen psikosociale;

Avokimi dhe fushatat në media duhet të arrijnë audiencën më të gjerë të mundshme për t’a parandaluar dhunën ndaj grave;

Roli i policisë është kritik; sektori duhet të mobilizohet, të regjistrojë dhe të reagojë në mënyrë të duhur ndaj incidenteve dhe t’i referojë gratë tek shërbimet e duhura relevante;

Përgjigja e ofruesve të shërbimeve të drejtësisë duhet të jetë e shpejtë dhe e ndjeshme për rastet e raportuara të dhunës në familje;

Njësitë e zbatimit të ligjit duhet të dërgojnë një mesazh të fuqishëm që nuk do të tolerohet mosndëshkimi;

Organizatat dhe rrjetet e grave që tashmë janë pjesë e vijave të frontit të reagimit duhet  të mbështetën;

Duhet të sigurohet disponueshmëria e të dhënave të ndara sipas gjinisë. Të dhënat janë të nevojshme, duke përfshirë ato rreth shkallëve të ndryshme të infektimit, ndikimeve të ndryshme ekonomike, barrës së ndryshme të përkujdesit dhe incidencës së dhunës në familje dhe abuzimit seksual.

Ne e ngrisim zërin tonë dhe i bashkojmë forcat për t’i dhënë fund kësaj vuajtjeje të patolerueshme të shoqërisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)