04 Tetor 2022

Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

Prizren, 2 gusht - Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës S.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e njëjta ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1,  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, e pandehura S.K., si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar në cilësi të përmbarueses private, i tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitoj dobi për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktoj dëm personit tjetër, në atë mënyrë që me datë 22.12.2021 rreth orës 10:00, në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G., nga fshati Studenqan – Komuna e Suharekës, urdhëron përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e konfiskon traktorin e tipit “Hurliman” duke mos qenë pronë e të dëmtuarit por pronë e tani të ndjerit H.B., nga fshati Reshtan - Komuna e Suharekës, të cilin e dërgon në pllacin ndërtimor të kreditorit B.G., NPT “L.”, në rrugën e Reshtanit të Suharekës.

Me këto veprime e pandehura ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 tetor 2022

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë takohet me delegacionin e administratës së Parlamentit të Republikës së Austrisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 8:30)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë organizon ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunave të rajonit, Prishtinës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës dhe Fushë Kosovës dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga analiza e procedurave të prokurimit publik lidhur me shpenzimet publike të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020 – 2022. (Restorant Boho, ora 10:00)  

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportn Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Në kuadër të aktiviteteve kulturore artistike brenda institucioneve korrektuese, nesër në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, do të shfaqet Filmi “ Sffaragette”. (Qendra Korrektuese për Femra Lipjan, ora 11:00)

- Me rastin e 4 Tetorit, “Ditës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve”,  Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, OJQ-në Fondacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve si dhe Fondacioni për mbrojtjen e kafshëve Vier Pfoten Kosova do të shënojmë këtë ditë në Pyllin e Arinjve Prishtina. (Fshati Mramor, afër liqenit të Badovcit, ora 11:00)
 
- Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Rahovec, përgjatë gjithë muajit tetor, si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, çdo ditë pune ofron shërbimin e mamografisë falas për të gjithë. (Rahovec, ora 11:00)

- Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Kosovës Agron Llugaliu dhe Doganës së Shqipërisë Genti Gazheli do të inspektojnë punët në hapësirat e përbashkëta të Portit të Durrësit. (Porti i Durrësit, ora 12:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton në parim i Projektligjit për Sigurinë e përgjithshme të produkteve si dhe formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për komunikimet elektronike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)