21 Korrik 2019

Agjencia e Kosovës për Forenzikë pranoi certifikatën e Ri-akreditimit të Laboratorëve

Prishtinë, 20 qershor - Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Agjencinë e Kosovës për Forenzikë kanë organizuar ceremoninë e pranimit të certifikatës së Ri-akreditimit të Laboratorëve.

Me këtë rast, ministri Ekrem Mustafa tha se akreditimi i laboratorëve të Agjencisë Kosovare të Forenzikës, është dëshmia më e mirë, për nivelin e lartë të ekspertizës që bëhet në AKF dhe një siguri më shumë për profesionalizmin e punës në të ardhmen.

“Agjencia Kosovare e Forenzikës me misionin, vizionin dhe vlerat që ka, e bën më të kompletuar luftën kundër krimit dhe i jep më shumë kuptim zbatimit të ligjit. Duke qenë në shërbim të ligjit, jemi mbi të gjitha në shërbim të qytetarëve dhe mbrojtjes së interesave të shtetit të Kosovës”, tha ministri Mustafa duke premtuar përkrahjen e mëtejme për AKF-në.

Ndërsa drejtori i AKF-së, Blerim Olluri tha se avancimi i teknologjisë, trajnimi, edukimi dhe profesionalizmi i burimeve njerëzore, e veçanërisht standardizimi i metodave shkencore janë elemente të rëndësishme, në ngritjen e kapaciteteve drejt parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit.

Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka gjithsej gjashtë laboratorë me 41 metoda shkencore.

Laboratorët e ri-akredituar janë: Laboratori për analiza kimike të narkotikëve, Laboratori për serologji dhe ADN, Laboratori i daktiloskopisë dhe traseologjisë, Laboratori i balistikës, Laboratori i dokumenteve dhe dorëshkrimeve.

Ndërsa, është akredituar Laboratori për analizë të eksploziveve, zjarre-vënieve dhe grimcave të barutit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 korrik 2019

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Akademinë Përkujtimore dhe në zbulimin e shtatores së atdhetarit, Shejh Myhedin Shehu, organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit. (Afër Teqes së Madhe të Halvetive, Rahovec, ora 11:00)

- Mbahet dita e dytë e Prishtina Gastronomy Festival i cili ka për qëllim promovimin e gastronomisë shqiptare duke promovuar kuzhinën dhe traditat kulturore shqiptare. (Sheshi “Adem Jashari”, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit hap ofertat e shitjes se aseteve përmes likuidimit nr.49. (Hoteli Grand, ora 12:30)

- Kampistët e Kampit Ndërkombëtar vizitojnë Muzeun Etnologjik. (Muzeu Etnologjik i Kosovës, Rruga “Zija Prishtina”, Prishtinë, ora 18:30)

- Festivali Ndërkombëtarë i Filmit të Animuar - Anibar orgsnizon ceremoninë mbyllëse, ku edhe do të bëhen publik fituesit e garave të katër kategorive. (Kinema e hapur në qënder të qytetit të Pejës, Kinemanë “Urban”, ora 20:00)