02 Mars 2021

SHSKUK vazhdon tenderimin për Spitalin e Podujevës, rrezikon të hyjë në detyrime

Prishtinë, 19 janar -  Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se në dhjetor 2020, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) kishte shpallur tenderin për Ndërtimin e Spitalit në Podujevë me vlerë të parashikuar 9,159,833.81 euro.

Ndonëse në Ligjin për buxhetin 2021 nuk figuron linjë buxhetore për këtë projekt, SHSKUK ka vazhduar me zhvillimin e aktivitetit të prokurimit, duke e bërë hapjen e ofertave më 18 janar 2020.
 
Në këto rrethana, vazhdimi i kësaj procedure të prokurimit pa mjete buxhetore të alokuara nuk është në përputhje me kuadrin ligjor që rregullon ketë çështje.  

''Rikujtojmë që sipas nenit 9 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), nëse Autoriteti Kontraktues është autoritet publik ose organizatë buxhetore atëherë Zyrtari Kryesor Financiar në pajtim me dispozitat e aplikueshme të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publik dhe Përgjegjësitë dhe Rregullat Financiare do të sigurojë nëse janë ndarë mjete të mjaftueshme financiare për prokurimin përkatës në shumë të mjaftueshme për përmbushjen e detyrimeve që mund të dalin si rezultat i prokurimit në fjalë gjatë vitit aktual fiskal'', thekson KDI.

Pasi që mjetet financiare nuk janë të parapara në buxhetin 2021 dhe është duke vazhduar ky proces tenderues, SHSKUK rrezikon të hyjë në obligime financiare ndaj Operatorëve Ekonomik pasi që nuk kanë në dispozicion shumën e caktuar për këtë projekt.
 
KDI rekomandon që SHSKUK-ja të anuloj këtë aktivitet të prokurimit duke qenë se i njëjti nuk është duke u zbatuar sipas dispozitave ligjore.

Përderisa, për këtë projekt në buxhetin e vitit 2020 ishin ndarë 150,000.00 euro, KDI kishte gjetur se në projektligjin për buxhetin e vitit 2021 ky projekt nuk kishte linjë buxhetore.

Për këtë më datë 15 dhjetor 2020 KDI ka bërë thirrje që ky "lëshim" të adresohet gjatë amendamentimit të projektligjit për buxhet 2021, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Mars 2021 - Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë inauguron projektin “Fuqizimi i autonomisë universitare dhe rritja e llogaridhënies e transparencës së universiteteve të Ballkanit Perëndimor”. (Selia e Kolegjit IBCM, ora 9:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Enis Ramadani për vepren penale 'Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Avokati i Popullit, Naim Qelaj viziton ekspozitën për fëmijët e vrarë gjatë luftës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”. (Biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, lagjja Dardania, ora 10:00)

- Parlamenti i dytë rural shqiptar organizon konferencë për të diskutuar sfidat dhe veprimet konkrete për mirëqenien e banorëve të zonave rurale. (Platforma Zoom, ora 10:00)

- Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Gjilan, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, mban konferencë për media pas takimit të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19. (Zyra e krytarit Haziri, ora 10:30)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e shpërndarjes së librave të botuar dhe të blerë me financimin e Departamentit të Kulturës në MKRS. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)