19 Mars 2024

EULEX-i e përmbyll trajnimin për rastet e dhunës në familje për policë

Prishtinë, 21 shkurt - Prej datës 18 deri 20 shkurt 2020, në Prishtinë është mbajtur një trajnim i specializuar për reagimet e para të standardizuara dhe efektive në rastet e dhunës në familje për rreth 100 zyrtarë policorë të vijës së parë dhe hetues të dhunës në familje. 

Ky trajnim, mbajtur nga ekspertët e EULEX-it Roland Burgsteiner dhe Magdalena Trojca, kishte për synim që t’u mundësojë zyrtarëve policorë të vijës së parë që t’i detektojnë me kohë rastet e dhunës në familje, ta standardizojnë reagimin e parë të Policisë së Kosovës ndaj këtyre rasteve dhe të krijohet një mjedis më i sigurtë për të mbijetuarit duke e siguruar qasjen e bazuar në viktimën.

Në fokus të këtij trajnimi ishte përmirësimi i aftësive dhe efektivitetit të reaguesve të parë në rastet e dhunës në familje në mënyrë që të sigurohen prova më të mira në vendin e ngjarjes dhe të përmirësohet cilësia dhe numri i hetimeve të suksesshme, si dhe krejt në fund të bëhet ndjekja penale dhe gjykimi i këtyre rasteve.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se korniza ligjore dhe politike e Kosovës për dhunën në familje është e avancuar.

Sidoqoftë, zbatimi aktual i ligjeve dhe strategjive mund të jetë sfidues: “Penalizimi i dhunës në familje në Kodin e ri Penal të Kosovës të miratuar vitin e kaluar është një moment i rëndësishëm."

"Ndërsa Strategjia Kombëtare 2016-2020 për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje ishte një element tjetër kryesor në arkitekturën e përgjithshme për luftimin e dhunës në familje. Shpresoj që Strategjia e re dhe Plani i Veprimit për pesë vitet e ardhshme, si dhe Ligji i ndryshuar për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, i cili tani është në pritje të miratimit, mund të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur nga qeveria e re e Kosovës."

Majori Ramadan Ahmeti, Zëvendës-shef i Policisë në Komunitet, vuri në dukje se ligjet e Kosovës janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, por zyrtarët policorë në vijën e parë të frontit duhet t’i rrisin aftësitë e tyre për t’i trajtuar në mënyrë efektive çështjet e dhunës në familje.

“Puna e reaguesve të parë mund të kontribuojë në rritjen e nivelit të besimit në Policinë e Kosovës. Kur një zyrtar është i trajnuar, me përvojë dhe profesional, të mbijetuarit gjithashtu do t'u afrohen atyre dhe do të komunikojnë me ta më lehtë."

"Ne duhet t’i identifikojmë mangësitë dhe t'i adresojmë ato në mënyrën e duhu ashtu që të jemi aty për të mbijetuarit dhe të shërbejmë si një shembull i shkëlqyeshëm për shoqërinë. Prioriteti është respektimi i ligjit. Për këtë nuk ka alternativë tjetër", tha Ahmeti.

Shefja e Njësisë së Trajnimit në Policinë e Kosovës, Nënkolonel Zylfije Krasniqi, tha se Policia e Kosovës duhet të marrë mbështetje të mëtutjeshme për të reaguesit e parë në rastet e dhunës në familje.

"Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të na ofrohen dhe të marrim pjesë në trajnime shtesë të specializuara si dhe ekspertizë të BE-së për reaguesit e parë", tha Krasniqi.

Ky trajnim është pjesë e punës së EULEX-it për ta përmirësuar bashkëpunimin dhe bashkëveprimin në lidhje me rastet e dhunës në familje midis të gjitha palëve të interesuara dhe ofruesve të shërbimeve.

Në bazë të mandatit aktual të tij, EULEX-i e ka shndërruar dhunën në baza gjinore në një fushë tematike specifike në kuadër të funksioneve të tij të monitorimit, me qëllim që ta mbështesë zbatimin e ligjit përmes gjetjeve dhe rekomandimeve specifike dhe të ofrojë ndihmën përkatëse të synuar.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)