29 Mars 2024

20 mijë e 923 kallëzime lëndë penale të zgjidhura nga Prokurori i Shtetit

Prishtinë, 9 tetor - Më qëllim që të ofrohen informacione dhe të dhëna sa më të detajuara dhe gjithëpërfshirëse për punën, të arriturat, sfidat dhe aktivitetet e përgjithshme, institucioni i Prokurorit të Shtetit ka hartuar raportin e punës për periudhën janar – qershor 2020.

Edhe përkundër faktit se ballafaqimi me pandeminë Covid-19 ka qenë sfidues për organizimin e punës dhe resurseve njerëzore, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, Prokurori i Shtetit ka arritur një performancë të mirë në realizimin e funksioneve prokuroriale në përmbushjen e mandatit kushtetues dhe ligjor.

Në periudhën janar - qershor 2020, Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 20,032 kallëzime-lëndë penale, ndërsa ka arritur t’i zgjidhë 20,923 kallëzime - lëndë penale, apo 891 lëndë penale, ose 4.44% më shumë se sa që ka pranuar në punë gjatë periudhës raportuese.

Bazuar në indikatorët e European Commission for the Efficiency of Justice (CEPEJ), numri i lëndëve të zgjidhura në raport me numrin e lëndëve të pranuara gjatë kësaj periudhe, rezulton që norma e zgjidhjes së lëndëve nga Prokurori i Shtetit është 104.44%.

Shikuar sipas departamenteve, departamentet e krimeve të rënda (DKR) të prokurorive themelore kanë zgjidhur 231 apo 10.97 % kallëzime - lëndë penale më shumë se sa kanë pranuar në punë; departamentet për të mitur (DM) kanë zgjidhur 134 apo 17.29 % kallëzime-lëndë penale më pak se sa kanë pranuar në punë, ndërsa departamentet e përgjithshme (DP), kanë zgjidhur 801 apo 5.84% kallëzime – lëndë penale më shumë se sa kanë pranuar në punë.

Po ashtu, Prokurori i Shtetit i ka kushtuar rëndësi edhe procedurave alternative, ku me kryerës të njohur ka zgjidhur 670 raste me 772 persona. Ndërsa, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2020, me urdhër ndëshkimor janë zgjidhur 750 raste.

Lidhur me rastet e korrupsionit dhe krimit ekonomik, Prokurori i Shtetit në gjashtëmujorin e parë 2020 ka pranuar në punë 297 raste me 502 persona për lëndë të korrupsionit, ndërsa ka zgjidhur 279 raste ose 93,93%, me 580 persona ose 115,53% e personave.

Në anën tjetër, për rastet e krimit ekonomik janë pranuar në punë 225 raste me 370 persona, ndërsa janë zgjidhur 248 raste ose 110,22%, me 326 persona ose 88,10% e personave.   

Ndërkaq për veprat penale të krimit të organizuar, Prokurori i Shtetit gjatë periudhës janar – qershor 2020 kishte në punë 38 raste me 211 persona, prej të cilave janë 4 raste të reja të pranuara në punë me 34 persona. Prej tyre janë zgjidhur 4 raste me 23 persona, ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura 34 raste me 181 persona. Gjatë kësaj periudhe lidhur me aktakuzat e ngritura nga Prokurori i Shtetit, gjykatat kanë vendosur rastet për 7 persona, nga të cilat të gjitha janë vendime fajësuese.

Prokurori i Shtetit i ka trajtuar me prioritet edhe rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, ku gjatë gjysmës së parë të vitit 2020, me kryerës madhorë ishin në punë 96 raste me 177 persona. Prej tyre janë zgjidhur 9 raste me 16 persona, ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura 87 raste me 161 persona.

Sa i përket rasteve të dhunës në familje, gjatë periudhës raportuese, me kryerës madhorë në punë kanë qenë 1662 raste me 1968 persona, prej të cilave 857 raste janë raste reja të pranuara në punë me 1006 persona. Prej tyre, Prokurori i Shtetit i ka zgjidhur 699 raste me 827 persona, ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura 963 raste me 1141 persona.

Me aktakuzë dhe propozim për shqiptim të masave të trajtimit të detyrueshëm, Prokurori i Shtetit ka zgjidhur 81% të personave. Lidhur me aktakuzat e ngritura nga Prokurori i Shtetit, gjatë kësaj periudhe, gjykatat kanë vendosur rastet për 302 persona, nga të cilat 298 janë vendime fajësuese, përkatësisht masa të trajtimit të detyrueshëm.

Edhe Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka ofruar shërbime dhe ndihmë për viktimat e krimit, duke zgjidhur gjithsejtë 803 raste të dhunës në familje, ngacmimit dhe sulmeve seksuale, trafikimit të qenieve njerëzore, dhunimit, prostitucionit dhe rasteve të tjera.

Vendimet gjyqësore përkitazi me aktet akuzuese, të cilat janë ushtruar nga të gjitha prokuroritë themelore dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në 85.97 % të rasteve kanë përfunduar me aktgjykime fajësuese.

Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Kryesuesin e Këshillit dhe mbështetjen e partnerëve ka hartuar edhe planin e veprimit rreth menaxhimit të situatës së shkaktuar nga Covid -19, me ç ‘rast është mundësuar që të zbuten efektet e pandemisë dhe Prokurori i Shtetit të kryejë punët e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj.

Bazuar në këto të dhëna statistikore është evidente që edhe puna e Prokurorit të Shtetit në gjashtëmujorin e parë 2020 ka qenë e ndikuar nga pandemia Covid-19 si në numrin e lëndëve të pranuara po ashtu edhe në numrin e lëndëve të zgjidhura.

Prokurori i Shtetit, përveç sfidës së organizimit të punës dhe resurseve njerëzore për ballafaqim me pandeminë Covid-19, edhe gjatë pjesës së parë vitit 2020 është ballafaquar me sfida të ndryshme, duke filluar nga zbatimi i sistemit elektronik për menaxhimin e lëndëve (SMIL), numri i lëndëve të ndryshme penale dhe me kryes të panjohur (PPN, PPP), të trashëguara nga vitet paraprake, trajtimi i rasteve të krimeve të luftës, terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit, krimit financiar dhe ekonomik, fuqizimin e kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe stafit në profile specifike, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë së krijuar me vepër penale, trajtimi i rasteve përmes zbatimit të procedurave alternative, bashkëpunimi juridik ndërkombëtar për krimet e luftës, etj.

Megjithatë, nëse e shohim nga këndvështrimi i indikatorëve të CEPEJ-së, mund të konstatojmë se përkundër masave kufizuese, të cilat janë paraqitur në punën e prokurorive, shkalla e efikasitetit ka qenë mjaftë e mirë, përkatësisht janë zgjidhur 104.44% e lëndëve të pranuara në punë gjatë kësaj periudhe.

Për më shumë të dhëna dhe informacione, bashkangjitur në linkët e mëposhtëm gjeni Raportin e Punës së Prokurorit të Shtetit për periudhën janar – qershor 2020. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)