25 Prill 2024

Promovohet regjistri i barnave në Kosovë

Prishtinë, 5 dhjetor - Në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës u bë sot promovimi i edicionit të dytë të Regjistrit të Barnave në Kosovë, që është rezultat i bashkëpunimit midis MSh-së, Agjencionit Kosovar për Produkte Mjekësore (AKPM) , Fakultetit të Mjekësisë dhe Farmacisë si dhe Shoqatës Farmaceutike të Kosovës (SHFK).

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. Dr. Ferid Agani, tha se me këtë regjistër, do të krijohen lehtësime të mëdha për mjekët dhe profesionistët shëndetësore të Kosovës, të cilët do ta kenë shumë më lehtë që ta dinë se cilat barna janë të regjistruara në Kosovë dhe cilat kanë autorizim-marketing, gjatë përshkrimit të terapisë për pacientët.

Ministri tha se regjistri krijon lehtësime të mëdha edhe për farmacistët, ndërsa përfituesit e fundit në këtë zinxhir të bashkëpunimit, domosdo duhet të jenë pacientët, të cilët duhet të marrin barna të sigurta dhe të përshkruara në mënyrën e drejtë nga profesionistët shëndetësor.

Ministri Agani tha se Regjistri i Barnave-edicioni i dytë përmban mbi 100 molekula të reja në rreth 700 forma farmaceutike, të cilat i janë shtuar regjistrit nga edicioni i parë, duke e rritur kështu  fondin e formave farmaceutike në përdorim në Kosovë në rreth 2500.

Ministri theksoi edhe faktin se Regjistri mundëson që edhe barnat në Kosovë të bëhen pjesë e sistemit të informimit shëndetësor, ndërsa që formularët e farmako-vigjilencës, që janë pjesë e tij, do të mundësojnë raportimin e efekteve negative të barnave.

Prof. Dr. Rexhep Hoxha  nga Fakulteti i Mjekësisë dhe një nga autorët e Regjistrit tha se përveç faktit se regjistri përmban secilin bari të regjistruar në Kosovë dhe atyre që kanë autorizim-marketing, në regjistër është vendosur edhe katalogu i përdorimit të këtyre barnave në shtatzënësi, ndikimet, dozimi dhe kundërindikimet.

Profesor Hoxha tha se Kosova ka nevojë të regjistrojë ende barna të reja, të cilat sigurisht do të jenë pjesë e edicioneve të tjera që tashmë do të jenë tradicionale.

Besim Muzaqi, kryetar i Shoqatës Farmaceutike të Kosovës, tha se publikimi i këtij regjistri është një fillim i mbarë, që shpresohet se do t’u hyjë shumë në punë mjekëve dhe farmacistëve kosovarë, ashtu që ata t’u japin pacientëve barna të regjistruara dhe të sigurta.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)