23 Maj 2019

Gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria do të rehabilitohen, të dyshuarit para drejtësisë

Prishtinë,  20 prill - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në konferencë për media të mbajtur sot, ka njoftuar mediat dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për operacionin e realizuar në orët e para të mëngjesit përmes të cilit Qeveria e Republikës së Kosovës, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka kthyer 110 qytetarë të Kosovës të cilët kanë qenë në vatrat e luftës në Siri.

Tahiri ka bërë të ditur se që nga muaji tetor i vitit 2018 ka qenë në krye të një Task Force ndër institucionale e cila është angazhuar për një koordinim të plotë për realizimin e këtij operacioni.

Ministri Tahiri ka theksuar se përveç angazhimit në kuadër të Koalicionit Global Kundër Terrorizmit, për të parandaluar shkuarjen e qytetarëve të Kosovës në konflikte të huaja dhe për të luftuar terrorizmin, aksioni i sotëm është ndërmarrë për të përmbushur detyrimet që Kosova ka përballë parimeve mbi të cilat funksionin rendi ynë kushtetues.

Ministri Tahiri ka potencuar se të gjitha pretendimet për kryerjen e veprave penale dhe krimeve me të cilat mund të ngarkohen personat që kanë qenë pjesëmarrës në vatrat e luftës, në zonën e konflikteve, si dhe që kanë qenë të përfshirë në çfarëdo kapaciteti në organizata terroriste, do të adresohet konform ligjeve në fuqi.

"Mesazhi ynë është i qartë. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e sistemit të drejtësisë, do vazhdojnë akoma më fuqishëm parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Republika jonë nuk do lejojë që shtetasit e saj të paraqesin rrezik për sigurinë e vendit dhe sigurinë e vendeve tjera perëndimore" ka thënë ministri Tahiri.

Megjithatë, ministri Tahiri foli edhe për dimensionin tjerër rreth qytetarëve të kthyer pjesa më e madhe e të cilëve janë gra dhe fëmijë, të cilët meritojnë të rehabilitohen.

"Këto gra, meritojnë rehabilitim dhe shpresë për një jetë të qetë dhe këta fëmijë, në vend të zonave të konfliktit, e kanë vendin në shkollë, për tu edukuar mbi të ardhmen e tyre. Këta shtetas tanë, veçmas fëmijët, kanë kaluar një periudhë të rëndë traumatike dhe përballë tyre, ne do të marrim përsipër kujdesin në mënyrë që eksperienca e tyre e hidhur të tejkalohet" ka shtuar ministri Tahiri.

Sipas ministrit Tahiri, Republika e Kosovës dhe kushtetuta e saj nuk i mohon askujt të drejtat themelore, andaj premtoi se do të angazhohet  që këta qytetarë të rehabilitohen, të integrohen dhe të bëhen pjesë e shoqërisë.

"Realizimi i këtij operacioni, për të cilin jemi shumë mirënjohës ndaj partnerëve tanë si dhe mekanizmave të sigurisë në vend, dërgon një mesazh i qartë se shteti ynë nuk do t’i braktisë qytetarët e vet, pavarësisht eksperiencës së tyre."

"Por po ashtu dërgon një mesazh të qartë se ekstremizmi i dhunshëm, radikalizmi dhe terrorizmi nuk kanë të bëjnë asgjë me ne, as me traditën tonë, as me realitetin ku bëjmë pjesë, as me vizionin tonë shtetëror e shoqëror dhe si të tilla, do luftohen në çdo hap" ka përfunduar ministri Tahiri.

Në konferencën për shtyp në të cilën kanë marrë pjesë edhe Drejtori i Policisë së Republikës së Kosovës z. Rashit Qalaj dhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, z. Naser Ramadani, mediat janë njoftuar për gjendjen e tyre dhe për masat që kanë ndërmarrë institucionet e vendit për të menaxhuar me kujdes rehabilitimin e këtyre qytetarëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 maj 2019 - Instituti për Politikë të Jashtme të Kosovës organizon konferencën "Politika  e Kosovës në këndveshtrim shkencor." (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Instituti Riinvest organizon konferencën “Korrupsioni nga ana e ofertës: Perspektiva e bizneseveve”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli mban konferencë për media. (Holli i Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe Internews Kosova do ta publikojnë Raportin Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2018. (Ambientet e objektit A të Pallatit të Drejtësisë, ora 10:00)

- Themelohet Shoqata e Inovacionit Financiar, nga institucione financiare jo-bankare. (Hotel “Sirius”, ora 10:00)

- Anulohet - Forumi Ballkanik organizon tryezën rajonale "Zgjedhjet parlamentare të BE-së dhe implikimet për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor". (Hotel Sirius, ora 10:00)

 - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën e radhës të titulluar Indeksi i Zhvillimit të Sektorit të Prodhimit, ku do të prezantohen të gjeturat e një studimi mbi konkurrueshmërinë e sektorit të prodhimit. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:30)

- E Ngarkuara me Punë Coleen Hyland do të flasë me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të partnerit implementues të USAID-it Qendrës për Arsim të Kosovës dhe 7 komunave. (Hoteli Emerald, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi do të organizojë ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për sportistët dhe trajnerët. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, ora 11:00)

- Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale takohet me Ambasadoren e Suedisë në Kosovë znj. Karin Hernmarck - Ahliny. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Aleanca Kroosvare e Bizneseve organizon konferencën për media me temë "Taksa 100% a është ekonomike a politike kundër Serbisë". (Zyret e AKB-së, ora 13:00)

-  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut. (objekti i KQZ-së, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)