25 Prill 2024

Gjykata Supreme i dha fund çështjes se fondit Haradinaj

Prishtinë, 12 janar - Gjykata Supreme e Kosovës i ka dhënë fund procesit gjyqësor lidhur me disa transaksione financiare në llogarinë e ”Fondit Haradinaj”.

Një panel i kësaj gjykate, dje, pas shqyrtimit të të gjitha elementeve të ankesave të palëve të pakënaqura, ka marrë vendim për uljen e dënimit për ish-shefin e kabinetit të ish kryeministrit të Kosovës, Jahja Lluka, dhe e ka vërtetuar pafajësinë për ish drejtorin e përgjithshëm të Kasabankës, Milazim Abazi, dhe ish drejtorin e filialit të kësaj banke në Prishtinë, Hashim Sejdiu. Llukës i është ulur për 1 muaj dënimi me 10 muaj burg me kusht, i cili i ishte shqiptuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ndërsa i është konfirmuar dënimi me gjobë prej 10.000 eurosh. Ky vendim është i formës së prerë.

Paneli i Gjykatës Supreme të Kosovës, në përbërje të të cilit ishin dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjyqtar vendor, i ka hedhur poshtë të gjitha elementet e ankesës së prokurorisë lidhur me tre të akuzuarit.

Çështja e transaksioneve financiare në “Fondin Haradinaj” ishte inicuar në mars të vitit 2007, ndërsa procesi gjyqësor kishte filluar rreth dy vjet më vonë. Këtë proces, i cili ishte ndërprerë shumë herë për arsye të ndryshme, e kishin filluar gjykatësit e UNMIK-ut, ndërsa e kishin vazhduar gjykatësit e EULEX it.

”Fondi Haradinaj” ishte themeluar me qëllim të sigurimit të mjeteve për mbrojtjen juridike të ish kryeministrit Ramush Haradinaj, në Tribunalin e Hagës. Në kohën e themelimit të këtij fondi, institucionet e Kosovës nuk kishin kompetenca të siguronin ndihmë juridike për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë të vendit në gjykatat ndërkombëtare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)