25 Janar 2021

Vaksinat kundër koronavirusit arrijnë në muajin shkurt

Prishtinë, 6 janar - Në një konferencë për media kryeministri në detyrë Avdullah Hoti bashkë me ministrin Armend Zemaj dhe drejtorin e IKSHPK-së Naser Ramadani kanë bërë të ditur se vaksinat e para anti-Covid19 në Kosovë pritet të vijnë në muajin shkurt të këtij viti.

Ndërsa të parët që do të vaksinohen janë punëtorët shëndetësorë, personat mbi 65 vjet si dhe personat me rrezikshmëri të lartë.

Hoti tha se është lajm i mirë rënia e numrit të të infektuarve me Covid-19. Teksa bëri të ditur se do të vazhdojnë të mbajnë në fuqi masat e ndërmarra më parë, deri në hapjen graduale gjatë javëve në vijim.

Kreu i ekzekutivit ka prezantuar me këtë rast strategjinë e imunizimit kundër Covid-19, për çka tha se është bërë një punë e madhe në për të përgatitur këtë strategji, e cila do të kalojë shpejt në komitet dhe pastaj do të shkojë edhe në qeveri.

"E mira e kësaj është se përcaktohet qartë prioritet dhe pastaj ashtu si vijnë vaksinat, në fillim mjekët, pastaj personat mbi 65 vjet, personat që kanë rrezikshmëri të lartë. Strategjia parasheh në detaje veprimet konkrete që janë ndërmarrë, do të bëhen publike listat me emrat e qytetarëve që janë vaksinuar. Kapaciteti ditor është që të vaksinohen rreth 20 mijë qytetarë brenda ditës dhe kjo na jep komoditet që të vaksinojmë pjesë të konsiderueshme të qytetarëve brenda kohës. Nga Pfizer janë 535 mijë vaksina, me Austrinë për 600 mijë vaksina, 720 mijë vaksina nga Covax. Kemi siguruar edhe buxhetin, ku janë ndarë 40 mijë euro për vaksinat anti-Covid19. Presim që vaksinat e para të vijnë në shkurt", u shpreh Hoti.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha që kësaj jave do të finalizohen të gjitha aspektet teknike të negociatave me kompaninë Pfizer, vaksinat e së cilës do të arrijnë në Kosovë në shkurt.

Ministri në detyrë, Zemaj tha se kanë aplikuar edhe për asistencë teknike, që nënkupton asistencë për ruajtje, shpërndarjen dhe dhënien e vaksinës në popullatën e targetuar, duke shtuar se fushatës së vaksinimit do t’i paraprijë një fushatë informuese.

"Të gjithë qytetarët që duhet vaksinuar, do të vaksinohen dhe tanimë kjo është e siguruar", tha Zemaj, duke shtuar se të gjitha vaksinat do të jenë falas.

"COVAX dhe Pfizer nuk janë të vetmet mundësi që ne kemi shqyrtuar për sigurimin e vaksinave. Kemi kontaktuar, identifikuar dhe negociuar edhe me shtete veç e veç nga Bashkimi Evropian, duke filluar nga ajo që ka bërë kryeministri (në detyrë) Hoti me Komisionin Evropian dhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor", shtoi Zemaj.

Ndërsa drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Nasee Ramadani foli për të procedurat që do të ndjekin për vaksinimin e qytetarëve.

Po ashtu bëri të ditur më konkretisht edhe për kategoritë të cilat do të vaksinohen e në mesin e të cilave tha të jenë edhe policia dhe ushtria.

Ai tha se IKSHPK-ja shpreson që me fushatën e vaksinimit të mbulohen të gjithë ajo pjesë e shoqërisë, që është e targetuar si prioritet, në mënyrë që të krijohet imunitet ndaj sëmundjes COVID-19.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Dhjetor 2020

- Shtabi i Lidhjes Demokrarike te Kosovës mban konferencë për media. (Selia e LDK-së, ora 12:00)