22 Gusht 2019

QKUK me shërbim të ri për trajtimin e rasteve urgjente neurologjike

Prishtinë, 6 gusht - Në Klinikën e Neurologjisë kanë filluar punimet për rinovimin dhe modernizimin e hapësirave për pacientë.

Këtë klinikë e ka vizituar drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), dr. Basri Sejdiu, i cili për së afërmi është njoftuar në lidhje me punën, që po bëhet  për rinovim të hapësirave.

Ai i ka bërë të ditur stafit të kësaj klinike, se, në kuadër të projektit për modernizim të hapësirave të klinikave të QKUK-së, pritet që të krijohet shërbimi i ri për trajtimin e rasteve urgjente neurologjike, të njohura si sulme iskemike të  trurit  (ICV),  e që do të bëhen të mundura me krijimin e  “Stroke Center”.

Në këtë qendër do të vendoset edhe Rezonanca e re Magnetike dhe  Tomografia e Kompjuterizuar (CT), e që përveç që do të shërbejnë për trajtim të rasteve urgjente neurologjike, do të mundësojnë që listat e pritjes për këto shërbime të zvogëlohen dukshëm.

Drejtori Sejdiu njoftoi se në Klinikën e Neurologjisë do të bëhet ndarja e pacientëve ambulatorë nga ata spitalorë, ngase ambulancat specialistike do të funksionojnë ndaras nga pjesa spitalore.

Poashtu, do të krijohet recepsioni, në të cilin do të paraqiten, regjistrohen dhe drejtohen pacientët. Projekti parasheh edhe rinovimin e mjekimit intensiv dhe krijimin e kushteve moderne për pacientë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 gusht 2019

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Komuna e Prishtinës organizon vendosjen e pesë njësive shtesë të pemëve për pastrimin e ajrit në sheshin "Zahir Pajaziti" ku do të jetë prezent dhe Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. (Sheshi i 'Zahir Pajazitit', ora 10:00)

 - Mbahet dita e tretë e Etnofestit në të cilën do të mbahet punëtoria kreative, instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve, punime artizanale, etj. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës se Istogut, Haki Rugova do të organizojë dëgjimin me qytetarë për Draft Buxhetin Komunal për vitet 2020-2022. (Salla e Kuvendit Komunal në Istog, Kati III, ora 11:00) 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 13:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Termokis, ora 20:00)