29 Mars 2024

UNICEF-i do ta udhëheqë prokurimin dhe furnizimin me vaksina kundër COVID-19

New York, 4 shtator - UNICEF-i do ta udhëheqë prokurimin dhe furnizimin me vaksina kundër COVID-19, në atë që do të jetë aksioni më i madh dhe më i shpejtë i këtij lloji në botë.

UNICEF do të punojë me prodhuesit dhe partnerët e vet për prokurimin e dozave të vaksinave, si dhe për ngarkesat, aspektet logjistike dhe magazinimin e vaksinave kundër COVID-19, në emër të Institutit global COVAX

UNICEF po bën përpjekje për prokurimin dhe furnizimin me vaksina kundër COVID-19 në atë që mund të jetë aksioni më i madh dhe më i shpejtë në botë për prokurim dhe furnizim me vaksina, e tëra kjo si pjesë e planit global të prodhimit të vaksinave që drejtohet nga Gavi - Aleanca për Vaksina, dhe që njihet si  Instituti Global për Qasje  në Vaksina kundër COVID-19 (Instituti COVAX).

Me disa kandidatë premtues për prodhimin e vaksinave, UNICEF-i, në bashkëpunim me Fondin Hulumtues të OPASh (PAHO), do të angazhohet për prokurimin dhe furnizimin me doza të vaksinave kundër COVID-19 në emër të Institutit COVAX për 92 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, për të cilat do të porositen vaksina duke u mbështetur në mekanizmin e Gavi COVAX AMC si dhe do të grumbullojë rezerva për emergjenca humanitare.

Përveç kësaj, UNICEF-i do të shërbejë gjithashtu si koordinator i prokurimit për të dhënë mbështetje në prokurimin e vaksinave nga 80 shtete me të ardhura më të larta , të cilat kanë shprehur dëshirën e tyre për të marrë pjesë në Institutin COVAX dhe për të financuar vaksinat nga buxhetet e veta të financave publike.

UNICEF-i do t'i ndërmarrë këto përpjekje në bashkëpunim të ngushtë me OBSH-në, Gavi-n, CEPI-n (Koalicioni për Gatishmëri ndaj Epidemive), PAHO-n, Bankën Botërore, Fondacionin Bill dhe Melinda Gates dhe me partnerë të tjerë. Instituti COVAX është i hapur për të gjitha shtetet ashtu që asnjë vend të mos mbetet pa qasje në një vaksinë të ardhshme kundër COVID-19.

"Është një partneritet ndërmjet të gjitha qeverive botërore, prodhuesve dhe partnerëve të shumanshëm për të vazhduar luftën e vështirë kundër pandemisë COVID-19", tha Henrietta Fore, Drejtoreshë Ekzekutive e UNICEF-it.

"Në përpjekjet tona të përbashkëta për zbulimin e një vaksine, UNICEF-i është vënë në funksion me të gjitha forcat e veta për furnizimin me vaksina me qëllim që të gjitha vendet të kenë qasje të sigurt, të shpejtë dhe të barabartë në dozat fillestare kur ato të jenë në dispozicion."

UNICEF-i është blerësi më i madh i vaksinave në botë me më shumë se  2 miliardë doza vaksinash  çdo vit për  imunizimin rutinor  dhe reagim ndaj pandemisë në emër të rreth 100 shteteve. Është partneri kryesor prokurues i Gavi-t, Aleanca për Vaksina, e cila gjatë 20 viteve të fundit ka furnizuar më shumë se 760 milion fëmijë me vaksina që shpëtojnë jetë, duke parandaluar më shumë se 13 milion vdekje. UNICEF-i do të vë në punë ekspertizën e vet në treg dhe prokurim për ta koordinuar prokurimin dhe furnizimin e vaksinave kundër COVID-19 për Institutin COVAX. Kjo me gjasë mund ta dyfishojë vëllimin e përgjithshëm të prokurimit të vaksinave nga kjo agjenci për vitin 2021.

Si përgjigje ndaj një thirrjeje për shprehje interesi që UNICEF-i e publikoi ​​në qershor në emër të Institutit COVAX, 28 prodhuesë me institucione prodhimi në 10 shtete i ndanë planet e tyre vjetore të prodhimit për vaksinat kundër COVID-19 deri në vitin 2023.

Sipas afateve kohore që u dhanë nga prodhuesit, procesi nga zhvillimi e deri tek prodhimi i vaksinës mund të jetë një nga hapat më të shpejtë shkencorë dhe prodhues në histori.

Në një vlerësim të tregut që u bë nga UNICEF duke grumbulluar informacione nga prodhuesit e vaksinave së bashku me të dhëna që ishin në dispozicion për publikun, u konstatua se prodhuesit janë të gatshëm të prodhojnë në mënyrë kolektive sasi enorme të vaksinave gjatë 1-2 viteve të ardhshme.

Sidoqoftë, prodhuesit dhanë indikacione se investimet për të mbështetur prodhimin në shkallë të gjerë të dozave do të vareshin midis të tjerash nga suksesi i provave klinike, arritja e marrëveshjeve paraprake të blerjes, konfirmimi i financimit si dhe nga trajektoret e rregulloreve dhe regjistrimit.

Ky vlerësim gjithashtu ilustron, ndër të tjera, reagimin e prodhuesve ndaj modelit dhe objektivave të Institutit COVAX - një shtyllë kryesore e  Iniciativës ACT-Accelerator , e cila paraqet një bashkëpunim të ri global për të përshpejtuar zhvillimin dhe shpërndarjen e barabartë të vaksinave, mjeteve diagnostifikuese dhe terapeutike për të luftuar pandeminë COVID-19 në të gjitha shtetet pa marrë parasysh nivelin e tyre të të ardhurave.

Një hap tjetër kryesor do të jetë regjistrimi i ekonomive vetë-financuese në Institutin COVAX deri më 18 shtator, gjë që do ta lejojë COVAX-in të bëjë investime të hershme në rritjen e kapacitetit prodhues në shkallë të gjerë përmes marrëveshjeve paraprake për blerje.

Duke qenë aktualisht në zhvillim e sipër nga OBSH, korniza e alokimit e COVAX do të ofrojë udhëzime për UNICEF-in, PAHO-n dhe prokuruesit të tjerë që punojnë në emër të vendeve pjesëmarrëse, lidhur me atë si dhe ku t’i furnizojnë vaksinat e siguruara nga Instituti.

Furnizimet fillestare të dozave pritet të shkallëzohen për të mundësuar që vendet të vaksinojnë punonjësit shëndetësorë dhe socialë, dhe pastaj do të pasojnë dozat e vaksinave që do t’u mundësonin vendeve pjesëmarrëse të vaksinojnë popullatat me rrezik më të lartë nga infektimi me COVID-19.

"UNICEF-i ka qenë partneri vendimtar në suksesin e Aleancës gjatë dy dekadave të fundit - duke na ndihmuar të arrijmë tek më shumë se gjysma e popullsisë së botës me vaksina që shpëtojnë jetë", tha Dr. Seth Berkley, shef i Gavi-t.

"Kjo ekspertizë dhe përvojë do të jetë e rëndësishme për të mundësuar që COVAX - si një përpjekje globale për të siguruar dhe shpërndarë vaksina të sigurta dhe efektive kundër COVID-19, në një afat kohor të përshpejtuar dhe në një shkallë të paparë – të mund të mbrojë më të rrezikuarit, kudo që të jenë në botë. Së bashku, ne mund të punojmë për t'i dhënë fund fazës akute të kësaj pandemie, dhe ndikimit shkatërrues të saj mbi individët, komunitetet dhe ekonomitë."
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)