25 Prill 2024

Shoqëritë që ofrojnë kujdes ndaj fëmijëve përfitojnë avantazhe ekonomike

Londër, 27 shtator - Sipas një raporti të publikuar sot nga IFC-ja, krahu i sektorit privat në Grupin e Bankës Botërore, shoqëritë në mbarë botën që ofrojnë shërbime përkujdesjeje ndaj fëmijëve për punonjësit e tyre kanë konstatuar se kjo asistencë ka pasur një ndikim të rëndësishëm pozitiv në bizneset e tyre, duke përmirësuar rekrutimin, mbajtjen dhe produktivitetin e punonjësve.

Raporti i titulluar “Kujdesi ndaj Fëmijëve: Përfitueshmëria e Bizneseve nga Përkujdesja ndaj Fëmijëve me Përkrahje të Punëdhënësit" vjen në kontekstin e njohjes gjithnjë e më shumë prej politikbërësve në mbarë botën, të ndikimit të kujdesit ndaj femijëve në biznes dhe zhvillim. Në 11 nga 50 ekonomitë e shqyrtuara kohët e fundit nga Grupi i Bankës Botërore “Gratë, Biznesi dhe Ligji”, punëdhënësve ju kërkohet me ligj të mbështesin apo të ofrojnë përkujdesje ndaj fëmijëve. Edhe në kushtet e mungesës së nevojës për pajtueshmëri me rregullat, shumë punëdhënës po kërkojnë të ofrojnë mbështetje për kujdesin ndaj fëmijëve që të arrijnë rezultate më të mira në bizneset e tyre. Qeveritë që kanë miratuar ligje që kërkojnë shërbime të kujdesit ndaj fëmijëve janë Brazili, Kili, Ekuadori, India, Iraku, Japonia, Jordania, Hollanda, Turqia, Ukraina dhe Vietnami.
 
"Pa pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave dhe burrave, asnjë vend, komunitet apo ekonomi nuk mund të arrijë potencialin e tij ose të përmbushë sfidat e Shekullit të 21-të", tha Nena Stoiljkoviç, Zëvendëspresidente e Bashkëfinancimeve dhe Partneriteteve në IFC. "Kujdesi ndaj fëmijëve është pjesë e zgjidhjes, dhe ndërkohë që shumë shoqëri duan të kenaqin nevojat e punonjësve për kujdes ndaj fëmijëve, shpesh atyre ju mungon informacioni mbi atë që ato mund të bëjnë dhe se si do mund të përfitojnë.  Raporti i IFC-së Kujdesi ndaj Fëmijëve e plotëson këtë hendek."

Raporti bazohet në 10 raste studimore të shoqerive në mbarë botën, që ofrojnë alternativa të ndryshme për kujdesin ndaj fëmijëve, nga kujdesi për fëmijët në ambjentet e punës deri tek subvencionet për punonjësit. Shoqëritë e referuara në Raport përfshijnë shoqërinë afrikano-jugore të prodhimeve të freskëta “Agrifresh”, shoqërinë amerikane të software-ve “Akamai”, shoqërinë turke të prodhimit të makinerive të rënda “Borusan”, shoqërinë japoneze të shërbimeve financiare “Banka e Tokio-Mitsubishi UFJ, Ltd”, shoqërinë prodhuese të komponentëve automobilistike “Martur” me bazë në Turqi, prodhuesin jordanez të veshjeve “MAS Kreeda Al Safi-Madaba”, firmën indiane “Mindtree” që ofron shërbime IT,  prodhuesin brazilian të produkteve të pjekura “Pandurata Alimentos Ltda (Bauducco)”,  shoqërinë keniane të telekomunikacionit “Safaricom”, dhe grupin gjerman të kujdesit shëndetësor “Schoen Klinik”.

Rastet e studjuara treguan se punëdhënësit që ofruan perkujdesje për fëmijët përfituan një reduktim të ndjeshëm të largimeve të punonjësve nga puna, përmirësim të cilësisë së aplikantëve për punesim dhe shpejtësi në plotësimin e vendeve të lira të punës, rritje të prodhimit si rezultat i reduktimit të mungesave në punë, përqëndrim më të madh dhe rritje të motivimit dhe angazhimit të punonjësve, si dhe përmirësim të diversitetit gjinor dhe avancimit të grave në pozita drejtuese.

Kujdesi më i mirë dhe financiarisht më i përballueshëm ndaj fëmijeve shihet gjithnjë e më shumë si një nxitës kryesor i rritjes ekonomike. Kur nënat dhe baballarët marrin pjesë në mënyrë të barabartë në fuqinë punëtore, ata kanë më shumë gjasa të rrisin të ardhurat e tyre familjare dhe të kenë një ndikim më të madh në fuqizimin e bizneseve dhe ekonomive. Në përgjithësi, fëmijët të cilëve ju mundësohet edukim e kujdes i hershëm arsimor janë më të shëndetshëm, mësojnë më mirë në shkollë dhe bëhen më produktivë kur jane te rritur.

Në hartimin e raportit, IFC-ja u mbështet në ekspertizën e partnerëve të saj strategjikë, si: Care.com, Institutin Kërkimor të Politikave ndaj Grave, Organizatën Ndërkombëtare të Punës, Kidogo, Global Compact të OKB-së, dhe Gratë e OKB-së, si dhe shoqeri te tjera partnere të IFC-së në Partneritet per Kujdesin ndaj Femijëve.

Sektori privat, i cili zë rreth 90% të vendeve të punës në vendet në zhvillim, është makineria kryesore për krijimin e vendeve më të shumta dhe më të mira të punës. Kujdesi ndaj Fëmijëve është pjesë e përpjekjeve më të gjëra të IFC-së jo vetëm për të adresuar boshllëqet gjinore në punësim por edhe për të gjetur mënyra se si sektorët publikë dhe privatë të mund të bashkëpunojnë më mirë për të krijuar tregje për kujdesin ndaj fëmijëve.

Rreth Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC):

IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni ndërkombëtar më i madh për zhvillim që fokusohet në sektorin privat të tregjeve në zhvillim. Duke punuar me mbi 2000 biznese në mbarë botën, ne shfrytëzojmë kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim në të gjithë botën. Në Vitin Financiar 2017 ne arritëm shifrën rekord prej 19.3 miliardë dollarësh në financime afatgjata në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për të ndihmuar në dhënien fund të varfërisë dhe nxitjen e begatisë për të gjithë. Për më shumë informacion vizitoni www.ifc.org

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)