16 Prill 2024

Fillon trajnimi: “Komanda dhe stafi policor”

Vushtrri, 30 gusht – Sot, në kuadër të trajnimeve të shumta që po mbahen në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH) në Vushtrri filloi trajnimi “Komanda dhe stafi policor”.

Në ceremoninë e hapjes së këtij trajnimi morën pjesë, Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, përfaqësuesit e Universitetit “Northerwestern”, pastaj u.d. i Drejtorit të Policisë së Kosovës, z. Behar Selimi, kryeshefi Ekzekutiv i Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Sheremet Ahmeti, si dhe përfaqësues të ICITAP-it.

Këtë trajnim përveç Policisë së Kosovës, do ta ndjekin edhe oficerë të Policisë së Republikës së Shqipërisë dhe Policisë së Republikës së Maqedonisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, pasi u dëshiroi mirëseardhje, theksoi se “prania juaj në këtë kurs është dëshmi se Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim po avancohet si institucion me shtrirje rajonale. Trajnimi i përbashkët i oficerëve policorë nga vendet e rajonit do të mundësojë  thellimin e bashkëpunimit me qëllim të sigurimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit”.

Në vazhdim ministri Rexhepi shtoi se “janë dy gjëra që i bashkon vendet e rajonit; natyra e njëjtë e problemeve dhe qëllimi i përbashkët për t’u integruar në institucionet euro-atlantike. Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë po vazhdon me zhvillimin e politikave strategjike për Policinë e Kosovës. Të gjitha raportet e mekanizmave ndërkombëtarë e vlerësojnë lartë progresin e arritur në Policinë e Kosovës si polici demokratike, shumëetnike dhe e ndërtuar sipas vlerave dhe praktikave më të avancuara ndërkombëtare”.

 Ministri Rexhepi e falënderoi Qeverinë amerikane për përkrahjen e vazhdueshme që po i bënë Kosovës në demokratizimin dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të saj.

Organizimin e këtij trajnimi e vlerësoi lartë edhe u.d. i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Behar Selimi. Ai tha se “ndjekja e këtij kursi, do t’u ndihmojë kursantëve që punën e tyre ta kryejnë në mënyrë sa më profesionale. Ky program u jep mundësi që ta realizoni sa më mirë rolin e udhëheqësit”, theksoi ndër të tjera z. Behar Selimi.

Në këtë trajnim po marrin pjesë 35 oficerë të policisë nga Kosova, Shqipëria dhe  Maqedonia, ndërsa trajnimi është projekt i ICITAP-it, që po organizohet nga Universiteti “Northerwestern”dhe ka për qëllim aftësimin e stafit komandues të Policisë së Kosovës në menaxhimin e punës së tyre. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)