02 Korrik 2020

Tre persona vdesin në Klinikën Infektive si pasojë e COVID-19

Prishtinë 27 qershor - Klinika Infektive ka bërë të ditur se sot edhe tre persona kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit me COVID-19.

Pacientët, dy nga ta nga Komuna e Prizrenit si dhe një nga Suhareka, thuhet në njoftim, kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

“Mbrëmë në Klinikën Infektive ka ndërruar jetë pacienti J.N. 1963 nga komuna e Prizrenit si dhe sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë pacienti R. B. 1942 nga komuna e Prizrenit, të cilët përveç infeksionit me Covid -19 kishin edhe sëmundje shoqëruese”.

“Sot, në orën 08:15, ka vdekur pacienti me inicialet D.N, viti i lindjes 1949 nga Suhareka, i cili ishte pranuar në Njesinë Intensive në objektin e Mjekesisë me datën 23.06.2020, si transfer nga Klinika Infektive, i konfirmuar me strisho pozitive për COVID-19”, thuhet në njoftim.

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, aktualisht janë të hospitalizuar 97 raste me COVID-19.

Ndër ta, 45 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 5 raste, 2 raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 3 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë, njofton Klinika Infektive.

Me këto të dhëna, numri i viktimave nga koronavirusi në Kosovë shkon në 47.

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e dytë e rregullt për vitin 2020 e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. (Salla e Kuvendit të Komunës në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Inaugurohen zyrat të reja të Bankës Qendrore të Kosovës në të cilen do të merr pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. (Tek ish-zyrat e Komunës së Prishtinës që gjenden mes objektit të BQK-së dhe parkingut nëntokësor tek Hotel Grandi, ora 10:00)

- Nataliya Apostolova, Udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë do t’i dorëzojë Ministrisë së Shëndetësisë 6,000 komplete testimi për COVID-19, 90 shtretër spitalorë, mbi 67,000 maska të frymëmarrjes dhe pajisje të tjera mjekësore në mbështetje të sistemit shëndetësor. (Live stream në facebook.com/EuropeanUnionInKosovo, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të vizitojë Komunën e Gjilanit ku do te takohet me kryetarin Lutfi Haziri. (Objekti i Komunës së Gjilanit, ora 10:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës se Gjilanit, Lutfi Haziri vizitojnë stadiumin e qytetit në Gjilan si dhe vendosin gur-themelin e stadiumit ndihmës. (Gjilan, ora 11:00)
 
- Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Iniciativa për Progres me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it, do të mbajnë konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik: “E drejta për ujë, peng i prokurimit: Analizë e tenderit maratonik për ujësjellës në Komunën e Dragashit”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, përfaqësuar nga Ambasada Britanike, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit. (Holli i Kuvendit të Kosovës​, ora 12:00)

- SKOPI Studentor organizon aksion simbolik për të treguar realitetin e krijuar nga emërimet e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. (Para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, ora 12:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në nënshkrimin e Memorandum Bashkëpunimit me Ambasadën Britanike për pozitat e larta drejtuese. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- IKD dhe INPO mbajnë konferencë për medie, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik “E drejta për ujë, peng i prokurimit”. (Hotel “Sirius”, ora 14:30)

- Me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka ftuar të gjithë gazetarët e sportit, në takim me për të diskutuar mbarëvatjen e sportit në vendin tonë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sporti dhe gazetarët sportivë. (Kabineti i Ministres së MKRS-së, ora 15:15)