19 Prill 2024

Delawie fton prokurorët që të vazhdojnë luftën pakompromis ndaj korrupsionit

Prishtinë, 27 janar - Është mbajtur sot konferenca vjetore e prokurorëve e organizuar nën patronatin e zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit si dhe e mbështetur nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Ne fjalën e tij, Kryeprokurori Lumezi, ka thënë se konferenca vjetore e prokurorëve është një ndër konferencat më të rëndësishme të sistemit prokurorial të Kosovës, pasi që këto takime krijojnë hapësirë për të diskutuar të arriturat, sfidat por edhe mangësitë e sistemit në vitin që lamë pas, të cilat kërkojnë adresim më efikas në periudhën e ardhshme.

“Prokuroria e Shtetit gjatë vitit të kaluar ka treguar efikasitetin më të lartë deri më tani, duke zgjidhur gjithsej 66.235 lëndë të natyrave të ndryshme. Kjo do të thotë se kemi zgjidhur 16.394 lëndë më shumë se sa që kemi pranuar në vitin e kaluar, respektivisht që kemi shënuar sukses domethënës në përballjen me lëndët e mbetura nga vitet e kaluara” është shprehur Kryeprokurori Lumezi, duke theksuar se përveç statistikës shumë pozitive, dua të theksoj se në vitin 2017 kemi treguar rezultate të mira edhe në përqindjen e aktakuzave të vërtetuara, gjegjësisht në cilësinë e aktakuzave. Për këtë dëshmon fakti se 87% të aktakuzave kanë përfunduar me aktgjykime dënuese.

Po ashtu, kryeprokurori Lumezi, tha se gjatë vitit 2017 Prokuroria e Shtetit ka treguar performancë të mirë edhe në trajtimin e rasteve të terrorizmit dhe si rezultat i punës së përbashkët me institucionet e tjera, numri i shtetasve të Kosovës në luftërat jashtë vendit është ulur në mënyrë radikale.

“Këto të dhëna dhe vlerësime do të paraqiten më gjerësisht përmes raportit vjetor, në të cilin në mënyrë të detajuar do të paraqesim të dhënat për secilën prokurori veç e veç”, ka thënë Lumezi.

Gjithashtu, Lumezi ka thënë se pavarësisht punës dhe rezultateve të konsiderueshme që i kemi arritur gjatë vitit të kaluar, ku secili nga ju ka tejkaluar normën e paraparë, kjo nuk do të thotë se në sistemin tonë duhet të mbizotëroj vetëkënaqësia, ngase para organit të akuzës mbesin shumë sfida dhe vështirësi, të cilat nuk do të kapërcehen me lehtësi dhe brenda një afati të shpejtë.

"Këto vështirësi duhet t’i zgjidhim së bashku duke përmirësuar perfomancën, duke rritur llogaridhënien, duke forcuar vetëdijen e çdo prokurori për rëndësinë e rolit të tij në ndjekjen, hetimin dhe ndëshkimin e krimit, në mënyrë që të rrisim besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë."

"Në këtë vit nga të gjithë prokurorët e shtetit pres angazhim maksimal në luftën kundër sfidave kryesore siç janë krimi i organizuar, korrupsioni i nivelit të lartë, terrorizmi, krimet e luftës dhe në veçanti, vrasjet e pandriquara të figurave publike para, gjatë dhe pas luftës.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, ka thënë se sot më tepër se asnjëherë ndihem krenar për të arriturat tona, por sot gjithashtu ndihem edhe më i vendosur se kurrë të ju them se do të vazhdojmë të avancojmë sistemin prokurorial duke aplikuar standarde të larta në rekrutimin, vlerësimin, disiplinimin dhe trajnimit të prokurorëve.  “

Shumicës nga ne mesiguri i kujtohet se ishim së bashku një vit më parë, po në këtë sallë dhe atëherë premtuam se do të punojmë për të krijuar ambient dhe kushte më të mira për punë, andaj sot dua ta theksoj se ne të gjithë jemi dëshmitarë të këtij ambienti. Kjo nuk ka ndodhur vetvetiu, por falë një pune intensive të Këshillit Prokurorial dhe Prokurorit të Shtetit, ku ishin të përfshirë prokurorë dhe personel administrative”, është shprehur Kryesuesi Isufaj.

Gjithashtu, ai ka thënë se nuk ka asnjë dilemë se ne kemi avancuar sistemin e planifikimit duke punuar si ekip, kemi rritur buxhetin përmes një planifikimi më të mirë dhe një shpenzimi më efektiv dhe ky ka qenë argumenti kryesor që për vitin 2018  sistemit prokurorial i është aprovuar kërkesa për 148 pozita shtesë vetëm për personel administrativ kryesisht profesional.

“Ky personel do të jetë shërbimi më i mirë dhe më i nevojshëm për Këshillin Prokurorial dhe për Prokurorin e Shtetit”, ka thënë Isufaj, duke potencuar se kemi arritur që për herë të parë pas shumë viteve të rekrutojmë numrin e planifikuar të prokurorëve dhe aktualisht në sistem do të kemi 201 prokurorë.

Kryesuesi Isufaj, ka vecuar punën e madhe që është bërë për integrimin e prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Kosovë dhe fillimin e punës në kushte normale të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

“Ne kemi arritur të konsolidojmë sistemin e vlerësimit të performancës së prokurorëve dhe po punojmë panderprerë në avancimin e tij bazuar në standardet më të mira për këtë qellim. Gjithashtu po punojmë që të kemi sistem të llogaridhënies dhe disiplinimit më efektiv bazuar në praktikat e mira ku Këshilli në mënyrë të qartë lejon vend vetëm për prokurorët me integritet të përkushtuar ndaj funskionit të shenjtë që ata kryejnë. Këtë proces synojmë ta përmbyllim së shpejti përmes një kornize të re ligjore dhe dokumenteve mbështetëse si Kodit të ri të Etikës dhe një udhëzuesi për zbatimin e tij”, ka thënë Kryesuesi Isufaj.

Ndërkaq, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë, Greg Delawie, ka ftuar prokurorët që të vazhdojnë punën e tyre të pakompromis në luftën ndaj korrupsionit.

Ai tha se dy prej prioriteteve të tij janë ta ndihmojnë Kosovën në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

 “E di që nuk jam i vetmi që e them se rezultatet në luftën kundër korrupsionit kanë lënë përshtypje. Populli i Kosovës nuk beson që institucionet e sundimit të ligjit punojnë seriozisht për ta luftuar korrupsionin. Ju duhet të punoni në mënyrë vendimtare dhe ta ndryshoni këtë sepse fundja ju i prini kësaj lufte dhe sytë e kosovarëve janë tek juve."

"Korrupsioni ndal zhvillimin e demokracisë ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik dhe thekson pabarazinë sociale. Ju nxis të gjithëve që profesionalisht t’i ndjekni penalisht të gjitha rastet e korrupsionit me profesionalizëm dhe përkushtim”, tha Delawie.

Konferencën e kanë përshëndetur Ministri i drejtësisë së Republikës së Kosovës, Abelad Trahiri, Kryetari i Gjyaktës Supreme Enver Peci, Ambasadori i Zvicrrës në Prishtinë, Jean-Hubert Lebet, Kryeprokurori i EULEX – it, Claudio Pala, si dhe Julia Jacoby Shefe e ekipit per sundim të ligjit Zyra e BE-së në Prishtinë.

Gjithashtu konferenca ka vazhduar punimet sesione të ndryshme ku kanë prezantuar prokkurori, Besim Kelmendi, lidhur me hartimin dhe zbatimin e rregullave, udhëzimeve dhe vendimeve të përgjithshme dhe të detyruesheme nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu, anëtari i Këshillit Prokurorial prokurori, Bahri Hyseni, ka prezantuar aktet nënligjore të miratuara nga Këshilli.

Zëvëndëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, ka prezantuar objektivat e prokurorit të Shtetit për vitin 2018.

Përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë prezantuara para prokurorëve programin e bursave për studime në programin master të Universitetit Wake Forest në SHBA. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)