20 Prill 2024

USAID-i dhuron pajisje për ruajtjen e sigurt të vaksinave

Prishtinë, 13 maj - Sot, drejtoresha e misionit të USAID-it Zeinah Salahi i’u bashkëngjit zëvendësministres së Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku dhe përfaqësueses së UNICEF-it në Kosovë Nona Zicherman, për të festuar pranim-dorëzimin e pajisjeve të domosdoshme të zinxhirit të ftohtë për të siguruar ruajtjen adekuate dhe transportin e sigurt të vaksinave.

Pranim-dorëzimi i sotëm i këtyre pajisjeve shënon fazën e parë të zëvendësimit të zinxhirit të gjithmbarshëm të ftohtë të vaksinave në Kosovë. Kjo përpjekje e mbështetur nga ana e USAID-it do të rrisë kapacitetet e ruajtjes së vaksinave në të gjitha nivelet, nga magazina qëndrore e vaksinave pranë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) deri tek qendrat e mjekësisë familjare (QKMF-të) në të gjitha 38 komunat në Kosovë.

Siç theksoi drejtoresha e misionit të USAID-it Zeinah Salahi në fjalën e saj hyrëse, “Sot po shpërndajmë pajisje që janë një komponent i rëndësisë thelbësore për marrjen e sigurt të vaksinave kundër COVID-19 nga të gjithë njerëzit në vend që kanë nevojë për to. Në fakt, këto pajisje të dhuruara nuk do të ndihmojë vetëm programin e vaksinimit kundër COVID-19, por cilindo nga programet e imunizimit në Kosovë që ka nevojë për magazinim të ftohtë të vaksinave – veçanërisht imunizimet rutinore të fëmijëve, një shërbim thelbësor ky i shëndetit publik.”

Resurset e siguruara për Ministrinë e Shëndetësisë përfshijnë pesë dhoma të reja të ftohjes për magazinën qëndrore të vaksinave pranë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik si dhe 270 frigoriferë dhe ngrirës. Pajisjet në fjalë do të sigurojnë që të gjitha vaksinat të mund të mbahen në temperaturën e duhur. Përveç kësaj, financimi i USAID-it do të mbështesë trajnimet për stafin e Ministrisë së Shëndetësisë në përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të zinxhirit të ftohtë dhe zhvillimin e një sistemi të dixhitalizuar për monitorim dhe menaxhim më të mirë të rezervave të vaksinave.

Që nga fillimi i COVID-19 në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Kosovën në luftimin e COVID-19 dhe zbutjen e pasojave të tij tek të gjitha komunitetet në vend, përfshirë edhe ato më të margjinalizuarat. Nga gushti i vitit 2021, Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar mbi 1 milion doza, të vaksinave të sigurta dhe të efektshme Pfizer kundër COVID-19 për popullin e Kosovës. USAID-i -- në partneritet me Qeverinë e Kosovës, UNICEF-in dhe akterët tjerë kyq -- ka punuar me punonjësit e vijës së parë dhe komunitetet për të ngadalësuar përhapjen, ofruar kujdes për të prekurit dhe pajisur Kosovën me mjetet e nevojshme për luftimin e COVID-19. USAID-i, përmes UNICEF-it, gjithashtu po vazhdon të mbështesë përpjekjet që po bëhen në komunikim dhe ndërgjegjësim publik në Kosovë për të inkurajuar parandalimin e COVID-19 dhe vaksinimin kundër tij. Mbështetja tjetër nga ana e USAID-it ka përfshirë shpërndarjen e 249 pakove higjienike nëpër qendrat shëndetësore; 7,750 kompleteve higjienike për familjet; 2,400 komplete higjienike për nënat dhe foshnjet në të gjitha 38 komunat e Kosovës; dhe komplete higjienike në 660 shkolla fillore dhe të mesme. Krahas kësaj, Shtetet e Bashkuara dërguan pajisje laboratorike testimi dhe skanerë termikë për t'u vendosur në hyrjet e pikave kufitare në Kosovë, duke përfshirë aeroportin e Prishtinës dhe katër pika kufitare tokësore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)