15 Tetor 2019

Ambasadori i Britanisë vizitoi Qendrën e Trajnimit për Kërkim Shpëtim të FSK-së

Prishtinë, 17 shtator - Sot, ambasador i Britanisë së Madhe në Republikën e Kosovës, Nicholas Abbott, vizitoi  Qendrën e Trajnimit për Kërkim-Shpëtim në kazermën „Evropianët e Rijnë“ në Pomozatin, me ç ‘rast u  mirëprit nga shefi i Shtabit i Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC), nënkolonel Shpend Zogaj, i cili e njoftoi atë me të arriturat e përgjithshme të këtij regjimenti si dhe vizionin për të ardhmen.

Ambasadori Abbot, gjatë kësaj vizite takoi studentët pjesëmarrës të trajnimit „Menaxhimi i Rrezikut nga Trauma“ (TRiM), si dhe vizitoi objektet e QTKSH-së: kornizën e helikopterit; vagonët e trenit; ndërtesat e shembura dhe gjysmë të shembura; zonën e përplasjes masive të trafikut dhe kullën e lartë të ushtrimeve.

 Ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Abbot, gjatë vizitës së tij, nga shefi i qendrës së trajnimit u informua rreth planeve për ndërtimin e infrastrukturës së QTKSH-së, për ta bërë një qendër të kompletuar për trajnime të kërkim-shpëtimit, jo vetëm për pjesëtarët e FSK-së, por edhe të rajonit dhe më gjerë.

Nga ana e tij, ambasadori Abbot, vlerësoi QTKSH-në, për gjithçka që ka arritur deri me tash dhe veçanërisht për vizionin e saj për të ardhmen. Ai gjithashtu premtoi vazhdimin e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për FSK-në dhe QTKSH-në.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 tetor 2019

-  Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media lidhur me zhvillimet në sektorin privat. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëorganizim me MASHT-in dhe OJQ – të mjedisore do të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Ecjes së Lirë në Natyrë. (Parku “Germia”, ora 10:00)

- Shoqata Down Syndrome Kosova në bashkëpunim me GIZ-in gjerman organizon “Panairi i karrierës: takimi i punëdhënësve me punëkërkuesit” i cili zhvillohet në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” organizon takimin Fakultet-Biznese, ku do të diskutohet për të ardhmen e Fakultetit dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe praktikes per studentet. (Objekti i Universitetit të Gjilanit, ora 12:00)

- Hapet edicioni i dytë i Metamorphosis. Flirting with leftovers e cila është një  intervenim artistik, specifik për lokacionin,  konceptuar nga artistja Koja. (Ish Restorant Marsi, rr. Bedri Gjini - Kodra e Trimave, ora 18:30)