04 Dhjetor 2020

Caktohet masa e paraburgimit ndaj E.F për kanosje

Prizren, 18 nëntor - Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.F., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të kanosjes nga neni 181 par. 4 të KPRK-së.

Gjyqtari i procedurës paraprake – Fatmir Krasniqi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet prej datës 16.11.2020 deri me datën 15.12.2020.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se e pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e Prokurorisë së Shtetit, po ashtu janë përmbushur kushte për caktimin e paraburgimit të përcaktuar me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, sepse hetimet në këtë çështje sapo kanë filluar, dhe për shkak se ekzistojnë rrethana të veçanta se i pandehuri dhe e dëmtuara janë anëtarë të familjes, andaj caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm,

Gjithashtu Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale,  në ambientet familjare – shtëpinë, ku pas fjalosjes dhe mosmarrëveshjeve që i pandehuri kishte me të dëmtuarën – nënën e tij, e kanos se do ta privoj nga jeta, në atë mënyrë që pasi i pandehuri i kërkon para nënës së tij dhe e njëjta nuk kishte para për ti dhënë, i pandehuri revoltohet dhe me përdorim të mjetit të rrezikshëm, duke e marrë sëpatën e kanos të dëmtuarën – nënën e tij, me ç ‘rast tek e dëmtuara shkakton frikë, pasiguri, ankth për jetën e saj.

Andaj caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit është i bazuar në ligj dhe i arsyeshëm dhe se do të siguroi zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës hetimore dhe sigurimin e prezencës së të pandehurit, duke pasur parasysh edhe rrethanat se raportet e të pandehurit me të dëmtuarën janë të acaruara, këto për Gjykatën tregojnë rrezikun se me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i përsëritjes së veprës së njëjtë penale.

Gjykata Themelore në Prizren ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurës në procedurë penale, mirëpo ka ardhur në përfundim se masa tjera janë të pamjaftueshme, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyra dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Dhjetor 2020 - Mbahet seanca fillestare për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti Special - krimet e rënda me c'rast avokati mbrojtës do te jep deklaratë për mediet pas seancës. (Gjykata Themelore në Prishtinë, ora 9:30)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti do të mbaj një takim virtual me presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Alexis Mourre dhe Drejtoreshën e Komisionit të Arbitrazhit për Evropë, Laetitia de Montalivet. (Takim virtual, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilja Redzepi, do të bëjnë nënshkrimin e kontratave me përfituesit e thirrjes për përkrahjen e OJQ-ve dhe individëve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:00)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime organizon aktivitetin “Tuneli i Fundit” në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vitet e fundit në Kosovë, dita e dytë. (Përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton shkresën e Artan Qerkinit përfaqësues i Malcolm Simmons, ish kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, “Përgjigje në ftesën për të dëshmuar para Komisionit për Legjislacion” si dhe njoftohet me shkresën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Tomas Szunyong, për emërimin e Karin Hernmark Ahliny, Ambasador i Suedisë, anëtar i Bordit  Mbikëqyrës  të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:15)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Arban Abrashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit te Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Organizata Etea dhe Aleanca Franceze në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës Franceze do të mbajnë takimin e parë të huazimit të librave. (Tek objekti i Aleancës Franceze, ora 11:00)

- Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) mban konferencë për medie lidhur me një hetim ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e energjisë elektrike. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, ora 11:15)

- Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odalovic do të mbajnë konferencë për media lidhur me varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. (Lokacioni i varrezës masive në Kizhevak  të Serbisë, ora 12:00)

- Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit N. M., i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për veprën penale “vrasje e rëndë” pasi qe në  fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i pandehuri dyshohet që pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë - shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtoren e Insitutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë plotëson listën e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban konferencë për media me rastin e dorëzimit të padisë për konflikt administrativ kundër vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji”. (Para Pallatit të Drejtësisë, ndërtesa A, ora 14:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pret në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ku pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. (Objekti i MPJD-së, ora 14:00)