25 Prill 2024

Gjermania i dhuroi FSK-së 44 automjete taktike dhe pajisje të tjera përcjellëse

Prishtinë, 26 shtator - Komandanti i Forcë së Sigurisë së Kosovës(FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe shefi i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë dhe Forcën (NALT), gjeneral brigade Uwe Becker, solemnisht bënë dorëzim-pranimin e donacionit prej 44 automjeteve taktike  dhe 77 kompleteve me pajisje speciale, që Forcat e Armatosura të Gjermanisë  i kanë dhuruar FSK-së. 

Nënshkrimit të dy gjeneralëve i ka paraprirë  nënshkrimi  i aktit zyrtar të pranim- dorëzimit të donacionit, të cilin në emër të Ministrisë për FSK-në e nënshkroi Sekretari i përgjithshëm dr. Shkelzen Sylaj dhe në emër të Kontingjentit gjerman të KFOR-it nënkolonel dr. Eric Offermann. 

Në ceremoni morën pjesë edhe zëvendëskryeministri z. Enver Hoxhaj, ministri i FSK-së z. Rrustem Berisha, komandanti i KFOR-it gjeneral major Salvatore Cuoci, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Christian Heldt, zëvendësministri Agim Çeku, komandanti i Forcave Tokësore gjeneral brigade Enver Cikaqi, si dhe gjeneralë e oficerë të FSK-së, KFOR-it, Kontingjentit gjerman të KFOR-it dhe mysafirë të tjerë.

Me këtë rast, ministri i FSK-së Rrustem Berisha tha: ,,Sot është një ditë e veçantë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sepse donacioni gjerman, prej 44 automjeteve ushtarake, do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në vazhdim, ministri Berisha falënderoj Qeverinë e Gjermanisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe popullin gjerman, për mbështetjen e vazhdueshme që po afron për Kosovën dhe Forcën e saj ,,Në emër të Ministrisë së FSK-së falënderoj shtetin gjerman dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së, sidomos në zhvillimin e saj me trajnime,  stërvitjet dhe donacione. Shteti gjerman në vazhdimësi e ka mbështetur FSK-në  dhe Republikën e Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë.’’

Ndërsa, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës u shpreh falënderues ndaj mbështetjes së vazhdueshme që Forcat e Armatosura të Gjermanisë kanë ofruar dhe po vazhdojnë të ofrojnë për FSK-në në shumë fusha: ,,Falënderoj Kontingjentin gjerman, Ministrinë e Mbrojtjes dhe popullin gjerman për këtë donacion, i cili është shumë i rëndësishëm për FSK-në. Ishte Gjermania ajo, që në fillimin të ngritjes së FSK-së në vitin 2009 e ndihmoi FSK-në me 204 automjete taktike, pajisje mjekësore,  pjesë rezervë etj.,  Falë kësaj mbështetjeje FSK-ja arriti atë vit kapacitetet e para operacionale. Tani, po nga Gjermania vjen edhe një donacion tjetër,  44 automjete taktike dhe pajisje përcjellëse”.

Më tej, gjeneral Rama tha: ,,Ky donacion është tejet i rëndësishëm për të vazhduar rrugëtimin tonë drejt zgjerimit të aftësive dhe vazhdimin e punëve të mira në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe popullit të Kosovës. Automjetet të cilat po i marrim sot do të jenë në funksion të rritjes së mobilitetit të FSK-së në nivel taktik, realizimit të detyrave tona, rritjes së standardeve në kuadër të mbështetjes dhe transportit të trupave tanë dhe rritjes së nderveprueshmërisë me Ushtrinë gjermane.’’

Në fund të fjalës së tij i pari i FSK-së  tha: ,,Mundësitë që po na i ofron shteti gjerman sot, po na ndihmojnë që ne të përgatitemi që nesër të jemi të gatshëm të marrim pjesë në operacione të përbashkëta në të mirë të sigurisë dhe paqes kudo në botë.’’

Nga ana e tij, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Christian Heldt vuri theksin tek marrëdhëniet e mira ndërmjet Ushtrisë së Gjermanisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe me këtë rast u shpreh: ,, Marrëdhënie të shkëlqyera në mes të Ushtrisë gjermane dhe FSK-së. Çdo herë automjetet e Gjermanisë nëpër rrugët e Kosovës do të jenë simbol i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë gjermane dhe ndërmjet dy shteteve tona. Bashkëpunimit ndërmjet nesh po evoluon dhe ka qëllim mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike. 

Ndërsa, shefi i NALT-it, oficeri i lartë gjerman, gjeneral brigade Uwe Becker tha se, ndihet i privilegjuar që në emër të Ministrisë së Mbrojtjes po ia dhuron  këto  automjete FSK-së. Në fund gjenerali Becker u shpreh ; ,,Këto automjete do t’u takojnë juve si mbrojtës të popullit të Kosovës. Siguria në Kosovë po bartet çdo ditë e më shumë tek autoritetet kosovare që do të jenë të vetmit dhe kryesorët për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, jo vetëm në letër por edhe në praktikë ’’.

Në fund të ceremonisë, 44 ushtarë të FSK-së i vunë në lëvizje 44 automjetet,  që tani e tutje do të drejtohen nga ta, për nevojat e FSK-së.

FSK-ja dhe Forcat e Armatosura të Gjermanisë kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe.  Kontingjenti i sotëm, i përbërë prej 44 automjeteve taktike dhe 22 pakove me pajisje specialistike për mirëmbajtje, është tregues më i mirë i kujdesit dhe mbështetjes së vazhdueshme që Forcat e Armatosura të Gjermanisë dhe Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për FSK-në.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)