28 Mars 2024

Aktakuza të pabazuara, kompensime minimale

Prishtinë, 22 shkurt - Një numër i madh i zyrtarëve publikë dhe qytetarëve në Kosovë janë akuzuar për vepra të ndryshme pa pasur prova të qëndrueshme nga prokuroria dhe në shumë raste janë mbajtur në paraburgim apo në arrest shtëpiak, por pas procesit gjyqësor janë shpallur të pafajshëm.

Me gjithë imazhin që u është dëmtuar, për raste të tilla nuk ka buxhet të mjaftueshëm që të kompensohen për dëmin që u është shkaktuar. Buxheti i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për këtë kategori nuk është as gjysmë milioni euro.

Pavarësisht që ky buxhet është rritur paksa në këto dy vitet e fundit, rastet e paraqitura tregojnë se kjo shumë është ende e pamjaftueshme.

Në vitin 2018, buxheti për kompensimin e personave të arrestuar dhe të shpallur të pafajshëm ka qenë 350 mijë euro. Për vitin 2019 është propozuar që KGJK-ja për kompensim të këtë në dispozicion 500 mijë euro.

Preportr ka analizuar kërkesat për kompensim që janë bërë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe ka gjetur se në tri vitet e fundit numri i kërkesave është dyfishuar nga 63 që kanë qenë në vitin 2010 në 153 raste në vitin 2017.

Numri në rritje i kompensimeve për personat e arrestuar të cilët pastaj janë shpallur të pafajshëm flet për punën dhe efikasitetin e gjykatave dhe të prokurorive. Raportet që i ka bërë organizata ÇOHU tregojnë se në shumë raste prokuroria në vitet e fundit ka dështuar t’i dërgojë rastet deri në fund.

Ekipi i Preportr ka realizuar intervista me disa nga palët e dëmtuara të cilat pastaj kanë kërkuar kompensime nga shteti i Kosovës për dëmin që u kanë shkaktuar aktakuzat e pabaza dhe heqja e lirisë.

Kriteret për kompensim për të dënuarit apo të arrestuarit të cilët janë shpallur të pafajshëm, janë të caktuara në Udhëzimin Administrativ 04 /2015.

Njohësit e të drejtave të njeriut dhe juristët vlerësojnë se ky udhëzim është diskriminues për shkak se trajton/kompenson të gjitha palët njëjtë pavarësisht rasteve për të cilat ishin të akuzuar.

Prokurorët shpesh kanë bërë aktakuza të pabazuara të cilat janë hedhur poshtë nga gjykatat. Sipas të dhënave që Preportr i ka marrë në Këshillin Prokurorial të Kosovës, që nga viti 2014 ka pasur rritje të aktakuzave të hedhura poshtë nga gjykatat. Rritja më e madhe ka ndodhur në vitin 2016 ku janë hedhur poshtë 1 mijë e 320 aktakuza.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është organi publik kompetent në lëmin e çështjeve gjyqësore, ku i dëmtuari e paraqet kërkesën për kompensim të dëmit.

Gjithashtu viteve të fundit ka pasur rritje të trendit të kërkesave për kompensim. Në vitin 2010 ka pasur 63 kërkesa, ndërsa në vitin 2017 numri i kërkesave ka arritur në 153. Astrit Hoti, drejtor i Njësisë për Çështje Ligjore, Analiza dhe Hulumtime në KGJK thotë se gjatë vitit 2018 janë trajtuar 138 kërkesa të tilla.

Avokati Artan Qerkini thotë se prokuroria dhe gjykatat duhet të kenë shumë kujdes sidomos me rastet e paraburgimit, sepse asnjë qytetar në bazë të legjislacionit aktual nuk ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim vetëm nëse është pjesë e procedurës penale, por ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim vetëm nëse është privuar nga liria.

Qerkini thotë se një nga arsyet e rritjes së kërkesave për kompensim është se prokuroria dhe gjykatat nuk kanë qenë të vëmendshme sa duhet kur e kanë dërguar një person në paraburgim apo në arrest shtëpiak.

Ai thotë se gjykatat më shumë duhet t’i aplikojnë ato masa për qëllime të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por edhe për ta ruajtur buxhetin e shtetit.

“Paraburgimi është masa e fundit, pasi që ka edhe disa masa të tjera që janë me natyrë procedurale e të cilat një të dyshuar mund ta parandalojnë nga arratisja apo nga ndikimi në prova”, thotë Qerkini.

Në raportet e organizatës Çohu janë nxjerrë në pah shkeljet dhe mosrespektimi i afateve ligjore për nisjen e një shqyrtimi gjyqësor, si probleme të theksuara që ndikojnë në efikasitetin e gjyqësorit në përgjithësi.

Duke u bazuar në të dhënat e monitorimit të organizatës ÇOHU, të cilat janë paraqitur në raportin “Qasja në drejtësi dhe të drejtat e njeriut”, thuhet se pothuajse në të gjitha rastet e monitoruara kishte shkelje dhe mosrespektim të afateve, varësisht nga faza e shqyrtimit gjyqësor (shqyrtimi fillestar, dytësor dhe ai kryesor, si dhe përfundimi i një shqyrtimi kryesor). Sipas këtyre të dhënave, në disa raste shqyrtimet e tilla zgjasnin deri në 655 ditë, megjithëse afati për veprimin procedural ishte 30 deri në 40 ditë.

Vonesat kaq të mëdha në kryerjen e një rasti sipas Florent Spahiut nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kanë krijuar shumë vështirësi për personat e akuzuar, dhe jo vetëm të personave publikë por edhe të qytetarëve të tjerë. Kjo sipas tij ka pasur pasoja zinxhirore pasi që në Kosovë përveç dëmtimit të rëndë të imazhit, të bëhet edhe gjykimi publik.

Florent Spahija e shpjegon në disa mënyra arsyen përse është rritur numri i atyre që kompensohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për dëmin që u është shkaktuar. Sipas tij, potencialisht mund të jenë disa faktorë që kanë mundur të ndikojnë në rritjen e numrit të personave që kërkojnë kompensim.

“Mund të jetë që qytetarët janë vetëdijesuar dhe kërkojnë kompensim për dëmin që u është bërë, e dyta mund të jetë se kemi numër më të madh të aktakuzave sepse është rritur numri i prokurorëve, dhe e treta, kemi prokurorë më të dobët pasi kemi numër më të madh të aktakuzave të hedhura poshtë”, thotë Spahija.

Sipas tij, nëse prokuroria e sheh që rastet e personave që kërkojnë kompensim po rriten, ajo duhet të ndërhyjë për të parë se cilat janë arsyet për shpeshtimin e rasteve të tilla.

Spahija thotë se prokuroria do të duhej që në këto raste të kompensuara të shihte se cila ka qenë performanca e prokurorit, pra nëse kjo kishte ndodhur pasi prokurori nuk e kishte kryer punën si duhet.

“Nëse kjo nuk do të bëhej në të gjitha rastet, ka mundësi që kjo të bëhet në rastet ku kompensimet kanë qenë më të larta, dhe pastaj në bazë të kësaj të merrej një vendim. Një masë tjetër që do të duhej të ndërmerrej do të ishte që rastet të kryhen më shpejt. Edhe kjo pritje e gjatë që të kryhet një rast do të mund të shkaktonte rritjen e numrit të rasteve që kërkojnë kompensim”, thotë ai.

Të gjitha këto masa, sipas tij, duhet të ndërmerren sepse në njërën anë shteti ka bërë shpenzime në momentin që e ka ngritur aktakuzën, ka harxhuar kohë e resurse për ta dërguar dikë para përgjegjësisë. Në të njëjtën kohë, nëse ai prokuror nuk e ka kryer punën siç duhet, përveç që personi është shpallur i pafajshëm, ai ka kërkuar edhe kompensim, dhe në këtë rast dëmi është shumë më i madh.

Muhamet Çertik nga Prizreni ishte akuzuar si i dyshuar për një vjedhje të armatosur në një nga barnatoret e qytetit. Ai kishte qëndruar në paraburgim në Prizren nga 21 shtatori i vitit 2016 deri me 19 maj 2017.

Sipas tij, në stacionin e policisë ia kishin treguar xhirimin e kamerës ku kishte ndodhur vjedhja dhe e kishin pyetur se a ishte ai personi që shihej në xhirim. Muhameti kishte mohuar të ketë qenë në atë kohë në atë barnatore. Për më tepër ai thotë se në video nuk shihej fare fytyra e personit që e kishte kryer vjedhjen, por policisë i ishte dukur se e kishte ecjen dhe vrapimin e njëjtë me personin që është kapur nga kamerat e barnatores.

“Më kanë maltretuar, më kanë rrahë shumë, sa e kam kërkuar ndihmën e mjekut”, thotë Muhameti.

Ai tregon për Preportr se në stacionin e policisë ndërkohë kishte ardhur punëtorja e barnatores dhe kishte deklaruar se ai ishte personi që e kishte kryer vjedhjen nën kërcënimin e armës.

“Por ata më kanë vendosë vetëm mua në zyre që ajo të më identifikonte. Nuk ka pasë persona të tjerë, se ndoshta kish thënë për dikë tjetër”, thotë ai.

Pas identifikimit që ia kishte bërë punëtorja, atij i ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila i kishte zgjatur tetë muaj, pra deri në përfundimin e gjithë procesit gjyqësor.

Muhameti kishte angazhuar një avokat dhe gjatë procesit të hetimeve doli se nuk kishte fakte se ai ishte autor i vjedhjes së armatosur dhe si rrjedhojë u lirua me vendim të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Ai e ka mirëpritur vendimin, por thotë se ka qenë i vonuar dhe se kjo vonesë atij i ka shkaktuar shumë vuajtje.

Muhameti ishte kryefamiljar dhe mbajtja në paraburgim i kishte shkaktuar vuajtje atij dhe familjes, si në aspektin emocional ashtu edhe në atë financiar.

Muhameti që e ka të kryer vetëm shkollën fillore, thotë se para se ta burgosin ka punuar kohë pas kohë kudo që ka gjetur punë.

“Aktualisht nuk jam duke punuar. Ende nuk po mund të vij në vete pas burgut që e kam mbajtë”, thotë ai.

Në anën tjetër thotë se mbajtja e tij për tetë muaj në paraburgim ia ka prishur edhe imazhin në rrethin ku jeton dhe se i duket se të tjerët po e shohin si kriminel. E kjo thotë se mund t’ia vështirësojë edhe më shumë gjetjen e një vendi të punës.

Duke marrë parasysh se është shpallur i pafajshëm, avokati i tij Gent Gjini ka bërë kërkesë pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kompensim financiar. Për shkak të privimit nga liria, vuajtjeve shpirtërore dhe shpenzimeve të tjera, ai ka kërkuar kompensim prej 12 mijë e 500 eurove.

Pas shqyrtimit të rastit, KGJK-ja ka arritur marrëveshje me avokatin për ta kompensuar palën e tij me 4 mijë e 135 euro.

Muhameti thotë se kjo shumë nuk i ka mjaftuar as sa një çerek të asaj që ka vuajtur gjatë qëndrimit në paraburgim.

“Me i thanë shtetit të Kosovës kthemi ato tetë muaj jetë, unë nuk t’i dua as 400 mijë euro, jo katër mijë”, thotë ai.

Avokati Gjini ka thënë për Preportr se klienti i tij është kompensuar vetëm për ditët e qëndrimit në paraburgim. “Vuajtjet shpirtërore nuk janë llogaritur fare”, thotë ai.

Gjini thotë se në marrëveshjen për kompensim me KGJK-në, është përmendur edhe një klauzolë, e cila thotë se pala e pakënaqur nuk do të mund të ngre padi për këtë çështje. Pala mbrojtjëse këtë klauzolë e konsideron të padrejtë.

Kompensim kërkojnë edhe ish-luftëtarët e UÇK-së

Kompensim financiar ka kërkuar edhe Sami Lushtaku, ish-komandat i UÇK-së dhe ish-kryetar i Komunës së Skenderajt.

Ai është shpallur i pafajshëm, por para marrjes së këtij vendimi nga Gjykata Supreme, Lushtaku ka vuajtur katër vite e një muaj burgim.

Duke marrë parasysh që është shpallur i pafajshëm, avokati i tij Arianit Koci me 20 nëntor të vitit 2018, ka bërë kërkesë për marrëveshje për kompensim financiar me KGJK-në.

Në kërkesë thuhet se Lushtaku është dënuar dhe është mbajtur në burgim pa arsye, dhe kërkon kompensim në emër të dëmit material dhe jomaterial të shkaktuar si rezultat i dhimbjes, vuajtjes shpirtërore të intensitetit të lartë, cenimit të së drejtës së reputacionit dhe të drejtës së personalitetit, shpenzimeve lidhur me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, shpenzimeve për vizitat familjare, dërgimin e pakove dhe transportin për anëtarët e familjes.

Gjithashtu ishte kërkuar kompensim për detyrimet financiare ndaj avokatit për të gjitha veprimet e ndërmarra në procedurën penale të zhvilluar ndaj tij.

Duke i marrë parasysh të gjitha arsyet e përmendura më lart, Sami Lushtaku kërkon nga komisioni i KGJK-së kompensimin prej gjithsej 1 milion e 446 mijë e 890 euro.

Gjate gjithë procesit gjyqësor të zhvilluar ndaj Sami Lushtakut nga dita e arrestimit e deri në ditën e lirimit të tij nga të gjitha akuzat, janë mbajtur 50 seanca.

Gjithashtu edhe Fatmir Limaj, i akuzuar për rreth tetë vite për krime lufte gjatë vitit 1999, ka vendosur që të vazhdoj përballjen për drejtësi. Në vitin 2016 pasi ishte shpallur i pafajshëm në rastin e njohur si “Kleçka”– Limaj ka kërkuar kompensim për dëmet që i janë shkaktuar si rezultat i privimit nga liria.

Vërtetimi i pafajësisë pas përballjes së tij tri herë radhazi me sistemin e drejtësisë, ka bërë që Limaj në vitin 2016 të kërkojë kompensim dëmi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK ), saktësisht 6 milionë e 987 mijë e 314 euro.

I njohur si ish-komandant “Çeliku”, Limaj nuk u nda i kënaqur me vendimin e KGJK-së të vitit 2017 ku ky institucion kishte ofruar vlerën prej 7 mijë e 305 euro si kompensim për pafajësinë e tij. Shuma e ofruar nga KGJK, nuk arrinte as një përqindëshin nga shuma prej afër shtatë milionë eurove që kishte kërkuar Limaj.

Menjëherë pasi mori këtë ofertë, ai se bashku me avokatin e tij Tahir Rrecaj, e kishin refuzuar duke e quajtur ofertë simbolike dhe kishin paralajmëruar padi civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë për kompensim të dëmit.

"Më 20 mars 2016, Komisioni për Kompensim dëmi ka shqyrtuar kërkesën e z.Limaj ku ka vendosur që për paraburgim pa bazë ligjore ti kompensohet shuma prej 1,425.00 euro, ndërsa për arrest shtëpiak shuma prej 5,760.00 euro. Përfaqësuesi i autorizuar i z.Limaj nuk e ka pranuar këtë shumë duke theksuar se do të shkojë në kontest civil për ta realizuar këtë kërkesë", ka thënë Astrit Hoti i cili është drejtor pranë Departamentit Ligjor në KGJK.

Preportr ka kërkuar të intervistojë Limajn për të marrë më shumë detaje dhe për të parë se a ka ndodhur ndonjë zhvillim për rastin e tij, por ky i fundit nuk është përgjigjur.

Edhe Besim Shurdhaj ka qenë i akuzuar për krime të luftës. Ai ka qëndruar 85 ditë në paraburgim dhe 546 ditë në arrest shtëpiak dhe pastaj është shpallur i pafajshëm.

Artan Qerkini, avokat i Besim Shurdhajt thotë se gjatë gjithë këtij procesi të gjatë, klienti i tij është privuar nga liria dhe ka pësuar vuajtje shpirtërore dhe rënie të reputacionit si afarist.

Për këtë arsye Qerkini fillimisht ka bërë ankesë në KGJK për kompensim. Më 20 mars 2017 ka arritur marrëveshje të pjesshme me këtë institucion vetëm në lidhje me kompensimin e dëmit material - fitimin e humbur në vlerë rreth 5 mijë euro.

Për dëmet e tjera nuk është arritur marrëveshje dhe avokati Qerkini më 24 mars 2017 ka bërë padi civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj KGJK-së, ku kërkon 300 mijë euro për klientin e tij.

Fitoi mijëra euro në emër të kompensimit

Për herë të parë në vitin 2018 ndonëse kërkesëpadia ishte bërë vite më parë, një palë e dëmtuar e ka fituar rastin në gjykatë në të gjitha shkallët, dhe në emër të kompensimit ka marrë 38 mijë euro që i bjen gati 10 për qind të shumës totale që e ka Këshilli Gjyqësor i Kosovës për kompensim.

Para disa vitesh një palë e dëmtuar kishte bërë kërkesëpadi për kompensim të dëmit që i ishte bërë nga një proces gjyqësor, ku personi ishte i akuzuar për krime lufte. Rasti ishte endur nëpër gjykata disa vite, derisa në fund sivjet është kryer me vendim të formës së prerë. Pas këtij vendimi pala paditëse ka përfituar disa qindra mijëra euro në emër të vuajtjeve psikike, shkeljes së dinjitetit dhe lirisë.

Në aktgjykimin që e ka siguruar Preportr thuhet se gjykata e ka detyruar të paditurën, Republika e Kosovës-Këshillin Gjyqësor të Kosovës në Prishtinë, që paditësit N.P. nga Komuna e Kaçanikut, në emër të kompensimit të dëmit jomaterial, t’ia paguajë shumën e mjeteve prej 35,000.00, ku hyjnë 25,000.00 euro në emër të vuajtjeve psikike, dhe 10,000.00 euro në emër të shkeljes së dinjitetit dhe lirisë. Shuma tjetër (rreth 3,000 euro) përfshin shpenzimet tjera që i ka bërë paditësi gjatë procesit gjyqësor.

Fillimisht paditësi kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës shumën prej 158,214.70 euro por ajo ishte refuzuar nga gjykata si e pabazuar.

Ky rast është i pari në të cilin pala e dëmtuar ka përfituar mjete në emër të dëmit të shkaktuar, ndërsa kur zyrtarët e KGJK-së u pyetën se si do të vepronin me rastet e ngjashme nëse paraqiten në të ardhmen, ata thanë se në rastin e N.P. nga Kaçaniku gjykatat kanë sjellë një praktikë gjyqësore dhe është në dorën e tyre (gjykatave) të vendosin për raste të tilla.

“Kjo çështje ka kaluar të gjitha shkallët dhe mendojmë se gjykatat kanë sjellë një praktikë gjyqësore se si do të vendoset edhe me çështje të tjera pa paragjykuar rastet. Përafërsisht në këtë çështje gjykata ka vendosë që për një ditë të qëndrimit në paraburgim në emër të dëmit jomaterial personi të kompensohet me 50 euro”, thotë Hoti.

Florent Spahija nga Insituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke e komentuar aktgjykimin në fjalë thotë se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial duhet të merren me rastin konkret për të parë se pse ka ardhur deri te një gabim i tillë që pala të mbahet për më shumë se 500 ditë në paraburgim, dhe për të nuk ka pasur prova fajësuese.

“Normalisht prokurori i rastit por edhe gjyqtari apo trupi gjykues, do te duhej te pësonin për humbjet qe tash i ka buxheti i Kosovës”, thotë ai.

Duke u bazuar në këtë aktgjykim Spahija konsideron që tema e kompensimit do të jetë një temë që në vazhdimësi do t’i përcjellë gjykatat tona, kjo për shkak të paaftësisë, neglizhencës e numrit të vogël të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe mos kryerjes me kohë të lëndëve.

“Vonesa në procedura gjyqësore do te ketë vazhdimisht kosto të dyfishtë për buxhetin e Kosovës, fillimisht trajtimi i lëndës e zgjatja e saj, e më pas përfundimi (në rastet e shpalljes si i pafajshëm) kërkesa për kompensim për shkak te ballafaqimit pa ndonjë arsye me drejtësinë”, thotë ai.

Udhëzimi që rregullon kompensimet- i padrejtë

Shteti i Kosovës nuk ka arritur të garantojë kompensim të drejtë për qytetarët që shpallën të pafajshëm. Pavarësisht që kjo e drejtë është e garantuar me kushtetutë dhe me ligjet përkatëse, shuma që shteti ndan për të kompensuar qytetarët e pafajshëm është shumë e vogël.

Sipas avokatit Kujtim Kerveshi "mjetet të cilat ndodhen në dispozicion për kompensimin e rasteve të tilla nuk mbulojnë as përafërsisht përqindjen e mjeteve të cilat duhet të kompensojnë gjithë demin që shkaktojnë institucionet tona në rastet e tilla".

Kriteret për kompensim për të dënuarit apo të arrestuarit të cilët janë shpallur të pafajshëm, janë të caktuara në Udhëzimin Administrativ 04 /2015. Kompensimi për një ditë për dëmin material është 9 euro, për dëmin jomaterial 6 euro, për pako dhe vizita familjare për një muaj 50 euro, kurse për përfaqësues të autorizuar (avokat), nëse e kanë një të tillë, i marrin 120 euro. E njëjta vlen për arrest shtëpiak, porse në këto raste nuk paguhen pakot dhe vizitat familjare.

Njohësit e të drejtave të njeriut dhe juristët vlerësojnë se ky udhëzim është diskriminues për shkak se trajton/kompenson të gjitha palët njëjtë pavarësisht rasteve për të cilat ishin të akuzuar.

Në shumicën e vendeve të tjera e drejta për kompensim trajtohet në domenin e të drejtës civile si procedurë e veçantë, ku pala e cila konsideron që i është bërë e ndonjë padrejtësi nga sistemi i drejtësisë ka të drejtë të bëjë kërkesë ndaj shtetit për kompensim.

Sipas Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari kjo mënyrë e rregullimit të së drejtës për kompensim nuk është e duhura.

"Për një periudhë të gjatë UNMIK-u në Kosovë ka përcaktuar një standard, një vlerë kompensimi, që për mendimin tim është qasje e gabuar sepse vlerësimi ka qenë linear, për të gjithë i njëjtë. Nuk është standard që aplikohet në vende të tjera. Nuk mundesh në dy raste me përdorë shumën e njëjtë të kompensimit sepse llogaritën shumë gjëra. Asnjë person nuk është në pozicion të njëjtë", ka thënë Jashari.

Edhe avokati Kujtim Kerveshi ka thënë për Preportr se rregullimi ligjor i kompensimit të rasteve të tilla është i rregulluar vetëm përgjithësisht dhe si i tillë është krejtësisht i pa qëndrueshëm dhe i pa drejtë.

"Këtë konstatim e bazoj në faktin se palët mund të kenë të kaluar të ndryshme, mund të vijnë nga profesione të ndryshme, gjendje të ndryshme sociale dhe pozitë tjetër shoqërore. Konsideroj se kompensimi është shumë i ulët, e në veçanti është i ulët për palët të cilët si pasojë e kufizimit të lirisë së tyre kanë pësuar dëm jashtëzakonisht të madh. Të tilla raste ekzistojnë në Kosovë dhe sa vijnë dhe shtohen", shton Kerveshi.

Bexhet Shala, drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), thotë se çdo vendim i gabuar gjyqësor ndikon në jetën e atij që akuzohet dhe pastaj lirohet si i pafajshëm dhe ky ndikim ka pasoja edhe tek familjarët e tyre.

Shala thotë se nëse u ndodh diçka e tillë qytetarëve në vende të zhvilluara, ata paguhen shumë, ndërsa në Kosovë pagesa është minimale dhe procedura zakonisht zgjat shumë.

“Kompensimi është në disproporcion me dëmet që i bëhen personit të caktuar”, thotë Shala.

Ai thotë se vendimet nga gjykatat merren nën presion të politikës dhe mediave. Sipas tij, kallëzimet penale, por edhe aktakuzat shpeshherë nuk ndërtohen duke u bazuar në fakte dhe për këtë arsye shpesh janë të paqëndrueshme.

“Kanë krijuar aso pasoja që nuk ka mundur t’i paguajë asnjë kompensim”, thotë Shala.

Disa nga personat që janë privuar nga liria duke u akuzuar, ose janë dënuar dhe pas ankesave në gjykatat përkatëse janë shpallur të pafajshëm, kanë kërkuar ndihmë edhe nga KMLDNJ-ja për çështjen e kompensimit.

Behxhet Shala thotë se në vitin 2018 kanë pasur dy raste të tilla. Ai thotë se KMLDNJ-ja në këto raste e jep vetëm vlerësimin e dëmit që i është bërë personave në aspektin e shkeljes së të drejtave të njeriut. Ai thotë se në raste të tilla kemi të bëjmë me shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

Zvarritja e lëndëve, shkelje e të drejtave të njeriut

Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë që përveç kërkesës për kompensim në KGJK, nëse nuk janë të kënaqur me vendimin e këtij të fundit, të bëjnë kërkesëpadi për kompensim në Gjykatën kompetente.

Duke parë zvarritjen e lëndëve në përgjithësi nga sistemi i drejtësisë në vend, qytetarët e shpallur të pafajshëm, më përpara pranojnë që të arrijnë marrëveshje me KGJK-në për kompensim, sesa të bëjnë padi civile dhe të rrezikojnë që lënda e tyre ose të shqyrtohet pas shumë vitesh ose të parashkruhet. Rrjedhimisht ata marrin kompensime minimale për pafajësinë e tyre.

Në Kosovë mungon një mekanizëm i brendshëm ligjor, nëpërmes të cilit qytetarët të cilëve u është shkelur e drejta në një gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor, në kuptim të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), do të mund të kërkonin kompensim për shkak të shkeljes së kësaj të drejte.

Sipas Avokatit të Popullit, zvarritja e lëndëve shkel Kushtetutën e Kosovës që garanton të drejtën për gjykim të drejtë brenda një afati të caktuar kohor.

"Në raportet tona të vitit të kaluar kemi përmendur se mesatarja për të përfunduar një lëndë në Kosovë është 8.5 vjet e që sipas standardeve të Konventës Evropiane konsiderohet zvarritje e procedurës, shkelje e nenit 6, për shkak se shteti duhet të sigurojë zgjidhje efektive brenda afatit sa më të shkurtër kohor", ka thënë Jashari, duke shtuar se "veç për faktin që u është zvarritur procedura 8 vjet e gjysmë, Gjykata Evropiane e Strasburgut i ka obliguar shtetet që janë nënshkruese të konventës t'i kompensojnë qytetarët sepse ua ka shkelë të drejtën për gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm kohor".

Duhet kujtuar se vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) përcaktojnë qartë se çdo shtet, jo vetëm se ka obligime negative të mos i shkelë të drejtat e përcaktuara në Konventë, por ka edhe obligime pozitive të mbrojë këto të drejta nga rreziku i shkeljes nga persona të tjerë.

Në raportin e fundit të institucionit të Avokatit të Popullit thuhet se gjykatat vazhdojnë të ballafaqohen me numër të konsiderueshëm të lëndëve të vjetra që vazhdojnë të mbesin ende të pazgjidhura, dhe numri i përgjithshëm i lëndëve civile nuk është reduktuar, por është vazhdimisht në rritje.

"Si rezultat i numrit të madh të lëndëve civile nëpër gjykata themelore, qytetarët detyrohen të presin periudha të gjata kohore për t'iu shqyrtuar e finalizuar lënda. Njëkohësisht, është shqetësues fakti se trendi i lëndëve që mbeten të pazgjidhura nga viti në vit është vazhdimisht në rritje, dhe nëse nuk ndërmerren masa për ta përmirësuar këtë gjendje, atëherë gjyqësori mund të shkojë drejt kolapsit", thuhet në raport.

Jashari vlerëson se ekziston problem i madh me legjislacionin në Kosovë sa i përket raportit të barabartë mes qytetarëve dhe shtetit.

"Pjesa më e madhe ligjeve janë të natyrës "shteti duhet të sigurojë këtë apo atë të drejtë për qytetarët" mirëpo nuk ka askund ndonjë dispozitë ndëshkimore nëse shteti nuk arrin të sigurojë apo garantojë atë të drejtë. Sikur të kishim dispozita ndëshkimorë do të hapej porta që shteti të mbahet i përgjegjshëm dhe llogaridhënës ", ka thënë Jashari.

Ndërsa sipas avokatit Kujtim Kerveshi çështja e kompensimit do të marrë vëmendjen e duhur me kohë e sidomos pasi procesi i integrimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të avancojë.

 /Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)