23 Prill 2024

Flamur Sefaj dhe Driton Gashi ishin përgjegjësit për dëbimin e shtetasve turq

Prishtinë, 30 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka raportuar sot para Komisionit Hetimor Parlamentar me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, më datë 29 mars 2018.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se ka pranuar ftesën për intervistim, me qëllim që puna të shkojë sa më saktë, derisa në mënyrë kronologjike ka sqaruar në detaje të gjitha takimet e zhvilluar atë ditë, duke thënë se gjatë kohës derisa po drejtonte mbledhjen e qeverisë ka pranuar një telefonatë nga një diplomatë i cili e ka pyetur për rastin në fjalë.

I pyetur nëse 29 marsi është momenti i parë kur ka dëgjuar për rastin në fjalë, Kryeministri Haradinaj tha se e vërteta është se jo vetëm se është njoftuar më 29 mars, por për herë të parë për këtë rast ka dëgjuar ndërmjet orës 11-12, derisa shtetasit turq janë dëbuar nga Kosova në orën 10:50. 

Ndërkaq, duke folur për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, kryeministri Haradinaj tha se më datën 29 iu është drejtuar personave në fjalë duke kërkuar sqarime shtesë nga ana e tyre, derisa të nesërmen me datë 30 mars ka kërkuar dorëheqjen e tyre, duke e vlerësuar se që të dy ishin përgjegjësit për këtë rast, për të cilin nuk është njoftuar Kryeministri Haradinaj.

“Që të dy kanë qenë përgjegjës që ta lajmërojnë Kryeministrin për vendimin për dëbimin e shtetasve turq. Duke qenë se ky është diskrecion dhe se në bazë të hierarkisë vetëm ata ishin përgjegjës, unë kam marrë vendim për shkarkimin e tyre”, ka thënë Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se arsyeja e kërkesës së shkarkimit është bërë në bazë të dy arsyeve, shkak i ngutisë së aksionit dhe mosinformimit të Kryeministrit.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se dëbimi i shtetasve turq ka qenë një mënyrë e nxituar, sepse ka mundur të shkojë ndryshe nëpër etapa që i parasheh ligji, dhe çështja tjetër është se nuk ka qenë i informuar për këtë.

“Deri në ditët e sotme asnjëherë askush nuk më ka kërkuar nga zyrtarët shtetëror të Turqisë mbylljen e shkollave turke. Me Republikën e Turqisë jemi të interesuar për një marrëdhënie të qëndrueshme”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka përmendur edhe faktin se puna e këtij Komisioni, përgjigja pozitive nga ana e tij për të dhënë sqarimet e kërkuara dhe veprimet që ka ndërmarrë Qeveria menjëherë pas këtij rasti, duke e krijuar një mekanizëm të ri të ndjekjes së protokollit për këto raste, janë praktikë e mirë, presedan i mirë në favor të transparencës karshi opinionit dhe funksionimit demokratik të institucioneve.

Më tej, Kryeministri Haradinaj ka ritheksuar qëndrimin e tij, se institucionet e Kosovës, veçmas ato të sigurisë janë kredibile dhe profesionale dhe se nuk duhet humbur besimi në to, derisa rasti i gylenistëve është vetëm një rast i izoluar për të cilin Qeveria ka ndërmarrë masat e menjëhershme që kjo të mos ndodhë më.

Më pas Kryeministri Haradinaj i është përgjigjur deputetëve në pyetjet për këtë rast.

I gjithë raportimi ka qenë i hapur për mediat, me kërkesë të Kryeministrit Haradinaj.

Ky është rasti i parë që një Kryeministër i vendit, i përgjigjet ftesës së Komisionit Parlamentar për të raportuar para Kuvendit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)