29 Mars 2024

FSK-ja institucioni i parë me Plan për Integritet

Prishtinë, 26 tetor - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë prezantoi sot raportin e tretë monitorues dhe vlerësues me temën: Monitorimi dhe vlerësimi i integritetit në institucionet e sigurisë, që në fokus ishin dy institucionet më të besueshme të Kosovës: Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Në këtë prezantim morën pjesë: Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, z. Shkëlzen Sylaj, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, drejtor i Departamentit të Operativës dhe Trajnimeve, sekretari i sekretarit të përgjithshëm të MFSK-së, z. Florin Hoxha,  përfaqësues të Policisë së Kosovës, të OJQ-ve si dhe monitorues dhe përfaqësues të mediave.

Me këtë rast u tha se Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka për qëllim vlerësimin dhe monitorimin e aktiviteteve që lidhen me zhvillimet në fushën e integritetit në institucionin e FSK-së dhe MFSK-së dhe Policinë e Kosovës.
raport mbulon periudhën monitoruese tetor 2016 - tetor 2017 dhe është vazhdimësi e raporteve tjera të QKSS-së, në funksion të ngritjes së integritetit në sektorin e sigurisë.

Në prezantimin e raportit nga znj. Arife Muji për FSK-në u tha se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK-ja) aktualisht është një ndër institucionet e vetme të sigurisë në rajon që posedon Plan të Integritetit. Është pioniere në hartimin e Planit të Integritetit në nivel qendror, sepse deri në shtator të vitit 2017 Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë institucioni i vetëm që ka arritur të hartojë dhe zbatojë një plan të tillë. MFSK-ja vazhdon zbatimin e këtij plani i cili në vetvete ngërthen masa dhe veprime në funksion të fuqizimit të integritetit.

Raporti i prezantuar fokusohet kryesisht në pesë fusha kyçe: prokurimi publik, menaxhimi i burimeve njerëzore, auditimi i brendshëm, parandalimi i konfliktit të interesit si dhe deklarimi i pasurisë. Përmes vlerësimit të këtyre fushave, ky raport bën vlerësimin dhe identifikimin e sfidave dhe progresit të këtij institucioni, si dhe sjell rekomandime specifike në këto fusha.

Besueshmëria, qeverisja e brendshme dhe integriteti janë parimet kryesore të cilat garantojnë funksionalizim të qëndrueshëm dhe kredibil të institucioneve të sigurisë në Kosovë. 

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, zotëri Shkëlzen Sylaj, në emër të Ministrit dhe Ministrisë për FSK-në, përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe njëherësh përgëzoi Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë për raportin hulumtues dhe tejet profesional.

MFSK-ja dhe FSK-ja që nga 1 korriku i vitit 2016 kanë filluar implementimin e Planit të Integritetit falë ndihmës së Qeverisë së Norvegjisë.

FSK-ja është njëri ndër përfituesit e vetëm të këtij projekti në rajon. Sekretari Sylaj, me këtë rast i njoftoi të pranishmit edhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me NATO-n.

“FSK-ja ka përkrahje dhe bashkëpunim në këtë drejtim me Qeverinë e Norvegjisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Norvegjisë. Një bashkëpunim të shkëlqyeshëm kemi edhe me NATO-n, përmes Ekipit Ndërlidhës Këshillues (NALT) për FSK-në. Qëllimi ynë është që të jemi sa më bashkëpunues dhe transparent gjatë implementimit të këtij projekti tejet të rëndësishëm për FSK-në” – tha në vazhdim zotëri Sylaj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)