29 Mars 2024

Dukagjini e Drenica prijnë me veteranë të rremë e me dezertorë

Prishtinë, 20 gusht - Rreth 10 milionë euro në vit nga buxheti i shtetit paguhen për dezertuesit të cilët e kishin braktisur luftën e UÇK-së para përfundimit të saj.

Nga 7.880 veteranë të rremë në Zonën Operative të Dukagjinit, 3.175 janë identifikuar si dezertorë të luftës, përmes aktakuzës së përgatitur nga prokurori i dorëhequr, Elez Blakaj, raporton KTV.

Vetëm “dezertuesit e Dukagjinit” përfitojnë nga buxheti i shtetit 500 mijë euro në muaj apo 6 milionë e 433 mijë euro në vit.

Zona e Dukagjinit ka nxjerrë shumë “veteranë” të mitur. Kësisoj, janë identifikuar 230 të mitur që kanë përfituar këtë status.

Në mesin e atyre që janë bërë veteranë, ka edhe të atillë që në vitin 2018 janë 27-vjeçarë e që i bie që në kohën e luftës kanë qenë rreth 7 vjeç.

Gati 800 njerëz e kanë përfituar statusin e veteranit në Dukagjin, ani pse në aplikacionet e tyre ka pasur ndërhyrje në data, ndërsa mbi 700 aplikacione këtë zonë prokurori Blakaj i ka cilësuar si të dyshimta e të plotësuara nga i njëjti dorëshkrim.

212 persona ia kanë dalë të bëhen veteranë me aplikacione, ku nuk e kanë shënuar fare datën e angazhimit të tyre në UÇK.

Të tilla dyshime për mashtrime të mëdha ka edhe në Zonën e Drenicës.

230 persona nga Drenica në kohën e luftës kanë qenë të mitur, thuhet në tabelat të cilat prokurori Blakaj ia ka bashkëngjitur aktakuzës.

Zona e Drenicës ka deklaruar numër të madh të stafit mjekësor. 148 persona kanë marrë statusin e veteranit për kontributin e tyre mjekësor tek ushtarët e UÇK-së në Zonën e Drenicës.

Blakaj ka identifikuar numër të madh të “veteranëve të rremë” edhe në Zonën Operative të Llapit.

Nga kjo zonë janë 131 persona që kanë dezertuar gjatë luftës e që e kanë fituar statusin veteran i luftës. 110 fëmijë ose të mitur llapjanë në kohë lufte në vitin 2016 janë bërë “veteranë-ushtarë” të UÇK-së.

Krejt në këtë zonë, veteranë të rremë kanë dalë 173 persona.

Rreth 200 aplikacione, të cilët kanë qenë të “angazhuar në logjistikë”, janë cilësuar si të rreme nga prokurori Blakaj.

“Dezertorë” të cilët në fund janë konfirmuar si veteranë ka pasur edhe në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Tetë të tillë, sipas aktakuzës, kanë qenë në “Operacionin Shigjeta” e 10 në njësinë të emërtuar si “Shtabi i Përgjithshëm”.

Këto të dhëna janë të paraqitura në aktakuzën e rastit të njohur tashmë si “Veterani i rrejshëm”.

Pothuajse 50% e veteranëve rezultojnë të rremë në pothuajse të gjitha zonat.

Në pjesën e tretë të serisë ekskluzive për hallkat e zinxhirit komandues për mashtrim në emër të UÇK-së, “Koha Ditore” shkruan se mijëra fëmijë, mijëra aplikacione të plotësuara nga një dorëshkrim, qindra aplikacione të “personave të internuar” janë cilësuar nga Blakaj si aplikacione të rreme.

Aktakuza është ngritur më 11 korrik të këtij viti. Të akuzuar janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.

Të 12 të akuzuarve aktakuza u është ngritur si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)