27 Shkurt 2020

Gjatë periudhës 2013-2018 janë parashkruar 58 lëndë kundër korrupsionit

Prishtinë, 18 nëntor - Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet “ÇOHU” të hënën e ka publikuar raportin “Qasja në Drejtësi”.

Gjatë periudhës njëvjeçare, ÇOHU ka monitoruar 242 raste, apo 575 seanca gjyqësore në gjykatat themelore në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Ferizaj, Prizren, Gjilan dhe Gjakovë ku janë identifikuar një varg gjetjesh – nga ato më teknike e deri të shkeljet e afateve procedurale dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

“ÇOHU” ka realizuar edhe tri hulumtime në fushën e drejtësisë: Korrupsioni i nivelit të lartë, Drejtësia në Mitrovicë, si dhe Performanca e gjykatësve dhe prokurorëve.

Raporti ka analizuar të dhënat nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial që tregojnë se përkundër prioritetit që do të duhej të kishin lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar ato vazhdojnë të barten nga viti në vit.

Gjetjet e këtij raporti para përfaqësuesëve të sistemit gjyqësor dhe prokurorial si dhe përfaqësuesve të ambasadës holandeze, e cila ka mundësuar realizimin e këtij projekti, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave e ka prezantuar hulumtuesja Rina Koliqi.

Ndër gjetjet e këtij raporti mund të veçohet vonesa dhe shtyrja e seancave gjyqësore, ndërprerja e seancave gjyqësore, shkelja e afateve ligjore, parashkrimi i lëndëve, përfaqësimi i aktakuzave, papërgatitja e prokurorëve, ndryshimi i përbërjes së trupit gjykues, e kështu me radhë.

Një prej problemeve që janë identifikuar në këtë raport është edhe parashkrimi i lëndëve kundër korrupsionit. Sipas këtij raporti, gjatë periudhës 2013-2018 janë parashkruar 58 lëndë kundër korrupsionit.

Në anën tjetër, monitorimi njëvjeçar ka identifikuar vetëm 17 raste të korrupsionit të nivelit të lartë në të cilat janë të përfshirë deputetë, ministra, dhe kryetarë të komunave.

Ambasadorja e Holandës, Gerrie Willems, e ka vlerësuar punën e Organizatës “ÇOHU” duke shpresuar se rastet e identifikuara në raport do të adresohen në të ardhmen. Ajo i ka përshendetur edhe gjykatat dhe prokuroritë që po tregohen mjaft transparente me organizatat e shoqërisë civile.

Bahri Hyseni, kryesues i KPK-së ka folur për mekanizmat e vlerësimit të performancës së prokurorëve. Sipas tij, viteve të fundit këta mekanizma kanë funksionuar si duhet dhe shumë prokurorë janë ndëshkuar në rastet kur nuk e kanë bërë punën si duhet.

Ish-kryetarja e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, i cili ishte pjesë e panelit, ka përmendur rritjen e buxhetit si parakusht për funksionimin e duhur të sektorit të drejtësisë.

Bashkangjitur mund të gjeni edhe raportin në gjuhën shqipe dhe angleze si dhe fotografi nga tryeza
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 shkurt 2020 - Kryeministri Albin Kurti pret në takim Komandantin e KFOR-it, Michele Risi. Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:40 - vetëm pamje)

- Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova do të marrë pjesë në eventin përmbyllës të projekti të BE-së për mbështetjen e shërbimeve korrektuese dhe sprovuese të Kosovës, i cili do të mbahet në Prishtinë. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Nën organizimin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, punëtorët e sigurimit fizik të Rektoratit të Universitetit të Mitrovicës do të protestojnë për shkeljet e tyre ligjore nga ana e kompanisë e cila edhe pse është vërtetuar që ju ka borxh punëtorëve asaj nuk i intereson kjo. (Para Rektoratit të Universitetit të Mitrovicës, ora 10:00)

- Mbahet  seanca e Kuvendit të Komunës së Gjilanit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, (ish objekti i gjykatës. ora 10:00)

- Kryeministri Albin Kurti pret në takim zëvendës presidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00 - vetëm pamje)

- Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në partneritet me rrjetin Kraeeyn organizon konferencën për publikimin e “Politikës rekomanduese për zhvillimin në fëmijërinë e hershme”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregulltë e Kuvendit Komunal të Mitrovicës. (Salla e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Zyra e Bashkimit Evropian në bashkëpunim me komunën e Prishtinës do ta përuroj çerdhen në lagjen Kalabria në Prishtinë. (Lagjja Kalabria, ora 10:30)

-  OJQ-së Aktiv bën prezentimin e letrës ‘Vlerësimi i të drejtave dhe lirisë në komunitetet Serbe të Kosovës’, mbështetur nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme. (Hotel Sirius, ora ora 11:00)

- Komisioni për Integrim Evropian bën shqyrtimin e draft-planit të punës së komisionit për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 204, ora 11:00)

- Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, me bashkëpunëtorët pret në takim zëvendësministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë, Lorena Haxhiu. (Zyra e kryetarit, ora 13:30)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 16:00)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon hapjen e Ekspozitës INFRARED: Additions në Fushë Kosovë. (Rr. e Pejës të rrethi në Fushë Kosovë, ora 18:00)