19 Prill 2024

Berisha kërkoi nga Shqipëria përkrahje për integrimin në NATO

Prishtinë, 26 shtator - Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), zotëri Rrustem Berisha me ftesë të ministres së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, zonjës Olta Xhaçka qëndroi për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Ministri Berisha dhe delegacioni i Ministrisë për FSK u prit në Ministrinë e Mbrojtjes me ceremoni ushtarake.

Në takimin e përbashkët të ministrit Berisha dhe ministres Xhaçka  dhe  të delegacioneve të tyre u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe shtetërore si dhe për bashkëpunimin e suksesshëm në mes dy ministrive.

Fillimisht, ministri Berisha e uroj ministren Xhaçka për detyrë e re duke i shprehur edhe besimin e palëkundur se të dy ministritë dhe dy shtetet tona do të vazhdojnë zhvillimin e marrëdhënie të shkëlqyera dhe  do  të intensifikojnë bashkëpunimin  mes tyre në të ardhmen.

Më tej, ministri Berisha tha se karakteri i kësaj vizite ishte më tepër njoftues dhe ka për qëllim ta zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe kjo është në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit rajonal të të gjitha vendeve të rajonit’.

Gjithashtu, ministri Rrustem Berisha shtoi se Republika e Kosovës synon që të promovojë raportet e mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit.

"Jo vetëm për të minimizuar kërcënimet dhe rreziqet, por edhe për të tejkaluar trashëgiminë e së kaluarës, sepse në këtë rajon kemi pasur një trashëgimi jo fortë të mirë dhe shpresojmë  se do të gjejmë mënyra dhe forcë qe t’i tejkalojmë të gjitha barrierat, të cilat do të rrezikojnë sigurinë e brendshme, sigurinë rajonale dhe sigurinë globale’’, potencoi Berisha.

Ministri Berisha, gjatë vizitës së tij,  me theks të veçantë foli për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

"E njoftova ministren se Qeveria e Republikës së Kosovës një ndër prioritet e saj ka edhe forcimin e institucioneve të sigurisë. Në kuadër të saj është edhe transformimi i Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës’’.

Në fund, ministri Berisha tha se ,,ne synojmë që bashkëpunimin e mëhershëm ndërmjet Ministrisë së FSK--së dhe Ministrisë së Mbrojtjes ta avancojmë edhe më tej. Deri më tani kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer sidomos në fushën e arsimimit dhe trajnimeve, ku janë organizuar kurse të ndryshme, që nga kursi bazik deri në kursin e avancuar."

"Presim nga Ministria e Mbrojtjes që të kemi përkrahje dhe mbështetje për anëtarësim në iniciativa rajonale dhe integrimin në NATO, dhe besojmë që pas këtij takimi njoftues ministrja Xhaçka në agjendën e saj do të parashohë një vizitë në Kosovë, konkretisht në Ministrinë e Forcës për Sigurinë e Kosovës’’.

Ndërsa, ministrja Xhaçka u shpreh se takimi ishte një mundësi e shkëlqyer për ta uruar zotin Berisha për detyrën e re në krye të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

"Jam e bindur se zoti ministër, por edhe Qeveria e re e Republikës së Kosovës e drejtuar nga zoti Haradinaj do të vijojnë punën e shkëlqyer për integrimin e vendit të tyre në strukturat euro-atlantike", vleresoi ajo.

Më tej, ministrja shqiptare e Mbrojtjes theksoi: ,,E sigurova zotin ministër se mbështetja jonë do të vijojë të jetë konkrete dhe maksimale si në rrafshin politik ashtu edhe në atë teknik. E gjithë eksperienca e Shqipërisë në rrugën e integrimit të plotë në NATO do të vijojë të përcillet me profesionalizëm dhe me dashamirësi tek vëllezërit tanë kosovarë’’.

Gjithashtu, ministrja Olta Xhaçka tha se Aleanca më e madhe ushtarake e botës, një bashkim vlerash dhe përpjekjesh në mbrojtje të jetës, lirisë dhe demokracisë së popujve të shteteve anëtare, e ka prioritet të qartë politikën e “dyerve të hapura” të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Si dhe integrimi i plotë i Ballkanit në NATO, do të thotë më shumë siguri, më shumë stabilitet, më shumë demokraci, jo vetëm për vendet anëtare, por edhe për Aleancën në tërësi. Për më tepër integrimi është një ëndërr e përbashkët e popujve të Ballkanit, të cilët meritojnë të shpërblehen për sakrificat e tyre.

Në fund, ministrja shqiptare e Mbrojtjes tha: ,,I shpreha zotit ministër, bindjen time se, Republika e Kosovës, me ndihmën e pakursyer të vendeve aleate dhe atyre partnere, në përputhje me legjislacionin e brendshëm të saj, do të realizojë shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të saj’’, përfundoj ministrja Xhaçka.

 Ndërkaq, ministri i FSK-së zotëri Rrustem Berisha, gjeneral brigade Bashkim Jashari, shef i Inspektoratit të FSK-së,  gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, shef i Departamentit për Operacione dhe Trajnime, drejtori i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, Ibrahim Shala, këshilltari ushtarak i ministrit, kolonel Fadil Hadergjonaj dhe shefi i kabinetit të ministrit, Latif Leka, si dhe atasheu i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës i akredituar në Tiranë, nënkolonel Enver Dugolli, zhvilluan një takim me oficerët të cilët aktualisht janë duke u shkolluar dhe specializuar  në institucionet ushtarake shqiptare.

Më pas, Ministri i FSK-së, z. Berisha dhe delegacioni i FSK-së të shoqëruar nga zëvendësministri shqiptar i Mbrojtjes, z. Petro Koçi dhe oficerë të lartë shqiptarë vizituan edhe Batalionin e Forcave Speciale në Zall Herr të Tiranës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)