12 Prill 2021

Adnan Rexheplar pranon detyrën e Zëvendësministrit të Mbrojtjes

Prishtinë, 2 prill - Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj priti sot, në ditën e parë të punës, zëvendësministrin e ri të Mbrojtjes nga radhët e komuniteteve jo shumicë, respektivisht atij boshnjak, Adnan Rexheplar.

Në pritje ishin të pranishëm edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe shefja e Kabinetit të Ministrit, Agime Gashaj.

Me këtë rast Ministri Mehaj i dëshiroi mirëseardhje zëvendësministrit Rexheplar, të cilin e njoftoi me objektivat e përgjithshëm të tij për të ardhmen dhe shprehu vullnetin e plotë për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë gjatë udhëheqjes së tij.

 Ndër të tjera ai dhe gjeneral Rama e vlerësuan shumë të rëndësishëm rolin e zv.ministrit Rexheplar edhe në zbatimin e politikave të procesit të integrimit të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Forcën e Sigurisë të Kosovës.

Nga ana e tij, zëvendësministri Rexheplar, falënderoi ministrin Mehaj dhe gjeneral Ramën për pritjen dhe gatishmërinë për ta përkrahur gjatë kryerjes së detyrave nga pozita e tij.

 Ai u zotua se me të gjitha kapacitetet dhe përvojën e tij politike, intelektuale dhe profesionale do të angazhohet në realizimin e të gjitha objektivave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 Prill 2021

- Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës hap Ekspozitën “Vullkani” i Republikës, për nder të 40 Vjetorit të demonstratave të Viti 1981, dhe Ekspozitën “70 Vjet Arkiv”. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 10:00)

- Myftiu Naim Tërnava do të japë mesazhin me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit. (Selia e Kryesisë së BIRK-ut, ora 11:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban konferencë për media, në oborrin e Kuvendit të Kosovës, hyrja nga sheshi qendror. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, hyrja nga sheshi, ora 11:30)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Limani-Kazaz, do të bëjnë lansimin e projektit “View Point”. (Afërsi të fshatit Jabllanicë, ora 12:00)