23 Prill 2024

UNDP i dorëzon IKSHP-së 41,000 komplete testimi

Prishtinë, 23 korrik - Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, përmes LuxDev, dhuron 27,333 komplete testimi dhe qeveria e Austrisë, përmes Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, dhuron  13,667 komplete testimi në partneritet me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). 41,000 komplete testimi arritën sot në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (NIPHK) dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Armend Zemaj, Ministër i Shëndetësisë, Valbon Krasniqi, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK, Znj. Valbona Bogujevci, Asistente e Përfaqësueses së Përhershme në UNDP, Christoph Weidinger, Ambasador i Austrisë në Kosovë, Gunther Zimmer, Udhëheqës i Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, zyra në Kosovë, Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike dhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShPK-së morrën pjesë në ngjarjen e cila u zhvillua në lokalet e Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Znj. Natacha Gomes,  nuk mundi t'i bashkëngjitet ngjarjes pasiqë gjendet jashtë Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni theksoi rëndësinë e partneritetit dhe ndihmës ndërkombëtare gjatë këtyre kohërave të vështira.

“Pjesëmarrja ime këtu sot për të pranuar këtë donacion të fundit në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës, më bën shumë krenar që mund t'u them faleminderit miqve tanë ndërkombëtarë që janë duke na mbështetur në vazhdimësi për të kapërcyer këtë sfidë globale."

"Ne jemi duke punuar pandërprerë për të zvogëluar dhe parandaluar përhapjen e mëtejshme të pandemisë dhe ngadalë por sigurtë, kemi rezultatet e para. Numri i madh i testeve që po marrim sot do të thotë shumë për mbrojtjen e shëndetit publik. Unë dua t'i falënderoj qeveritë e Luksemburgut dhe Austrisë për financim dhe UNDP-në për blerjen e këtij kontigjenti të kompleteve për testim", tha Zemaj.

Znj. Natacha Gomes, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Dukatës së Madhe të Luksemburgut në Prishtinë dërgoi një mesazh të përzemërt: “Dukata e Madhe e Luksemburgut ka dëshmuar përsëri se ne qëndrojmë së bashku me popullin e Kosovës. Në këto kohë nevoje ne kemi bërë çmos për të ndihmuar institucionet për t’u përballuar me pandeminë."

"Donacioni ynë ka ndihmuar në blerjen e ventilatorëve mobil dhe kompleteve të testimit edhe në dy raste të mëparshme. Në këtë rast, jemi të lumtur që së bashku me partnerin tonë Austrinë, në frymën e #Team Europe, kemi siguruar komplete testimi."

"Qeveria e Luksemburgut gjithashtu po ofron mbështetje humanitare për 2000 familje nevojtare, si pjesë e partneritetit aktual me UNDP-në. Shpresojmë ta tejkalojmë këtë krizë së shpejti dhe t'i kthehemi ndërtimit të zgjidhjeve të qëndrueshme për Kosovën. Për ta bërë këtë, ne duhet të mbështetemi në bashkëpunimin e secilit për ta futur këtë pandemi nën kontroll duke respektuar masat në fuqi", theksoi Gomes.

Christoph Weidinger, Ambasadori austriak në Kosovë tha se më 28 maj, Alexander Schallenberg, Ministri Federal i Austrisë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare nënshkroi një marrëveshje me UNDP-në për dhurimin e fondeve për blerjen e kompleteve për testim.

"Është kënaqësi të jem sot këtu dhe të shoh që, më pak se dy muaj më vonë, testet kanë arritur në Prishtinë. Jam i lumtur që ky donacion do të rris numrin e testimeve dhe do të ndihmojë në zvogëlimin e përhapjes së virusit. Dua të falënderoj qeverinë e Luksemburgut për këtë donacion të përbashkët dhe UNDP-në për ndihmën në prokurimin e testeve ”, theksoi Weidinger.

"Gjatë 21 viteve të fundit, ne në UNDP kemi punuar së bashku me institucionet e Kosovës në ndërtimin e një jete më të mirë për tërë popullin e Kosovës. Pandemia ka zhvendosur fokusin tonë dhe ne i kemi kthyer të gjitha njohuritë dhe partneritetin tonë afatgjatë me donatorët tanë drejt luftimit të COVID-19."

"Donacioni i sotëm u bë i mundur përmes kontributit bujar nga qeveria e Luksemburgut përmes LuxDev dhe qeverisë së Austrisë përmes Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim dhe unë jam e lumtur që jam pjesë e këtij shembulli të shkëlqyeshëm të efikasitetit të ndihmës me partnerët tanë."

"Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera në Kosovë dhe t'i mbështesin në menaxhimin efektiv të krizës me tërë fuqinë tonë. Distanca fizike, vendosja e maskës dhe higjiena personale janë mënyrat më të mira për të qëndruar të shëndetshëm dhe për të mbrojtur të dashurit tanë, "tha Znj Bogujevci gjatë këtij aktiviteti.

Kompletet e testimit janë blerë me 500,000 EUR, nga marrëveshja me qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut përmes Lux Development SA në vlerë të përgjithshme prej 1 milion EUR, gjysma e së cilës do të përdoret për ofrimin e ndihmës humanitare për 2000 familje, dhe marrëveshja me qeverinë austriake përmes Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në vlerë të përgjithshme prej 250,000 EUR.

Që nga shpërthimi i COVID-19, UNDP në Kosovë, si Agjenci kyçe e Ekipit të OKB-së në Kosovë (UNKT), është duke mbështetur qytetarët dhe institucionet e Kosovës që të përgatiten, t'i përgjigjen dhe të rimarrin veten nga pandemia duke u përqëndruar veçanërisht në më të prekurit.

"Ne kemi zhvendosur me nguti fokusin, duke reaguar me shpejtësi dhe efikasitet dhe duke riorientuar programin tonë për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës për të ndaluar përhapjen e virusit, mbrojtjen e njerëzve nga pandemia dhe ndikimet negative gjatë  shpërthimit dhe për të ndihmuar në ripërtëritjen ekonomike dhe sociale në muajt në vazhdim", theksoi Bogujefci.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)