25 Prill 2024

FSK-ja shënoi Ditën e Forcës me ceremoni ushtarake

Prishtinë, 27 nëntor - Në kazermën „Adem Jashari“ të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, në Prishtinë, sot me ceremoni ushtarake u shënua 27 Nëntori-Dita e Forcës. Njësitet e FSK-së, parakaluan me emblema, flamuj dhe grada të reja.

 Ceremonia për shënimin e një vjetorit të themelimit të ushtrisë së Kosovës, filloi me inspektimin e kuadrateve të rreshtuara të FSK-së, nga presidenti Hashim Thaçi dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama; me intonimin e Himnit të Republikës së Kosovës, vendosjen e luleve në Obeliskun e të rënieve, dhe me një minutë nderimi për qytetarët që pësuan nga tërmeti në Shqipëri.

  Me këtë rast, presidenti Hashim Thaçi, në fjalën e tij, drejtuar oficerëve dhe nënoficerëve të Ushtrisë së Kosovës, tha: „Dita e FSK-së e gjen Republikën e Kosovës në ditë zie, nga tërmeti i djeshëm ku mori dhjetëra jetë të vëllezërve dhe motrave tona. Ditën e Forcës po e shënojmë si ditë të ushtrisë të Republikës së Kosovës, që është në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj. Ushtria e Kosovës gëzon besim nga të gjithë qytetaret, është bërë institucioni që kontribuon për paqe dhe stabilitet në Kosovë. Kudo që kanë qenë pjesëtaret e FSK-së, së fundi edhe në garat ndërkombëtare me prestigjioze të mbajtura në Britaninë e Madhe, kanë shkëlqyer në këto gara“. „FSK-ja është fuqia dhe garanca më e mirë e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës“, tha në fund presidenti Hashim Thaçi. 

Ndërsa, kryeministri i Kosovës z. Ramush Haradinaj, pos tjerash tha se: „Jam krenar sot që ushtria jonë është vlerë e sigurisë në rajon e në botë. Jam i lumtur që ky rresht i yti i paqes, nderojnë Kosovën dhe aleatët e lirisë“.

Kurse, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, fillimisht ua uroi Ditën e Forcës të gjithë oficerëve dhe nënoficerëve të saj, për të shtuar: „ Është nder i veçantë por njëkohësisht edhe privilegj për mua, t’u drejtohem sot në cilësinë e komandantit të Forcës së Sigurisë të Kosovës me rastin e Ditës më të rëndësishme - Ditës së Forcës. 27 Nëntori është dita kur unë së bashku me secilin ushtarakë të FSK-së nga pozicioni dhe përgjegjësia jonë zyrtare, profesionale e morale, kujtojmë për atë që kaluam e bëmë së bashku dhe njëkohësisht të reflektojmë për rrugën që do të trasojmë përpara“.

Komandanti i FSK-së, më tej, shtoi se: „Pas një rrugëtimi krah për krah me partnerët tanë arritëm që vitin e kaluar me 14 dhjetor të kurorëzojmë objektivin tonë madhor me vendimin e Kuvendit tonë, dhe, më 21 janar të këtij viti të nisim procesin e tranzicionit bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit“

Duke iu drejtuar të pranishmëve, gjeneral Rama tha: „Të nderuar të pranishëm, 14 dhjetorin e vitit 2018–Ditën e miratimit të tri ligjeve, që e legjitimojnë vullnetin tonë për mandatin ushtarak të FSK-së, të gjithë së bashku e përjetuam si ngjarjen më të rëndësishme shtetërore pas 17 Shkurtit, ditën kur u shpallë pavarësia e Kosovës.

Prandaj me krenari iu njoftoj se FSK-ja brenda kësaj periudhe ka arritur që të realizoj themelimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe kapacitetet themelore të Gardës Kombëtare, Komandën e Logjistikës, Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe të njësive pranshtabore.  Krahas këtyre, FSK-ja ka realizuar me sukses planin vjetor të rekrutimit duke rekrutuar rreth 700 ushtarë të rinj, duke ngritur përqindjen e përfaqësimit të komuniteteve në mbi 10% e sidomos atë të komunitetit serb, si dhe duke ngritur përqindjen e gjinisë femërore në mbi 11%.  Ditën e  Forcës sonë si gjithherë e kremtojmë bashkë me partnerët tanë në nivelin bilateral, me Ekipin Këshillëdhënës të NATO-s dhe me KFOR-in që gjithmonë ishin dhe janë me ne gjatë tërë rrugëtimit tonë. Ky partneritet do të vazhdojë e thellohet edhe më tej sepse është aspiratë e jona që edhe zyrtarisht të integrohemi në familjen e përbashkët të Aleancës Veri Atlantike“. 

Gjeneral Rama tha se FSK-ja është e gatshme dhe e përgatitur profesionalisht për të marrë pjesë në operacione humanitare. „Se, FSK-ja është e përgatitur dhe e gatshme për pjesëmarrje dhe efektive në operacione humanitare e dëshmoi edhe dje, pas tërmetit në disa vendbanime në Shqipëri, ku kontingjenti i Task-Forcës sonë, arriti që të parët të dislokohen në zonat e dëmtuara dhe të fillojnë menjëherë operacionet e kërkim–shpëtimit urban, dhe siç jam deklaruar edhe dje, varësisht prej nevojave që do të paraqiten në terren, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi me kapacitete shtesë “.

Në fund, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, duke iu drejtuar ushtarëve dhe oficerëve të FSK-së, tha: „Sot ushtarët, nënoficerët dhe oficerët e FSK-së janë më të përgatitur, më të trajnuar e arsimuar dhe më të pajisur, por megjithatë jam i ndërgjegjshëm se ende mbetet për t’u bërë. Forcat tona po zhvillohen më tej, me vizion të qartë bazuar në koncepte bashkëkohore dhe profesioniste, në programe dhe planifikim afatgjatë me synimin që të realizojmë procesin e tranzicionit krahas zhvillimit e modernizimit të mëtejmë. Urime Dita e Forcës dhe na priftë e mbara në rrugëtimin drejtë qëllimit tonë të përbashkët“.

Në ceremoni të pranishëm ishin: Presidenti i Kosovës z. Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës  Ramush Haradinaj, ministri i Mbrojtjes z. Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, drejtori i NALT-it, atashe ushtarakë dhe oficerë të FSK-së.

Në fund të ceremonisë, para të pranishmeve u lexua urdhri i Presidentit Thaçi, Ministrit Berisha dhe Komandantit Rama, për ndarjen e mirënjohjeve dhe medalje; për gjeneralë, oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të dalluar të Ministrisë dhe FSK-së. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)